Aktakuzë për shpërthimin në Ibër–Lepenc/ Eksperti paralajmëron rrezikun e vazhdueshëm nga Serbia

Politika

Aktakuzë për shpërthimin në Ibër–Lepenc/ Eksperti paralajmëron rrezikun e vazhdueshëm nga Serbia

Nga: A.M. Më: 12 dhjetor 2025 Në ora: 20:09
Punime në kanalin e dëmtuar të Ibër-Lepencit. Fotografi nga arkivi.

Një vit pas shpërthimit në kanalin Ibër–Lepenc, që tronditi sigurinë kombëtare dhe solli dëme të mëdha infrastrukturore, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër tre personave të lidhur me strukturat e sigurisë së Serbisë – përfshirë edhe një oficer të gradës toger.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Jovan Viçentijeviqit, vëllait të tij Dragisha Viçentijeviqin dhe Igor Dimoviçiqit, për shpërthimin e 29 nëntorit 2024 në kanalin Ibër–Lepenc.

Sipas Prokurorisë, “J.V. dhe D.V., akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit Ibër-Lepenc, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike dhe ndërmarrjes Ibër-Lepenc i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh”.

Ajo që bie në sy është se i akuzuari kryesor, Jovan Viçentijeviq, mban gradën toger në Ushtrinë e Serbisë.

Duke komentuar këto zhvillime, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot” ka deklaruar se një situatë e tillë nuk është e papritur, duke rikujtuar praninë e gjatë të Serbisë dhe strukturave të saj.

Image
Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani

“Po, kjo nuk është befasi, duke pasur parasysh se Serbia ka qenë prezente në veri për një kohë të gjatë. Tashmë nuk është, së paku strukturat paralele janë shkatërruar apo janë shuar. Kanë mbetur vetëm aktivitete individuale apo struktura ilegale”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Burjani ka theksuar se institucionet e sigurisë duhet të jenë të kujdesshme dhe të gatshme të reagojnë për të parandaluar çdo tentativë të mundshme agresioni që mund të përsëritet.

“Organet e rendit duhet të jenë vigjilente, të gatshme të reagojnë për të ndalur çdo tentativë agresioni që mund të përsëritet. Duhet bërë plan operativ për çdo mundësi apo aktivitet të mundshëm kundër shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë”, ka përfunduar Burjani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat