“Lodhja politike” rrezikon zgjedhjet e 28 dhjetorit, Tali zbulon lojërat që irritojnë qytetarët

Politika

“Lodhja politike” rrezikon zgjedhjet e 28 dhjetorit, Tali zbulon lojërat që irritojnë qytetarët

Nga: A.M Më: 13 dhjetor 2025 Në ora: 14:02
Foto ilustrim

Zgjedhjet janë një nga instrumentet kryesore të demokracisë, duke u ofruar qytetarëve mundësinë për të ndikuar në vendimmarrjen politike dhe për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.

Megjithatë, në vitet e fundit, Kosova ka përjetuar një sërë zgjedhjesh të shpeshta, gjë që ngre shqetësimin për lodhjen e votuesve dhe për një pjesëmarrje të ulët në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

E për këtë çështje, për “Bota sot” foli Driton Tali, derisa tha se bllokada e muajve të fundit dhe lojërat politike i kanë irrituar qytetarët.

Image
Driton Tali

“Zgjedhjet e shpeshta natyrisht se janë të mërzitshme dhe ndikojnë në disponimin e qytetarëve. Por, sipas mendimit tim, saga e pakuptimtë e më se nëntë muajve, i ka dëmtuar më shumë këto zgjedhjet e 28 dhjetorit se sa përsdytja, sepse ato lojëra të pakuptimta politike seriozisht i kanë irrituar qytetarët”, deklaroi ai.

Po ashtu, Tali foli edhe për kritikat e shumta që partitë politike marrin në përgjithësi nga qytetarët.

Madje, ai përmendi edhe pakënaqësit e shkaktuara në listat e kandidatëve për deputetë.

“Partitë politike këtë mund ta vërejnë nga rritja enorme e kritikave që ju adresohet atyre pa përjashtim, mbase ndonjërës më shumë e ndonjërës më pak, por në përgjithësi dëshprimi dhe mllefi është vizuel.

Kësaj shtoja edhe pakënaqësitë e mëdha që i kanë shkaktuar listat, për faktin se në të gjitha partitë ka akterë të anashkaluar, e të cilët veç kanë filluar publikisht ta shprehin mllefin kundër liderëve të subjekteve që ju përkasin”.

Duke u bazuar në këtë, ai vlerëson se dalja në zgjedhjet e ktëij muaji do jetë më e ulët.

Mirëpo, për ta rritur motivin te qytetarët, partitë duhet të ofrojnë fushata, programe dhe plane cilësore.

“Prandaj, për këto arsye, unë pres që dalja në zgjedhjet e 28 dhjetorit të jetë e ultë.

Dhe pres që gara të zhvillohet kryesisht në mes strukturave partiake. Ku logjikisht partia e cila ja arrinë ta mobilizojë strukturën e saj edhe do dali më mirë me rezultat.

Për t'i motivuar qytetarët që janë jashta strukturave partiake, e të cilët zgjedhjet i shohin si detyrë qytetare dhe jo apriori si ndonjë interes personal, fushata duhet të jetë interesante dhe përmbajtësore, pa ofendime e banalitete.

Prandaj të shohim se si do ta bëjnë fushatën partitë, mbase do t'ia arrijnë që t'i motivojnë qytetarët për tē votuar.

Unë ju uroj suksese të gjitha partive”, përfundoi Driton Tali për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat