“Vija të kuqe” apo mashtrim elektoral? Opozita në shënjestër për bllokadën, votën dhe pushtetin

Politika

“Vija të kuqe” apo mashtrim elektoral? Opozita në shënjestër për bllokadën, votën dhe pushtetin

Arife Morina - Mulaku Nga Arife Morina - Mulaku Më 16 dhjetor 2025 Në ora: 16:58
Foto ilustrim

Deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, rreth “heqjes së vijave të kuqe” nga PDK, LDK dhe AAK, kanë rihapur debatin mbi sinqeritetin dhe prapaskenat e diskursit politik në Kosovë.

Ndërsa ish-partitë opozitare deklarativisht po pozicionohen si të hapura për bashkëpunim me të gjitha subjektet politike, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, Kurti e sheh këtë qasje më shumë si kalkulim elektoral sesa si ndryshim real politik.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në “Politiko” komentoi deklaratat e kryetarëve të partive tjera, të cilët kanë thënë se nuk kanë vija të kuqe për asnjë subjekt politik, e as për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ata edhe kur thonë se nuk kemi vija të kuqe, besoni e kanë se mos po ia marrin ndonjë votues Vetëvendosjes, ose mos të ju ikë ndonjë votues atyre. Pra duke u treguar një çik deklarativisht, më konstruktiv, synimi është që ta përmirësiojnë rezultatin elektoral. Nuk ka të bëjë asgjë, për bindjen time, me qasjen bashkëpunuese apo dashamirëse për qeverinë tonë e cila është më e mira në Kosovën e pas luftës”, shti tutje Kurti.

Por, çka në realitet janë “vijat e kuqe” dhe a ka të bëj kjo me ndonjë stratgji politike, për “Bota sot” folën analistët politik.

Qarri: Deklarimet e partive opozitare, për gjoja heqjen e vijave të kuqe, janë vetëm kamuflazh për tu qitur hi-syve qytetarëve

Si fillim, analisti Gani Qarri në prononcimin e tij në “Bota sot”, tha se Kurti vetem se tregoi se pse duhet të ketë dalje masive në zgjedhjet parlamentare.

Në këtë pikë, ai përmendi disa nga pasojat e bllokadës disa mujore.

Image
Gani Qarri

“Përgjigjen më të qartë se pse kryeministri në detyrë z. Albin Kurti insiston për pjesëmarrje masive të qytetarëve në zgjedhje dhe pse është aq e rëndësishme, jo vetëm për te, por edhe për qytetarët dhe vet shtetin e Kosovës që të arrijë në këto zgjedhje, një fitore triumfale, e ka dhënë bllokada mbi 9 mujore me ngërçin e paprecedent që partitë opozitare i shkaktuan gati për një vit vendit dhe lanë Kosovën pa Qeveri e institucione legjitime shtetërore, pa buxhet të votuar dhe pa miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke përkeqësuar jetesën e qytetarëve, rrezikuan funksionalitetin e shtetit dhe me vetëdije quan në humbjen e mbi 200 milion eurove të ndara nga BE dhe Banka botërore, për Kosovën, të cilat tani sipas rregullave do ti marrin Serbia dhe shtetet tjera hegjemoniste fqinje, për shkak të mosvotimit të opozitës, bllokimit të formimit të institucioneve nga ana e saj dhe detyrimin e Kosovës, që brenda më pak se një viti të shkojë 4 herë në zgjedhje”, shtjelloi ai.

E për këtë, Qarri tha se Kurti përmendi “heqjen” e vijave të kuqe, derisa vlerëson se partitë ish-opozitare këtë e bënë vetëm sa për të mashtruar qytetarët.

“Prandaj Kryeministri Albin Kurti kur ka folur lidhur me deklaratat për kinse “heqjen” e vijave të kuqe nga PDK-LDK-AAK, sqaroi se partitë në fjalë “edhe kur thonë se nuk kemi më, vija të kuqe, këtë e bëjnë sa për ta la gojën dhe mashtruar qytetarët, që mos tu ikin votuesit për shkak të avarisë që me serialin e ngërçeve e bllokadave episodike për mese 1 vit, i kanë shkaktuar shtetit të Kosovës.

Ndryshe është shumë e habitshme pikëpjekja-jo e rastësishme as krejt koincidenciale opozitë & e ashtuquajtura "listë serbe", derisa kjo e fundit ankohej pse dolën numër aq i madh i shqiptarëve në raundin e dytë të votimeve komunale në Mitrovicë, dhe zgjedhjet i fitoi Faton Peci, opozitën përpos ankesave për fitoren e Pecit në Mitrovicë, tani e ka kapë siklet edhe më i fort, se pse z. Albin Kurti po kërkon "pjesëmarrjen masive" në zgjedhje të qytetarëve në vend dhe mërgatës në diasporë, pasi që siç kishim rastin ta shihnim, opozita bëri gjithçka që të pengohet me çdo kusht pjesëmarrja e diasporës në votime duke angazhuar edhe Gjykatat kundër të drejtës së pjesëmarrjes së mërgatës në zgjedhjet e 28 dhjetorit, prandaj dhe është kaq e rëndësishme për Albin Kurtin, qytetarët e mbarë vendit dhe vet shtetin e Kosovës, që kësaj radhe, ai të shënoi triumf e jo vetëm fitore "më të madhe", dhe të jetë vetëm i pari në zgjedhje”, shtjelloi analisti.

Tutje, ai vlerëson se të gjitha partië po zbatojnë vijat e tyre të kuqe ndaj Vetëvendosjes, me qëllimin e vetëm që të vijnë vetë në pushtet.

Mirëpo, ai vlerëson se për këtë shkak është e nevojshme një fitore masive e LVV-së me 28 dhjetor.

“Duke qenë se deklarimet e partive opozitare, për gjoja heqjen e vijave të kuqe, pas mbi 9 muajsh ngërçe e bllokada të vazhdueshme, janë vetëm kamuflazh për tu qitur hi-syve qytetarëve dhe kalkulime të shpifura politike, të cilat vetëm deri disa javë më parë, të gjitha mbanin e zbatonin vijat e tyre të stërkuqura dhe refuzonin kategorikisht të bashkëpunonin me LVV-në edhe për interesat e qytetarëve dhe interesat madhore të shtetit, droja se në çfarë ujërash të pasigurta, mund të detyrohet serish të zhytet Kosova, dhe në mënyrë që të mos vije më, te përsëritja e insinuatave të përjetuara për gati një vit, është mese e domosdoshme një "fitore triumfale dhe vërtetë e madhe" për krijimin e Qeverisë dhe të një shumicë të fortë parlamentare, të fuqishme për miratimin e ligjeve dhe marrjen e vendimeve jetike në rrafshin e brendshëm dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, ndryshe me një opozitë e cila mendon vetëm për mbrojtjen e pasurive të grumbulluara në forma e mënyra ende të pasqaruara deri në fund ligjërisht, po nuk u nda shapi nga sheqeri edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ata kanë dëshmuar publikisht, se nuk hezitojnë, që për interesa personale e grupore, ta qojnë në falimentim edhe shtetin e Kosovës”.

Ndër të tjera, analisti kërkoi nga votuesit që të marrin parasysh disa gjëra kur të dalin para kutive të votimit.

“Kështu që pas katrahurës së përjetuar mbi 9 mujore, me serialin e lojërave të inskenuara episodike të opozitarëve, që përveçse nuk u mjaftuan me bllokimin e krijimit të Qeverisë dhe institucioneve tjera shtetërore, ata nuk e votuan as buxhetin e shtetit dhe kundërshtuan pa asnjë arsye edhe miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, votuesi i Kosovës, përfundimisht duhet ta reduktojë në maksimum numrin e partive politike në Kosovë, duke votuar vetëm për dy parti, derisa edhe superfuqia botërore si SHBA-të me rreth 345 milion banorë, kultivojnë në mënyrën më të përsosur pluralizmin dhe zhvillojnë demokracinë në mënyrën më shembullore në botë, vetëm me dy parti politike, edhe për Kosovën e vogël me vetëm 1.6 apo 2.6 milion banorë, bashkë me njerëzit e saj në diasporë, pas zhvillimeve skandaloze të nëntë muajve të fundit, do të ishte luks i pamenaxhueshëm, akt i pafalshëm dhe dëm i pariparueshëm, që të vazhdojë të ketë më shumë se dy parti, kur dihet se me dy parti parlamentare, gjithmonë mund të mbante zgjedhje të suksesshme e nxirrte një fitues plebishitar nga votimet për Kuvendin e Kosovës dhe nuk do ngelej vendi, asnjëherë pa Qeveri e institucione legjitime shtetërore, siç po ndodhë jo vetëm aktualisht në vendin tonë, ende me shtet-ndërtim të papërfunduar dhe në pritje për tu anëtarësuar si vend i pavarur me të drejta të plota në OKB”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Aliçkaj: Politika e çoroditur e vijave të kuqe në Kosovë

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i LQSHA-së, Agim Aliçkaj tha se “vijat e kuqe” janë ngatërruar nga partitë politike.

Sipas tij, ka mungesë të vizionit dhe parimeve, e që për këtë i dha të drejt Kurtit kur tha se huk u beson disa deklaratave të liderëve opozitarë.

Image
Agim Aliçkaj

“Vijat e kuqe në Kosovë janë të ngatërruara; ato nuk kanë rregulla të qarta. Ato vihen dhe hiqen sipas qejfit, nevojave momentale dhe interesave partiake. As programet, as ideologjia, as vizioni nuk i kufizojnë—dhe më e keqja, as interesi shtetëror. Politikanët e fyejnë dhe shpifin për njëri-tjetrin, pastaj, sipas nevojës, përqafohen mes vete. Vetëm një gjë është e sigurt: në Kosovë, nuk ka vija të kuqe kundër shkeljes së vijave të kuqe.

Kryeministri Albin Kurti ka të drejtë të mos u besojë disa deklaratave gjysmake të disa liderëve opozitarë se mund të mos kenë vija të kuqe ndaj LVV-së. Është e qartë se humbësit e zgjedhjeve të 9 shkurtit—PDK, LDK, AAK dhe NISMA—janë kapluar nga frika se populli e ka kuptuar përgjegjësinë e tyre për bllokimin e shtetit”, nënvizoi ai.

Krahas kësaj, drejtori ekzekutiv i LQSHA-së kritikoi opozitën jo vetëm për “vijat e kuqe”, por edhe për disa ndryshime të qëndrimeve politike.

Për këtë, ai vlrerëson se bijja e vetme e kuqe që opozita e ka mbajtur ka qenë bllokimi i krijimit të institucioneve të reja.

“Realiteti i hidhur është se opozita jo vetëm që nuk i ka mbajtur vijat e kuqe, por ka dështuar edhe t’i mbajë premtimet e saj në interes të shtetit. Ata u deklaruan kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por e nënshkruan dy herë; u deklaruan kundër ndarjes, por e pranuan ndarjen de fakto të veriut; u deklaruan kundër demarkacionit, por e nënshkruan; u deklaruan kundër Gjykatës Speciale, por e nënshkruan—e kështu me radhë.

Vija e vetme e kuqe që opozita e ka mbajtur me këmbëngulje ka qenë bllokimi i krijimit të institucioneve shtetërore për tetë muaj, duke e detyruar vendin të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kjo është e pafalshme—sidomos refuzimi për të votuar buxhetin e shtetit dhe buxhetet për disa komuna, si dhe disa marrëveshje financiare ndërkombëtare të dobishme për Kosovën”.

Këto qëndrime kundër ndaj Kurtit e LVV-së, Aliçkaj i sheh si një lloj përpjekje të opozitës për të marrë pushtet.

“Kjo kokëfortësi shpjegohet me përpjekjet e tyre për ta marrë pushtetin me forcë, pa votën e popullit, duke e futur shtetin në kaos, duke ndjekur direktivat e ish-ambasadorit amerikan Richard Grenell, me qëllim largimin e kryeministrit Kurti nga politika.

Deklaratat e tyre se Kurti nuk do të bëhet më kurrë kryeministër vijnë drejtpërdrejt nga Grenell dhe Vuçiq. Kjo tregon se për opozitën, mbështetja mashtruese e një diplomati pro-serb është më e rëndësishme se vota e popullit.

Ata nuk e kuptojnë se të gjithë politikanët dhe diplomatët ndërkombëtarë janë të përkohshëm; vetëm populli është i përhershëm. Diplomatët e huaj vijnë e shkojnë, ndërsa populli mbetet përjetë. Kryeministri Kurti e ka kuptuar mirë këtë dhe e ka vendosur fatin e tij politik në duart e popullit të Kosovës”, nënvizoi ai.

Më tej, Aliçkaj tha se populli duhet ta dënojë opozitën, duke votuar me mbi 50 për qind Kurtin në zgjedhjet e reja.

Ai ndëshkimin e opozitës e sheh si të domosdoshëm.

“Populli i mençur dhe heroik i Kosovës e ka në dorë, më 28 dhjetor, t’i japë opozitës dënimin që meriton duke votuar koalicionin e kryeministrit Kurti me më shumë se 50%. Kjo është rruga e vetme në këtë moment për ta normalizuar jetën politike në Kosovë dhe për ta çuar shtetin përpara.

Ndëshkimi i opozitës është i domosdoshëm që ata të vijnë në vete nga konfuzioni që i ka kapluar, të reflektojnë, të ndryshojnë për mirë dhe pastaj të shpresojnë për mbështetjen e popullit në zgjedhjet e ardhshme pas katër vitesh. Për këto zgjedhje, ata janë tepër vonë, të pabesueshëm dhe të pariparueshëm”.

Në fund, ai shtoi se, vetëm sjellja konstruktive dhe gara demokratike mund të garantojnë një të ardhme të sigurtë

“Si votues jopartiak, plotësisht i pavarur, së bashku me mijëra shokë të tjerë, shpresoj që të vijë dita kur, para se të votojmë në zgjedhjet e lira të Kosovës, të kemi vërtet një dilemë se kujt t’ia japim votën.

Vetëm sjellja konstruktive dhe gara demokratike mund të garantojnë një të ardhme të sigurt për shtetin më të ri dhe më të mirë në botë—Kosovën Dardane”, përmbylli Agim Aliçkaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat