Analisti politik Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota Sot”, ka shpjeguar se cilin trend po përdorin partitë politike në Kosovë.
Sipas Mehmetit, kjo praktikë ka dy dimensione kryesore.
“Publikimi i listave zgjedhore ka nxjerrë në pah një fenomen të njohur në politikën tonë: rikthimin e figurave që kanë qenë për vite me radhë joaktive. Ky rikthim mund të lexohet në disa plane. Nga njëra anë, partitë politike shpesh mbështeten te emra të njohur për të ruajtur ose mobilizuar elektoratin tradicional, duke llogaritur në kapitalin e tyre politik dhe njohjen publike. Në këtë kuptim, po, ekziston edhe dimensioni i mbledhjes së votave”, ka thënë ai.
Ai e sheh këtë si një sinjal dyfishtë: përpjekje për sigurimin e votave në afat të shkurtër dhe shenjë e krizës së ideve të reja.
“Por nga ana tjetër, kjo prirje flet edhe për një problem më të thellë brenda partive: mungesen e kuadrove të reja dhe deshtimin për të ndërtuar vazhdimësi politike. Kur rikthehen vazhdimisht të njëjtat figura, kjo tregon se proceset e brendshme të reformimit dhe të promovimit të brezit të ri nuk kanë funksionuar siç duhet.Ne fund, rikthimi i figurave joaktive është një sinjal i dyfishtë: perpjekje për siguri elektorale në afat të shkurtër, por edhe shenjë e krizës së ideve të reja dhe të besimit te energjitë e reja. Sfida reale për partitë mbetet jo vetëm fitimi i zgjedhjeve, por ndërtimi i një oferte politike që kombinon përvojën me vizionin dhe energjinë e brezit të ri”, ka deklaruar Mehmeti.