Veprimi i Listës Serbe ka prapavijë politike, ekspertët me paralajmërim të fortë: Hapësirat publike nuk janë për…!

Politika

Veprimi i Listës Serbe ka prapavijë politike, ekspertët me paralajmërim të fortë: Hapësirat publike nuk janë për…!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 18 dhjetor 2025 Në ora: 10:02
Foto ilustrim

Veriu i Mitrovicës vazhdon të mbetet një zonë e brishtë, ku situata politike dhe e sigurisë kërkon kujdes të shtuar institucional.

Policia e Kosovës ka ndërhyrë pasditen e së martës në një palestër sportive në Mitrovicë, për të ndaluar zyrtarë komunalë që po tentonin të largonin karriget ekzistuese me ngjyra që simbolizojnë qytetin e Mitrovicës dhe t’i zëvendësonin ato me karrige në ngjyrat e flamurit të Serbisë.

Lista Serbe, parti e cila që nga marrja e komunave në veri të Mitrovicës pas zgjedhjeve lokale, ka ndërmarrë një sërë veprimesh që janë interpretuar nga institucionet e Kosovës si përpjekje për ta shndërruar hapësirën publike në simbolikë politike dhe shtetërore të Serbisë.

Racaj: Ndërhyrja e Policisë - sundimit të ligjit, mbrojtjes së rendit kushtetues dhe parandalimit të instrumentalizimit politik të hapësirave publike

Ish-gjenerali, Muhamet Racaj, në një përgjigje për “Bota sot”, vlerëson se ndërhyrja e Policisë së Kosovës në palestrën sportive në Mitrovicën e Veriut ishte veprim i domosdoshëm ligjor dhe kushtetues.

Sipas tij, ndryshimi i simboleve në hapësira publike pa autorizim përbën shkelje të rendit kushtetues dhe cenon neutralitetin e institucioneve publike.

Racaj thekson se veprimet e zyrtarëve komunal të lidhur me Listën Serbe kanë prapavijë politike, pasi synojnë vendosjen e simboleve të Serbisë si formë e shtrirjes simbolike të sovranitetit të një shteti tjetër në territorin e Kosovës.

Ai shton se mosreagimi i institucioneve do të krijonte precedent të rrezikshëm, ndaj reagimi i Policisë duhet parë si masë për ruajtjen e rendit, sigurisë dhe autoritetit shtetëror.

“Ndërhyrja e Policisë së Kosovës në palestrën sportive në Mitrovicën e Veriut duhet parë dhe vlerësuar përmes tri prizmeve kryesore: sundimit të ligjit, mbrojtjes së rendit kushtetues dhe parandalimit të instrumentalizimit politik të hapësirave publike.

Së pari, hapësirat publike, veçanërisht ato sportive dhe kulturore, janë pjesë integrale e rendit juridik dhe administrativ të Republikës së Kosovës. Çdo veprim që synon ndryshimin e simboleve vizuale, me karakter politik apo shtetëror, pa autorizim institucional dhe jashtë kornizës ligjore, përbën shkelje të parimit të neutralitetit të hapësirës publike dhe cenon rendin kushtetues. Në këtë kontekst, ndërhyrja e Policisë së Kosovës nuk përbën akt represiv, por një veprim ligjor për ruajtjen e rendit dhe ligjshmërisë.

Së dyti, veprimi i zyrtarëve komunalë të lidhur me Listën Serbe mban një prapavijë të qartë politike dhe simbolike. Zëvendësimi i elementeve që përfaqësojnë identitetin urban të Mitrovicës me simbole që lidhen drejtpërdrejt me shtetin e Serbisë nuk është një çështje estetike apo teknike, por një tentativë për shtrirje simbolike të sovranitetit të një shteti tjetër në territorin e Kosovës. Këto veprime janë tipike për strategjitë hibride të ndikimit politik, ku simbolet përdoren për të sfiduar autoritetin shtetëror pa përdorur mjete të drejtpërdrejta të dhunës.

Së treti, nga këndvështrimi i sigurisë dhe stabilitetit institucional, mosreagimi i organeve të rendit ndaj veprimeve të tilla do të krijonte precedent të rrezikshëm, duke inkurajuar akte të ngjashme që gradualisht minojnë sovranitetin dhe funksionalitetin e shtetit. Prandaj, reagimi i Policisë së Kosovës duhet të interpretohet si pjesë e detyrimit kushtetues për mbrojtjen e rendit publik, integritetit territorial dhe autoritetit shtetëror në çdo pjesë të vendit”, deklaron ai.

Image
Ish-gjenerali, Muhamet Racaj

Në përfundim, ish-gjenerali Muhamet Racaj thekson se veprimi kishte prapavijë të qartë politike dhe përbënte rrezik për rendin kushtetues dhe sovranitetin e Kosovës.

Sipas tij, ndërhyrja e institucioneve ishte e domosdoshme dhe në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës, ndërsa ruajtja e neutralitetit të hapësirave publike mbetet thelbësore për stabilitetin dhe bashkëjetesën demokratike në vend.

“Në përfundim, po, ky veprim ka prapavijë politike dhe po, ai potencialisht cenon rendin kushtetues dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Ndërhyrja institucionale ishte e domosdoshme, proporcionale dhe në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës. Ruajtja e neutralitetit të hapësirave publike dhe respektimi i rendit kushtetues janë parakushte themelore për stabilitet afatgjatë dhe bashkëjetesë demokratike në Kosovë”, potencon ai.

Gecaj: Po, pa asnjë dilemë prapavija është politike

Njohësi i sigurisë Hysen Gecaj vlerëson se veprimi i zyrtarëve të Listës Serbe në Mitrovicën e Veriut ka kuptim të qartë politik dhe simbolik.

Ai thekson se zëvendësimi i karrigeve që përfaqësojnë qytetin me simbole të Serbisë nuk ka asnjë funksion sportiv, por synon të shtrijë sovranitetin serb në hapësira publike të Kosovës.

Gecaj shton se Lista Serbe vepron si instrument politik i Beogradit, duke përdorur simbolikën për të sfiduar autoritetin e Kosovës, normalizuar praninë e simboleve shtetërore serbe dhe krijuar perceptimin e “territorit të veçantë”.

Ai thekson se përdorimi i hapësirave sportive për këtë qëllim është strategji propagandistike, pasi ato janë publike, frekuentohen nga të rinjtë dhe kanë ndikim afatgjatë, duke cenuar kushtetutshmërinë e institucioneve të Kosovës.

“Ky veprim nuk është as i rastësishëm dhe as estetik; ai ka kuptim të qartë politik dhe simbolik, sidomos duke ndodhur në Mitrovicën e Veriut – hapësirë e ndjeshme për sovranitetin e Kosovës.

Po, pa asnjë dilemë prapavija është politike.

Zëvendësimi i karrigeve që simbolizojnë qytetin e Mitrovicës me karrige që formojnë flamurin e Serbisë:

nuk ka asnjë funksion sportiv, nuk është vendim teknik, por është akt simbolik i shtrirjes së sovranitetit serb në një hapësirë publike të Kosovës.

Lista Serbe vepron vazhdimisht si instrument politik i Beogradit, dhe përdor simbolikën për të:

-sfiduar autoritetin e shtetit të Kosovës,

-normalizuar praninë e simboleve shtetërore të Serbisë,

-krijuar perceptimin e “territorit të veçantë”.

Ky veprim i listës serbe këtë “regji” e inskenon në sportive sepse:

-është hapësirë publike, jo private, frekuentohet nga të rinj dhe aktivitete masive,

-shërben si mjet propagande afatgjatë, jo si akt i izoluar.

Sporti shpesh përdoret si kanal i butë politik për të futur simbole, flamuj dhe narrativa shtetërore.

Ka synim cenimin kushtetues.

Sipas Kushtetutës së Kosovës:

-simbolet shtetërore të një shteti tjetër nuk mund të imponohen në institucione publike të Kosovës,

-veçanërisht kur kjo bëhet nga zyrtarë publikë dhe jo nga qytetarë privatë”, thekson ai.

Image
Hysen Gecaj

Gecaj thekson se veprimi i Listës Serbe cenon neutralitetin institucional, minon rendin kushtetues dhe shkel sovranitetin territorial të Kosovës.

Ai vlerëson se ndërhyrja e Policisë ishte e drejtë, ligjore dhe e domosdoshme, pasi synonte ndalimin e një akti politik ilegal dhe dërgon mesazh se institucionet publike nuk mund të përdoren për simbole të huaja shtetërore. Mosveprimi do të krijonte precedent të rrezikshëm dhe do të dobësonte autoritetin shtetëror.

“Ky veprim: cenon neutralitetin institucional, minon rendin kushtetues, dhe bie ndesh me parimin e sovranitetit territorial

Ndërhyrja e Policisë ishte e drejtë.

Ndërhyrja e Policisë së Kosovës: nuk ishte provokim, por zbatim i ligjit, synonte të ndalonte një akt politik ilegal, jo një aktivitet sportiv, dërgon mesazhin se institucionet publike nuk janë hapësirë për simbole të huaja shtetërore.

Mosndërhyrja do të nënkuptonte: tolerim të shkeljes së rendit kushtetues, precedent të rrezikshëm për simbole të tjera politike, dobësim të autoritetit shtetëror.

Ky rast ka prapavijë të qartë politike, është pjesë e strategjisë së vazhdueshme të Listës Serbe për ta sfiduar shtetin e Kosovës, cenon rendin kushtetues dhe sovranitetin, dhe ndërhyrja e Policisë së Kosovës ishte legjitime, e nevojshme dhe ligjore” – përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat