Psikologja klinike, Gjevukaj Tolaj flet për iniciativën për shëndetin mendor

Politika

Psikologja klinike, Gjevukaj Tolaj flet për iniciativën për shëndetin mendor

Nga: A.M. Më: 20 dhjetor 2025 Në ora: 20:44
Psikologja klinike, Kosovare Gjevukaj Tolaj

Në një kohë kur shëndeti mendor po merr gjithnjë e më shumë vëmendje, nevoja për mbështetje psikologjike profesionale dhe e qasshme është bërë thelbësore. Ankthi, stresi, lodhja mendore dhe ndjenja e vetmisë janë përjetime të përditshme për shumë njerëz, por shpesh mbeten të pashprehura.

Psikologja klinike, Kosovare Gjevukaj Tolaj ka bërë të ditur së fundmi fillimin e platformës Kosovare AI – Psychology & Mental Health, një inisiativë digjitale inovative e cila ofron mbështetje psikologjike 24/7 për përdoruesit në një hapësirë të sigurt dhe të konfidenciale.

“Kjo platformë përfaqëson një risi të veçantë, pasi është platforma e parë në botë e këtij lloji e ndërtuar në gjuhën shqipe, duke iu përgjigjur një nevoje të kahmotshme për shërbime psikologjike në gjuhën amtare. Përveç shqipes, Kosovare AI është e disponueshme edhe në gjuhën angleze dhe gjermane, duke e bërë mbështetjen psikologjike të qasshme edhe për komunitetet shqiptare dhe përdoruesit ndërkombëtarë”, ka shpjeguar Gjevukaj Tolaj.

Gjevukaj Tolaj thekson se Kosovare AI nuk synon të zëvendësojë terapinë tradicionale ballë për ballë, por shërben si një pikë e parë kontakti për ata që nuk kanë qasje të menjëhershme në shërbime profesionale ose që hezitojnë të kërkojnë ndihmë për shkak të stigmatizimit.

“Në një shoqëri ku shëndeti mendor ende trajtohet me hezitim, iniciativa si Kosovare AI kontribuojnë në normalizimin e kujdesit psikologjik dhe inkurajojnë individët të flasin hapur për ndjenjat e tyre. Duke kombinuar ekspertizën e psikologjisë klinike me teknologjinë digjitale, platforma synon të ofrojë mbështetje të vazhdueshme dhe të besueshme për mirëqenien mendore. Kosovare AI – sepse të folurit për ndjenjat është hapi i parë drejt shërimit”, përfundoi Gjevukaj Tolaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat