Amerika ‘godet’ fort në Ballkan: Stabilitet për Kosovën, fund skenarëve të fshehtë për copëtim

Politika

Amerika ‘godet’ fort në Ballkan: Stabilitet për Kosovën, fund skenarëve të fshehtë për copëtim

Arife Morina-Mulaku Nga Arife Morina-Mulaku Më 21 dhjetor 2025 Në ora: 12:01
Presidenti i SHBA-së Donald Trump duke nënshkruar dokumentin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) për vitin fiskal 2026, një paketë buxhetore rekord prej 901 miliardë dollarësh. Ky ligj, përveç çështjeve të sigurisë globale, përfshin edhe dispozita specifike që lidhen me Ballkanin Perëndimor, veçanërisht me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në seksionin 8340, nënkapitulli C me titull “Demokracia dhe Prosperiteti në Ballkanin Perëndimor”, Kongresi amerikan artikulon qartë qëndrimin zyrtar të SHBA-ve lidhur me procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi. Ligji vlerëson Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, të arritur më 27 shkurt 2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si një hap pozitiv dhe të rëndësishëm për avancimin e dialogut ndërmjet dy vendeve.

Dokumenti ligjor thekson nevojën për zbatimin e menjëhershëm dhe të plotë të Aneksit të Marrëveshjes, duke nënvizuar se përparimi konkret në këtë drejtim mund të shërbejë si bazë për iniciativa të reja amerikane në forcimin e marrëdhënieve bilaterale. Këto iniciativa përfshijnë zhvillimin e dialogëve strategjikë, si dhe nxitjen e investimeve, bashkëpunimit ekonomik dhe stabilitetit afatgjatë në Kosovë dhe Serbi.

Ligji riafirmon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të bazuar në njohjen reciproke, duke përjashtuar qartë çdo opsion që synon shkëmbime territoriale, ndarje apo rishikim të kufijve mbi baza etnike si zgjidhje për mosmarrëveshjet rajonale.

Në tërësi, ky ligj reflekton orientimin strategjik të Uashingtonit drejt ruajtjes së stabilitetit, paqes dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor, duke e pozicionuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në qendër të përpjekjeve për siguri dhe zhvillim rajonal.

E ky ligj i ri i Trump, mirëpritet për Kosovën dhe shihet shumë sinjal i mirë, ndalimi për shkëmbim të territoreve, ndarje apo rishikim të kufijve.

Për këtë çështje, folën njohësit e çështjeve politike, për “Bota sot”.

Preqi: Nënshkrimi i fundit i Trump, ka një rëndësi të madhe për Kosovën

Si fillim, për këtë temë, për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi, i cili theksoi se, rëndësinë që ka mbështetja e SHBA për Kosovën.

Image
Dedë Preqi

Sipas tij, vendimi i fundit, ka një strategji të fuqishme strategjike dhe jep garancë të madhe për shtetin tonë.

“SHBA-të, për Kosovën, kanë një koncept të veçantë dhe historik, ndoshta dhe specifik për këtë vend, që në kohën e presidentit Vodrov Vilson, i cili ishte mbrojtësi më i njohur i kombëve të vogla, që e frenoi edhe copëtimin Shqipërisë, pasi kjo gjë mund të thuhet jo vetëm, që mbrohen të drejtat njerëzore, por një fuqi përmes së cilës domethënja njerëzore e merr kuptimin e vet.

Nënshkrimi i fundit i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së, do të ishte një ngjarje e madhe historike edhe për Kosovën, sepse i vetmi fakt me një strategji të fuqishme politike e strategjike për këtë vend është mbështetja dhe garancia që marrin mbi vete SHBA-të, për ruajtjen dhe stabilitetin e këtij vendi si shtet sovran dhe demokratik”, deklaroi opinionisti.

Krahas kësaj, tha se mesazhi i Trump ishte shumë i qartë se nuk do ketë ndryshime të kufijve, kësisoj edhe i jep fund ëndrrës së Serbisë për këtë gjë.

“Ky mesazh i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, është një mesazh i qartë dhe i prerë, duke iu referuar edhe Ballkanit Perëndimor, se nuk do të ketë ndryshim të kufijve, në të cilin përfshihet edhe Kosova, duke ia bërë të qartë edhe Serbisë, se një ëndërr e tillë ka marrë fund për jetë e mot.

Prandaj, SHBA-të, janë të përkushtuar dhe e pohojnë qartë rolin e tyre, se në Ballkanin Perëndimor, nuk do të ketë ndarje të kufijve etnik, dhe një ide e tillë ka përfunduar me dilemat e secilit që ushtron këtë ndikim dhe bazohet në këtë ide të hamendësuar, që do ta kthente gjithë situatën ballkanike në një gjendje kaotike”.

Tutje, opinionisti tha se mbështetja e SHBA ka vlerë të frytshme për sigurinë e Kosovës, për këtë vendi ynë duhet të ketë sa më shumë kujdes dhe të përkushtohet sa më shumë për këto raporte.

“Për Kosovën dhe popullatën e këtij vendi, partneriteti me SHBA, ka qenë dhe do të mbetet përherë i tillë me miqësinë dhe përkrahjen e fuqishme të këtij vendi, si një vlerë e frytshme e sigurisë dhe mbrojtjes së këtij vendi, që e ka treguar dhe dëshmuar në çdo rrethanë gatishmërinë e vet humanitare dhe njerëzore.

Dhe Kosova, jo vetëm që e ka mundësinë, por duhet vendosmërisht dhe me përkushtim ta ruaj dhe çmojë si sytë e ballit porosinë dhe këshillën amerikane, sepse nuk ka partneritet më të besueshëm dhe me të fuqishëm, duke ditur se siguria dhe stabiliteti i këtij vendi janë të lidhura me garancinë dhe projektin e SHBA-së, që Kosova, mund të mbijetojë si shtet i pavarur dhe sovran”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, Preqi potencoi se, kushdo që kishte plan dhe skenar për ndarjen e Kosovës, kjo ka marrë fund.

“Ndarja, apo shkëmbimi i territoreve në baza etnike, sikur ka përfunduar njëherë dhe gjithmonë, në veçanti me ligjin e ri amerikan, i cili do të ishte një mesazh i prerë, se në Ballkanin Perëndimor, kanë përfunduar ideologjitë e atyre, që Kosovën e kanë menduar dhe të coptuar në baza etnike.

Kjo do të thotë se, plani dhe skenari i fshehtë i kujna do qoftë, që synon copëtimin e Kosovës, ka marrë fund, dhe këtë garanci e ka marr përsipër fuqia më e madhe botërore e SHBA-së, së secilës i beson Kosova dhe populli i saj.

Është shumë domethënës mesazhi dhe ligji i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Kosovën, ashtu si duhet t’i kuptojmë format e kuptimit njerëzor në kuadër të kuptimit të dukshëm, sikur e kupton njeriu kriterin e zhvillimit dhe përpjekjeve të veta që vullneti i mirë të bëhët realizim i atyre përpjekjeve, të cilat do të përshtaten nevojave dhe peripetive tona shekullore për një jetë të lirë, të sigurtë dhe mirëqenje të begatshme e njerëzore”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

Mehmeti: Me këtë nënshkrim të këtij Ligji të Trumpit shoh se vuloset e ardhmja e ndritur dhe pavarur e Kosovës

Ndërsa, opinionisti tjetër, Gani Mehmeti tha se Donald Trump me nënshkrimin e ligjit të fundit, e vulosi orientimin pro-perëndimor të Rugovës.

Këtë e shtjelloi më gjerësisht më poshtë.

Image
Gani Mehmeti

“Kosova, a është mes lindjes dhe Preëndimit vetëm gjeografikisht?

Duke qenë ndërmjet këtyre dy anëve të horizontit, duhet pasur kujdes jo vetëm ajo (Kosova), por edhe shtetet demokratike perëndimore që të mos e lënë nën ndkimin as orientimin e lindjes. Për këtë dhe pasuritë e saja, bën çmos Serbia që ta ketë të veten sa edhe me miliona euro paguan këdo qoftë, vetëm që punon në atë drejtim, që ta pushtojë sërish.

Mirëpo, Kosova nuk është më në anën e lindjes qysh kur në skenën politike doli kryetari historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova me formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës e me orientim nga SHBA dhe perëndimor. Që atëherë Rugova e orientojë Kosovën andej kah duhet, kah e pret zhvillimi dhe liria, që po i mungonte prej moti, ndërsa nga viti 1912, kur me çlirimin nga Perandoria Osmane ra nën robërinë serbosllave. Nga ky sundim i egër, ku qindra mijëra shqiptarë u ekzekutuan dhe qindra mijëra të tjerë u detyruan të lënë vatrat e tyre më të dashura për të shpëtuar lëkurën, shkuan në Turqi.

Dhe, me sa po duket, këtë orientim pro-perëndimor të Rugovës e vulosi dje, më 18. 12. 2025 kryetari i SHBA, z. Donald Trump me nënshkrimin e tij”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Mehmeti shtjelloi gjerësisht, tri pikat që janë pjesë e këtij ligji e që lidhen me Kosovën.

Sipas tij, garancë më e madhe për Kosovën se të jetë e pavarur është edhe inkuadruimi në NATO.

“Donald Trump nënshkroi Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, në të cilin është përfshirë edhe Kosova. Në këtë ligj SHBA-të do të angazhohen që të mos ketë ndryshim të kufijve në Ballkanin Perëndimor, që të ketë njohje reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë, që Kosova të integrohet në NATO.

Mbrojtja e Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është siguria më e madhe që mund të ekzistojë. Dhe se, kjo mbrojtje nuk do të varet asnjëherë se kush është kryeministër a kryetar i Kosovës, është Ligj.

Angazhimi i SHBA për mosndryshimin e kufijve në Ballkan, do të thotë edhe për sovranitetin territorial të Kosovës, se nuk do të ndryshojnë kufijtw e saj, për çka po përpiqej Vuçiq.

Njiohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë lë të kuptohet se Serbia duhet ta njohë Pavarësinë e Kosovës dhe më të mos e kthejë kryet prej saj, nga që garancë për këtë do të jenë vazhdimisht SHBA-të.

Garancë më e madhe për Kosovën se do të jetë e pavarur është edhe inkuadruimi në NATO, ku të gjitha shtetet e këtij blloku do të mbrohen nga NATO. Dhe, pikërisht pse kjo është kështu, Serbia mund të ketë mospajtimet e saja, që më në fund do t’i duhet të pajtojë”, theksoi ai.

Në fund, opinionisti potencoi se, ky ligj jep sinjale pozitive për të ardhmen e Kosovës, pasi vetëm SHBA ka vendime serioze dhe të rëndësishme, për dallim nga BE, që në vazhdimësi.

“Me këtë nënshkrim të këtij Ligji të Trumpit shoh se vuloset e ardhmja e ndritur dhe pavarur e Kosovës.

Pas shpalljes së Pavarësisë është ndër lajmet më të pritura e më të mira për Kosovën, sepse, Europa dihet kush e çka është për shqiptarët. Sikur ta kishin me seriozitet dhe sikur Europa të ishte e Bashkuar ashtu siç quhet, do të kryhej moti çështje e dialogut mes Kosovës e Serbisë. Europa është ajo që i vuri edhe masat Kosovës për dy vite e gjysmë, duke bërë presion mbi qeverinë që të bëhet përulëse ndaj Serbisë dhe kërkesave të saja. Masat, po të ishte envoja, do duhej vënë Serbisë, e cila me asgjë nuk është europiane, e cila plagosi mbi 90 ushtarë të KFOR-it, nuk i vuri sanksione Rusisë, nuk zbatoi Marrëveshjen e Brukselit e as aneksin e Ohrit.

Pa ndërhyrjen e SHBA, Kosova nuk do të ishte kjo që është. Zoti e bekoftë Amerikën, Zoti e bekoftë popullin shqiptar!” – përfundoi Gani Mehmeti për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat