Ish-ambasadori analizon njohjet e fundit të Kosovës

Politika

Ish-ambasadori analizon njohjet e fundit të Kosovës

Nga: A.SH Më: 22 dhjetor 2025 Në ora: 15:41
Foto nga takimi

Bahamas ka njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur, duke u bërë njohja e 121-të, një hap i rëndësishëm për forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit.

Presidnetja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë e ka cilësuar si vendim historik për vendin tonë.

Ish-amanbasadori, Sylë Ukshini, vlerëson njohjet e fundit të Kosovës si pozitive, por thekson se ato nuk duhet të personalizohen apo të atribuohen vetëm Presidencës.

Ai kritikon mungesën e koordinimit institucional mes Presidencës dhe Qeverisë, rolin polarizues të Presidentes Osmani dhe faktin se disa njohje janë ndikuar nga aktorë të jashtëm ose diplomatë të mëparshëm.

Ukshini ngre shqetësime edhe për mungesën e transparencës, paqartësinë e disa njohjeve dhe problemet në menaxhimin e diplomacisë, përfshirë emërime selektive dhe klienteliste.

“Njohjet e fundit të Kosovës, përfshirë atë nga Bahamet, janë pa dyshim zhvillime pozitive për subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit dhe duhen përshëndetur si të tilla. Megjithatë, në analizë më të ftohtë institucionale, këto njohje nuk duhen parë as të izoluara dhe as të personalizuara.

Së pari, vlen të theksohet se një pjesë e këtyre njohjeve erdhën në një periudhë kur Kosova funksiononte pa qeveri të zgjedhur (kemi qeveri në detyrë), gjë që hap dy dilema politike: ose presidenca nuk e kishte prioritet çështjen e njohjeve më herët, ose ka pasur moskoordinim të mjaftueshëm apo mospërputhje politike me Qeverinë Kurti. Në të dy rastet, kjo tregon se diplomacia e Kosovës ka pasur nevoja për koordinim institucional dhe shmangie nga rivalitetet e personale politike.

Së dyti, vërehet një tendencë e Presidentes Osmani për ta paraqitur veten si aktore të diferencuar nga Qeveria e Kosovës, çka në praktikë ka prodhuar më shumë polarizim sesa unitet. Duhet rikujtuar se Osmani ndodhet në atë pozitë si rezultat i një marrëveshjeje politike dhe mbështetjeje të drejtpërdrejtë të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes; pa këtë mbështetje ajo nuk do të ishte presidente. Për pasojë, sjellja e saj shpesh është perceptuar më shumë si presidente e një subjekti politik sesa si figurë mbipartiake dhe unifikuese e shtetit. Në këtë aspekt, ajo ka dështuar të ndërtojë profilin e një presidenteje konsensuale.

Së treti, roli i aktorëve të jashtëm nuk duhet anashkaluar. Në rastet e Sudanit dhe Sirisë, ndikimi i Turqisë dhe konkretisht i presidentit Recep Tayyip Erdoğan ka qenë vendimtar, ndërsa njohja nga Kenia lidhet drejtpërdrejt me angazhimin personal dhe diplomatik të ish-ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli. Pra, këto zhvillime nuk mund të atribuohen ekskluzivisht presidencës aktuale.

Po ashtu, duhet theksuar se për njohjen nga Sudani ende nuk është bërë publike nota formale e njohjes, ndërkohë që zhvillimet e brendshme politike atje krijojnë dilema reale për qëndrueshmërinë e këtij akti. Këto paqartësi duhet të adresohen me transparencë nga Presidenca dhe institucionet përkatëse.

Së katërti, në fushën e politikës së jashtme dhe brenda kompetencave kushtetuese të Presidentes, mbetet ende shumë për t’u bërë. Kosova vazhdon të ketë konsuj të përgjithshëm të paemëruar dhe ambasadorë me mandate të tejkaluara, çka dëshmon mungesë të menaxhimit të qëndrueshëm institucional. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka vepruar shpesh në mënyrë selektive, ndërsa proceset e përzgjedhjes kanë reflektuar raste të qarta klientelizmi, veçanërisht në emërimet e konsujve të përgjithshëm dhe të disa ambasadorëve. Kjo praktikë duhet të braktiset, dhe ambasadorët e kuotës politike duhet të jenë personalitete me integritet dhe reputacion profesional, e jo thjesht figura të preferuara të një politikani apo subjekti politik”, shprehet ai.

Si përfundim, Ukshini thekson se njohjet ndërkombëtare janë fryt i një pune afatgjate diplomatike dhe nuk duhet të personalizohen apo të shfrytëzohen për përfitime politike. Ato duhet t’i shërbejnë forcimit të pozitës shtetërore të Kosovës.

“Në fund, njohjet ndërkombëtare janë rezultat i investimeve afatgjata diplomatike, lobimeve të vazhdueshme dhe punës së shumë diplomatëve dhe zyrtarëve ndër vite. Ato nuk duhet të personalizohen dhe as të përdoren për kapital politik individual. E rëndësishme është që çdo njohje e re ta forcojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës si shtet, jo imazhin personal të aktorëve politikë të radhës.

Sa i përket një mandati të dytë presidencial për znj. Osmani, kjo mbetet çështje politike që duhet vlerësuar jo vetëm mbi bazën e njohjeve, por mbi aftësinë e saj për të qenë presidente unifikuese, mbipartiake dhe përfaqësuese e interesit shtetëror në tërësi – kritere këto ku deri tani ka pasur mangësi të dukshme”, përfudnon ai.

Kujtojmë, se njohja nga Bahama është e katërta përgjatë këtij viti për Kosovën. Shtetin e Kosovës gjatë 2025 e njohën dy shtete afrikane, Kenia në muajin mars, Sudani disa ditë më vonë në muajin prill, si dhe Siria nga Lindja e Mesme dy muaj më parë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat