“Le t’i gëzohemi arritjeve pa komplekse” – Kosova merr njohjen e 121-të

Politika

“Le t’i gëzohemi arritjeve pa komplekse” – Kosova merr njohjen e 121-të

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 dhjetor 2025 Në ora: 17:52
Ceremonia e njohjes nga Bahamas

Bahamas ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, duke u bërë kështu shteti i 121-të që konfirmon pavarësinë e Kosovës.

Ky zhvillim është vlerësuar si një arritje e rëndësishme në planin diplomatik dhe një hap i ri përpara në forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit.

Lajmi është bërë i ditur nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e ka cilësuar njohjen nga Bahamas si një vendim historik dhe një sukses të radhës për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Edhe një vendim historik për vendin tonë. Bahamas bëhet shteti i 121-të që njeh Kosovën si shtet të pavarur e sovran. Urime të gjithë qytetarëve të Republikës sonë!”, thuhet mes tjerash në deklaratën e Osmanit.

Njohja nga Bahama është e katërta përgjatë këtij viti për Kosovën. Shtetin e Kosovës gjatë 2025 e njohën dy shtete afrikane, Kenia në muajin mars, Sudani disa ditë më vonë në muajin prill, si dhe Siria nga Lindja e Mesme dy muaj më parë.

Arifi: Vlerësoj pozitive njohjen nga Bahamas

Ish-ambasadori, Avni Arifi pavarësisht vlerësimit pozitiv dhe urimit për njohjen nga Bahamas, shprehet kritik duke thënë se në pesë vite vetëm katër njohje, prej të cilave një nga Pacolli, nuk janë rezultat për t’u lavdëruar.

Image
Avni Arifi

Sipas tij, janë humbur shumë mundësi për më tepër njohje për shkak të mungesës së persistencës dhe lobimit sistematik.

“Pavarësisht vlerësimit pozitiv dhe përgëzimit kur është në pyetje Bahama, mund të them se në 5 vite katër njohje, nga të cilat njëra vjen nga Pacolli, nuk është rezultat për t’u lavdëruar askush.

Janë humbur shumë shansa që të kemi edhe më shumë njohje, por fatkeqësisht ka munguar persistenca dhe lobimi sistematik. Që të tri njohjet janë ad-hoc dhe nuk janë pjesë fushate. Këto defekte uroj të kalojnë.”, thotë ai për gazetën.

Nela: E le t’i gëzohemi arritjeve të Kosovës sot pa asnjë lloj kompleksi!

Në lidhje mekëtë publicisti, Milaim Nela thekson se viti 2025 shënoi suksese të mëdha për Kosovën: katër njohje të reja ndërkombëtare, lehtësim të sanksioneve nga BE-ja dhe përfshirje në Ligjin Amerikan të Mbrojtjes me perspektivë për NATO.

Sipas tij, këto janë arritje të padiskutueshme të diplomacisë së Kosovës, veçanërisht të Presidentes Vjosa Osmani, dhe një arsye krenarie për të gjithë shqiptarët.

Image
Milaim Nela

“Katër njohje të reja të shtetit të Kosovës brenda vitit 2025.

Heqje e një pjese të sanksioneve nga Bashkimi Europian edhe ashtu krejt të padrejta ndaj Kosovës!

Dekreti i Presidentit Amerikan Donald Trump për përfshirjen e Kosovës në Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare me përspektiven për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Këto janë arritje të padiskutueshme të udhëheqjes së Kosovës, arritje me të cilat duhet të krenohen jo vetëm shqiptarët e Kosovës por të gjithë shqiptarët kudo ku ndodhen.

Kjo është një arritje e jashtëzakonshme e diplomacisë së Kosovës e në veçanti e Presidentes Vjosa Osmani.

Katër njohje të Kosovës në një vit nuk kishin ndodhur prej gati 15 vitesh”, thotë ai.

Më tej, ai thotë se Kosova u përball padrejtësisht me presione nga BE-ja, ish-zyrtarë amerikanë dhe opozita vendore, të ndihmuar edhe nga qëndrime kundërshtuese të Tiranës zyrtare.

Ai vlerëson punën e Presidentes Vjosa Osmani dhe këmbënguljen e Kryeministrit Albin Kurti për mbrojtjen e integritetit territorial, duke theksuar se këto arritje do të vlerësohen nga koha.

Sipas tij, fokusi kryesor duhet të jetë heqja e plotë e sanksioneve dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO si garanci e sovranitetit.

“Kosova ka qenë padrejtësisht e vendosur nën një presion të padrejtë nga Bashkimi Europian, nga ish zyrtarë amerikanë të shëndërruar në ndërmjetës marrëveshjesh biznesi por duke vepruar haptas edhe si lobues të Presidentit Serb Aleksandar Vuçiç.

Sikur të mos mjaftonin këto, ndaj kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani u bë një presion i paparë nga opozita politike e Kosovës të cilës ambicja për tu rikthyer në pushtet me çdo kusht ju a errësoi vetëdijen politike dhe mbase edhe padashje rrezikuan seriozisht ekzistencën e shtetit të Kosovës.

Diskursi i palogjikë i partive opozitare të Kosovës u ndihmua fuqishëm edhe nga qëndrimet e Tiranës Zyrtare e cila asnjëherë nuk e ka fshehur qëndrimin kundërshtues e here here edhe më të ashper se vete Beogradi Zyrtar ndaj Kosovës Zyrtare.

Të mos harrojmë qëndrimet e tyre në raport me veriun e Kosovës, Asociacionin, vajtje ardhjet në Hagë e deri te protestat folklorike në Tiranë kundër asaj Gjykate të cilën unë nuk e kam mbështetur kurrë por për rastësi të çuditshme forca politike që sot udhëheq Kosovën e kishte kundërshtuar me votë kunder në Kuvendin e Kosovës.

Paturpësisht Edi Rama, bashkautor i Ballkanit të Hapur dhe një nga protagonistët e projektit të ndarjes se Kosovës do të futej si klloun edhe në konferencën për gazetarë të Presidentes Vjosa Osmani për të marrë merita dhe lavdi të pamerituar për heqjen e sanksioneve.

Këto merita te vjedhura nuk hezitoi të ja japë edhe Enver Hoxhaj ish ministër i jashtëm i Kosovës!

E pabesueshme.

Por ta lëmë këtë mënjanë.

Mua si shqiptar pavarësisht bindjeve të mia politike e ideologjike çdo sukses i Kosovës i arritur nga çdo faktor i spektrit politik më gëzon tej mase ashtu siç më hidhëron dhe me dhemb çdo dhimbje apo dështim i saj.

E le t’i gëzohemi arritjeve të Kosovës sot pa asnjë lloj kompleksi!

Falenderimet në krye të herës shkojnë për presidenten e cila ka punuar papushim e pa u lodhur për vendin që ajo e udhëheq.

Po ashtu vlerësoj edhe këmbënguljen e Kryeministrit Albin Kurti për të mos lëshuar pe ndaj diplomacise bullizuese në integrietin politik e territorial të veriut të Kosovês.

Këto arritje të vogla në dukje do ti vlerësojë koha dhe unë personalisht besoj se do jenë faqe të arta të historisë së Kosovës.

Ekonomia ulet e ngrihet por territori nëse e lëshon, nuk kthehet më.

Në vitin e ri që po na troket e gjithë energjia e çdo partie që do jetë fituese ose e jo e zgjedhjeve të 28 Dhjetorit duhet të përqëndrohet në konsolidimin e shtetit të Kosovës, heqjen e plotë të sanksioneve idiote të BE-se por fokusi kryesor duhet te jetë anëtaresimi i Kosovës në NATO si garancia supreme e integritetit territorial dhe sovranitetit te Kosovës.

Le te shfrytëzohet në mënyrë të mençur dekreti i Presidentit Trump dekret i cili merr një peshë shumë të madhe në këto kohë krejt të pasigurta për Europën dhe botën në tërësi”, foli Milaim Nela për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat