Sot shënohen 36 vjet nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë, e krijuar në një nga periudhat më të rënda politike dhe shoqërore për vendin.
Në shtator dhe tetor të vitit 1989, një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh shqiptarë u pajtuan për themelimin e një partie politike, në kohën kur Kosova po përballej me represionin më të egër serb e jugosllav. Ky grup formoi Kryesinë e LDK-së, me kryetar Dr. Ibrahim Rugova dhe sekretar Jusuf Buxhovi.
Anëtarë të kryesisë themeluese ishin edhe figura të njohura si Dr. Fehmi Agani, Dr. Bujar Bukoshi, Dr. Ali Aliu, Nekibe Kelmendi, Mehmet Kraja, si dhe shumë shkrimtarë e intelektualë të tjerë të asaj kohe.
Sipas historikut të partisë, gjatë viteve të represionit, LDK-ja organizoi rezistencën politike dhe qytetare, duke ndërtuar jetën sociale, politike dhe publike në Kosovë. Ajo promovoi lirinë e fjalës dhe të shprehjes, tolerancën, humanizmin dhe vlerat universale, duke u shfaqur që nga fillimi si një forcë politike institucionale që synonte ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës.
Menjëherë pas përfundimit të luftës, LDK-ja, e udhëhequr nga Ibrahim Rugova, fitoi bindshëm zgjedhjet e para, duke konfirmuar rolin e saj kyç në skenën politike të vendit.
LDK deklaron se angazhohet për një demokraci që garanton barazi të plotë juridike dhe politike për të gjithë qytetarët, pa dallim kombësie, gjinie apo feje. Partia përkrah pluralizmin politik, sistemin parlamentar shumëpartiak, si dhe mbrojtjen dhe zgjerimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Aktualisht, LDK udhëhiqet nga kryetari i saj, Lumir Abdixhiku dhe në nivel qendror është partia e tretë për nga votat.
Anëtarja e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fiknete Bejta, thotë se këto 36 vite kanë qenë vite sfiduese, me sakrifica, me rënie e ngritje dhe përgjegjësi historike.
“LDK sot shënon 36 vjet histori politike që lidhen drejtpërdrejt me vetë historinë e shtetformimit të Kosovës. Këto 36 vite kanë qenë vite sfiduese, me sakrifica, me rënie e ngritje, por mbi të gjitha vite përgjegjësie historike. LDK u themelua në rrethana jashtëzakonisht të vështira, si lëvizje qytetare dhe politike për liri, demokraci dhe shtetësi, dhe ishte shtylla kryesore e rezistencës paqësore të udhëhequr nga Presidenti historik Ibrahim Rugova”, deklaron Bejta.
Sipas saj, LDK ka ruajtur vlerat demokratike.
Në krahasim me LDK-në e mëhershme, LDK-ja e sotme sipas Bejtës, është një parti që ka kaluar nga parti historike në moderne evropiane me përvojë qeverisëse dhe opozitare.
“Sa i përket ruajtjes së vlerave demokratike, po – LDK ka arritur t’i ruajë thelbin e këtyre vlerave. Demokracia, orientimi perëndimor, shteti i së drejtës, dialogu politik dhe respekti për institucionet kanë qenë dhe mbeten boshti i identitetit të saj. Natyrisht, si çdo parti me jetë të gjatë, LDK ka kaluar edhe periudha të vështira, debate të brendshme dhe sfida politike, por asnjëherë nuk ka devijuar nga rruga demokratike dhe nga parimet për të cilat u krijua. LDK-ja e sotme, në krahasim me LDK-në e mëparshme, është një parti që ka kaluar nga lëvizje historike në parti moderne evropiane, me përvojë qeverisëse dhe opozitare. Është më e strukturuar, më e institucionalizuar dhe me breza të rinj që i janë bashkuar vizionit rugovian. Ajo që mbetet e pandryshuar është kultura politike e LDK-së: maturia, përgjegjësia shtetërore dhe orientimi i qartë euroatlantik. Në një kohë polarizimesh dhe populizmi, LDK vazhdon të jetë zëri i arsyes, i stabilitetit dhe i demokracisë, duke dëshmuar se trashëgimia e Presidentit Rugova nuk është vetëm kujtim historik, por udhërrëfyes politik edhe sot”, përfundon Bejta.
Për të kremtuar 36 vjetorin e themelimit të saj, kjo parti nën drejtimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, ka bërë homazhe tek varri i ish- presidentit historik Ibrahim Rugova në Velani të Prishtinës.
Në këtë aktivitet u theksua roli i rëndësishëm i Rugovës dhe i LDK-së në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe zhvillimit të demokracisë në Kosovë.
Kryetari Lumir Abdixhiku kujtoi se programi i partisë, i krijuar nga Rugova dhe intelektualë të shquar para 36 vitesh, u bë një platformë kombëtare për gjithë popullin e Kosovës, me synim lirinë, pavarësinë dhe demokracinë. Ai shtoi se ky mision mbetet themeli i veprimtarisë politike të LDK-së edhe sot.
“LDK, para se të ishte parti politike, ka qenë një lëvizje e gjithë popullit të Kosovës. Kujtojmë themeluesit, veprimtarët dhe aleatët tanë që qëndruan pranë popullit në periudhat më të vështira, dhe me krenari vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt së ardhmes”, u shpreh Abdixhiku.