Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë zhvillohen në një kontekst politik të ndërlikuar, ku çdo votë ka rëndësi të madhe për balancat e pushtetit.
Kjo, për faktin se legjislatura e kaluar e Kuvendit, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, dështoi të formojë institucionet e reja, në mungesë të numrave.
Megjithatë, në këto palë zgjedhje, faktor tejet i rëndësishëm po cilësohet diaspora.
Diaspora e përbërë nga dhjetëra mijëra qytetarë të regjistruar për të votuar jashtë vendit, si dhe dhjetëra mijëra të tjerë që kanë ardhur në Kosovë, po paralajmërohet se do jetë një faktor që mund të ndikojë në renditjen dhe përqindjet e partive.
Pjesëmarrja e lartë e mërgimtarëve dhe përqindja e votave që ata mund t’u japin subjekteve të caktuara tregojnë se ardhja e diasporës nuk është thjesht simbolike, por mund të jetë vendimtare në disa qarqe elektorale, duke bërë që rezultati përfundimtar të jetë më i ndikuar nga elektorati jashtë vendit sesa zakonisht.
E më gjerësisht, për atë se si do ndikojë konkretisht vota e diasporës në zgjedhjet e 28 dhjetorit, për “Bota sot” folën njohësit e çështjeve politike.
Halilaj: Vota e diasporës konsiderohet më e lirë dhe më autentike
Së pari, në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli avokati, njëkohësisht edhe anëtari i ‘Guxo’, Gazmend Halilaj.
Ai potencoi faktin se diaspora e ka me ligj të drejtën e votës, derisa tha se ndikimi i votës së saj duhet vlerësuar.
Sa i përket numrave, tha se votat e diasporës janë tejet të rëndësishme në gatat e ngushta zgjedhore dhe ndryshimin e renditjes së partive.
“Nga perspektiva kushtetuese dhe e së drejtës zgjedhore, pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet e 28 dhjetorit përbën ushtrim të drejtpërdrejtë të së drejtës themelore të votës, të garantuar nga Kushtetuta dhe legjislacioni zgjedhor në fuqi. Çdo ndikim i saj duhet vlerësuar brenda parimit të barazisë së votës dhe legjitimitetit demokratik të procesit zgjedhor
Në aspektin numerik, diaspora nuk përbën domosdoshmërish shumicë absolute të trupës elektorale, por në kontekst të garave zgjedhore të ngushta, ajo mund të jetë faktor juridikisht dhe politikisht përcaktues, sidomos në rishpërndarjen e mandateve, në kalimin e pragut zgjedhor dhe në ndryshimin e renditjes së subjekteve politike”, nënvizoi avokati.
Krahas kësaj, Halilaj tregoi se si juridikisht konkretizohet ndikimi i diasporës në zgjedhje.
Në këtë pikë, përmendi tri aspekte.
“Juridikisht, ndikimi i diasporës materializohet përmes:
• rritjes së pjesëmarrjes së përgjithshme zgjedhore, çka forcon parimin e sovranitetit popullor,
• ndikimit në formulën e konvertimit të votave në mandate dhe
• garantimit të pluralizmit politik, si parim themelor i rendit kushtetues”.
Më tej, avokati theksoi se vota e mërgimtarëve është më e lirë, pasi është më pak e ndikuar nga shkeljet dhe keqpërdorimet politike.
“Diaspora, për nga natyra e saj, është më pak e ekspozuar ndaj shkeljeve klasike të procesit zgjedhor, si presioni administrativ, keqpërdorimi i resurseve publike apo ndikimi klientelist. Si rrjedhojë, vota e saj konsiderohet më e lirë dhe më autentike, duke shërbyer si mekanizëm korrigjues i deformimeve të mundshme të vullnetit elektoral brenda territorit.
Megjithatë, diaspora nuk është subjekt juridikisht homogjen. Efekti i saj real varet nga:
• regjistrimi korrekt në listat zgjedhore,
• respektimi i procedurave ligjore të votimit,
• integriteti i administrimit zgjedhor,
• si dhe nga besimi në mjetet juridike të ankimit dhe mbrojtjes së votes”, shtjelloi Halilaj.
Ndër të tjera, ai potencoi se, nëse gjithçka shkon si duhet sa i përket procesit zgjedhor, atëherë diaspora ka gjasa të ndryshojë balancat politike dhe shpërndarjen e mandateve.
“Në përfundim, ardhja dhe pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk cenon barazinë e procesit zgjedhor, përkundrazi, ajo përforcon legjitimitetin kushtetues të zgjedhjeve. Nëse pjesëmarrja e saj është e konsiderueshme dhe procesi administrohet në përputhje të plotë me ligjin, diaspora ka potencial real të ndryshojë balancat politike dhe shpërndarjen e mandateve, duke reflektuar më saktë vullnetin e përgjithshëm të sovranit”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.
Duhanaj: Konsideroj që duhet të kemi përfaqësim të mërgatës në Kuvend
Kurse, analisti nga diaspora, Leon Duhanaj kërkoi që mërgatës shqiptare t’i rezervohen disa ulëse në Kuvend, marrë parasysh ndikimin dhe rëndësinë e saj.
Sipas tij, me ulëset e saj, do ishte zvogëluar mundësia e manipulimit të votave të diasporës.
“Në kushte normale, në një proces zgjedhorë në Kosovë, diaspora do të duhej të luante një rol periferik në zgjedhje.
Në fakt, nëse mërgatës shqiptare, do t'i rezervoheshin disa vende në Kuvend, atëherë gara politike do të zhvendosej tek kandidatët mërgimtarë dhe mundësia e manipulimit përmes tyre do të minimizohej dukshëm.
Zgjedhjet janë të Kosovës dhe qytetarët rezident duhet të jenë ata që përcaktojnë fatin e sajë.
Prandaj në cilësinë e mërgimtari, konsideroj që duhet të kemi përfaqësim të mërgatës por të shkëputur nga ndikimi që mund të bëhet brenda procesit në Kosovë.
Kjo do ta ndalonte mundësinë manipulative që tashmë po ndodhë në çdo proces zgjedhor”, deklaroi ai.
Gjithashtu, Duhanaj theksoi faktin se diaspora do jetë pjesë e rëndësishme e procesit zgjedhor të 28 dhjetorit.
Mirëpo, bëri thirrje te partitë që të fokusohen më shumë edhe te qytetarët rezident të Kosovës.
“Mendoj që mërgata në këto zgjedhje ka me qenë pjesë e rëndësishme në proces, por jo përcaktuese.
Pasi që vota do të shpërndahet në proporcion të ngjashëm me atë të banorëve rezident.
Në anën tjetër, partitë politike do të duhej të luftonin t'i mobilizonin banorët rezident, shumë me shumë sa bëjnë përpjekje për mobilizimin e mërgatës, shto kësaj se shumë qytetarë të Kosovës lëshojnë Kosovën për festa duke udhëtuar për pushime jashtë vendit, e që do të mungojnë me votën e tyre.
Pra, ndikim do të ketë, por ai nuk do të jetë vendimtar”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”.