Policia e Kosovës po vazhdon me aksionet e saj, kundër grupeve kriminale në çdo cep të shteti.
Së fund, policia zbuloi armë, municion dhe pajisje ushtarake në dy raste në Komunën e Leposaviqit, duke iniciuar procedura penale për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri, rastet janë regjistruar më 19 dhe 20 dhjetor 2025 nga Stacioni Policor Leposaviq.
Rasti i parë ka ndodhur më 19.12.2025, rreth orës 22:07, kur zyrtarët e Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë, gjatë patrullimit në fshatin Rvatska, kanë gjetur në një shtëpi të pabanuar një armë gjuetie, një karabinë, një armë automatike të llojit AK-47, 240 fishekë dhe një palë dylbi. Gjatë veprimeve të mëtejme hetimore, më 22.12.2025, në objektet përcjellëse të shtëpisë janë sekuestruar edhe një pushkë ajrore, mekanizëm për barut, një thikë ushtarake dhe një frotroll për revole. Për këtë rast nuk ka persona të arrestuar dhe hetimet janë në vijim.
Rasti i dytë është regjistruar më 20.12.2025, rreth orës 06:45, kur Policia ka arrestuar shtetasin R.R. (1965). Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në fshatin Veacev janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, një pushkë gjysmë automatike, një bombë dore, dy tromblona, fishekë të kalibrave të ndryshëm si dhe pajisje të ndryshme ushtarake. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas inicimit të rastit penal, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës thekson se këto veprime janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për luftimin e posedimit ilegal të armëve dhe për garantimin e rendit, paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët.
Megjithatë, sekuestrimi i këtyre armëve ka ngritur edhe dilema: a mund të jenë këto raste sinjal se ekzistonte një plan për provokimin e situatës së sigurisë, veçanërisht në prag të zgjedhjeve?
Për këtë çështje, njohës të sigurisë kanë folur për gazetën “Bota sot”.
Dashevci: Është sinjal i keq që e jep Serbia për armatosjen e vazhdueshme të komunitetit serb
Së pari, për këtë rast, foli eksperti i sigurisë, Arben Dashevci.
Sipas tij, aksioni i fundit në veri të vendit, tregon se policia po vëzhgon me vigjilencë të lartë zhvillimet në këtë pjesë të vendit dhe po ofron siguri maksimale.
“Policia e Kosovës në vazhdimësi pas sulmit terrosrist në Banjskë ka zbuluar armë, municion dhe pajisje ushtarake në shumë raste të ndryshme sikurse sot.
Kjo tregon që Policia e Kosovës është në vigjilencë të lartë në aspekt sigurie në ato pjesë matan lumit Ibër.
Kosova është ballafaqur me akte terroriste në vitin 2023 dhe 2024.
Dihet se pasiguria neve si shtet na ka ardh dhe vjen direkt nga Serbia, e cila i ka përkrah dhe po i strehon ende këto grupe kriminale që sillen lirshëm në atë vend”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Dashevci në prononcimin e tij për “Bota sot”, kërkoi bashkëpunim të vazhdueshëm nga policia me akterët ndërkombëtarët, në mënyrë të parandalohen rreziqet në aspektin e sigurisë.
“Zbulimi i armëve dhe municionit në Leposaviq për situatën e sigurisë në pjesën matan lumit Ibêr të Kosovës dhe më gjerë tregon se duhet të vazhdohet me vigjilencë, duhet të vazhdojë koordinimi, bashkëpunimi i institucioneve tona të sigurisë si reagues i parë me reaguesin e dytë nga BE dhe me misionin e NATO-s KFOR, për parandalimin e çfardo rreziku që na vjen në aspektin e sigurisë”.
Ndër të tjera, eksperti shtoi se, ky është një sinajl i keq që jep Beogradi, pasi konfirmon mendësinë politike që ka Serbia.
Madje, tha se, pa u arrestuar kriminelët e kërkuar që janë në Beogradi siguria do jetë e brishtë.
“Është sinjal i keq që e jep Serbia për armatosjen e vazhdueshme të komunitetit serb, ky është ende shtet me mendësinë e viteve të 90-ta fatkeqësisht, por unë nuk shohë që ka ndonjë rrezik në aspektin e brendshëm të sigurisë ose për ndonjë provokim para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, sepse ka vigjilencë të madhe dhe gatishmëri të lartë sigurie dhe ky është fakt.
Pra, rrezik paraqet siguria e jashtme ose thjeshtë nga Serbia, sepse për sa kriminelët e kërkuar nga institucionet tona dhe ato ndërkombëtare enden të lirë në Serbi kemi atë stadin e sigurisë e qetë, por të brishtë në ato pjesë matanë lumit Ibër”, përfundoi Arben Dashevci për “Bota sot”.
Gecaj: Në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, rreziku për provokime është real.
Ndërsa, eksperti tjetër, Hysen Gecaj se zbulimi i armatimit nga policia, tregon se veriu i Kosovës mbetet zonë e ndjeshme, kjo për shkak të grupeve kriminalë serbe.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot”, tha se kjo armatosje jep sinjale për gatishmëri për presion, destabilizim dhe provokime të orkestruara.
“Zbulimi i armëve, municionit dhe pajisjeve ushtarake në Leposaviq është një tregues serioz se veriu i Kosovës vazhdon të mbetet zonë e ndjeshme e sigurisë, ku struktura ilegale dhe rrjete të armatosura nuk janë çmontuar plotësisht. Këto raste nuk mund të trajtohen si incidente të izoluara, por si pjesë e një modeli të vazhdueshëm të militarizimit ilegal, që synon të mbajë gjendje tensioni dhe pasigurie.
Armatosja e vazhdueshme brenda komunitetit serb – e nxitur dhe e toleruar nga struktura paralele dhe ndikimi i drejtpërdrejtë i Beogradit – jep sinjale të qarta për gatishmëri për presion, destabilizim dhe potencialisht për provokime të orkestruara. Qëllimi i kësaj qasjeje është i dyfishtë: nga njëra anë, frikësimi i qytetarëve dhe i institucioneve të Kosovës; nga ana tjetër, krijimi i një narrative të rreme të “pasigurisë” për të justifikuar ndërhyrje politike ose diplomatike nga jashtë”, deklaroi ai.
Madje, sipas Gecajt ka rrezik real për provokime në prag të zgjedhjeve, për këtë kërkoi kujdes të shtuar nga policia.
Ai tha se ky problem mund të zgjidhet me një qasje të kombinuar: ligjore, politike dhe strategjike.
“Në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, rreziku për provokime është real. Përvoja e deritanishme tregon se periudhat zgjedhore shpesh shfrytëzohen për tensione të qëllimshme, me synim diskreditimin e procesit demokratik dhe minimin e sovranitetit të Kosovës. Prandaj, vigjilenca e shtuar e Policisë së Kosovës dhe bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë janë jetike.
Në këtë kontekst, zbulimi dhe konfiskimi i armëve duhet parë si sukses institucional, por edhe si alarm se puna për shtrirjen e plotë të rendit dhe ligjit në veri duhet të vazhdojë pa kompromis. Vetëm sundimi i ligjit, pa dallime etnike dhe pa tolerancë ndaj strukturave ilegale, mund të garantojë siguri të qëndrueshme dhe një proces zgjedhor të lirë e demokratik në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Ky problem nuk zgjidhet vetëm me instrumentet e zbatimit të ligjit, por as pa to. Ai kërkon një qasje të kombinuar: ligjore, politike dhe strategjike”.
Më tej, eksperti i sigurisë, foli për zbatimin e ligjit, e që sipas tij është një faktor i domosdoshëm.
“1. Zbatimi i ligjit – i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm
Zbulimi dhe konfiskimi i armëve, arrestimet dhe ndjekja penale janë jetike për:
• neutralizimin e rrezikut të menjëhershëm, thyerjen e ndjenjës së pandëshkueshmërisë, afirmimin e sovranitetit të shtetit.
Por përvoja ka treguar se pa çmontimin e burimit politik të problemit, këto masa mbesin reaktive: armët konfiskohen, por rrjetet rigjenerohen”.
Gjithashtu, ai përmendi nevojën për zgjidhjen e problemit politik, por jo duke bërë kompromis me të paligjshëm.
Po ashtu, për të problem me serbët, buron nga disa pika, të cilat i shtjelloi si më poshtë.
“2. Thelbi është politik – por jo kompromis me paligjshmërinë
Problemi në veri nuk është etnik, por politik dhe gjeostrategjik. Ai buron nga:
• ndërhyrja e vazhdueshme e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës,
• mbështetja e strukturave paralele dhe grupeve kriminale,
• instrumentalizimi i komunitetit serb si mjet presioni.
Zgjidhja politike nuk nënkupton amnisti për armë apo tolerim të strukturave ilegale, por:
• ndërprerjen e ndikimit të Beogradit përmes marrëveshjeve ndërkombëtare me garanci reale,
• integrimin e plotë institucional të serbëve lokalë,
• përgjegjësi politike dhe juridike për dirigjentët e destabilizimit”.
3. Pa strategji shtetërore afatgjatë, problemi riciklohet
Kosova ka nevojë për:
• një strategji të qartë për veriun (siguri + zhvillim + integrim),
• komunikim politik direkt me qytetarët serbë, pa ndërmjetës kriminalë,
• rol më aktiv dhe më të qartë të BE-së dhe SHBA-së në garantimin e zbatimit të marrëveshjeve, jo vetëm në ndërmjetësim”, sqaroi eksperti i sigurisë.
Në fund, Gecaj, dërgoi një mesazh të qartë se, pa sundim të ligjit nuk ka siguri në komunat veriore të Kosovës.
“4. Përfundim i qartë
• Ligji e mban situatën nën kontroll.
• Politika e drejtë e zgjidh problemin në rrënjë.
• Kompromisi me paligjshmërinë vetëm e shtyn krizën për nesër”, përmbylli Hysen Gecaj për “Bota sot”.
Pa sundim të ligjit nuk ka siguri, por pa zgjidhje politike që e çmonton ndikimin e Serbisë, veriu do të mbetet një vatër e kontrolluar tensioni.