Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar të mërkuren se është i vështirë normalizimi i marrëdhënieve me regjim autoritar në Serbi.
“Ne duhet t’i normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë. Por normalizimi i marrëdhënieve me një regjim autoritar fqinj që nuk të njeh dhe që gjithashtu nuk i pranon krimet e kryera gjatë luftës, është mjaft i vështirë”, ka theksuar Kurti.
Të njëjtën kohë po kërkohet nga ndërkombëtarët normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe vazhdimi i dialogut ndërmjet dy vendeve.
Lidhur me këtë ҫështje, analisti politik Skënder Zogaj thekson se raportet me Serbinë, që nga ardhja e serbëve nga Karpatet, kanë qenë gjithmonë armiqësore.
Sipas tij, historikisht serbët kanë përfituar nga fatkeqësitë e shqiptarëve dhe janë përpjekur për zgjerim territorial në dëm të vendësve autokton.
“Serbët, në vend të mirënjohjes për mikëpritjen dhe akomodimin që gjetën në tokën iliro-dardane, kanë treguar armiqësi dhe kanë përfituar nga luftërat dhe fatkeqësitë e shqiptarëve,” thotë Zogaj.
Ai kujton shembuj historikë, duke filluar nga Car Dushani, i cili sipas tij ka pushtuar tokat dardane dhe ka shkaktuar lumenj gjaku deri në Detin Adriatik, duke lënë pas shkatërrim të madh në Prizren.
Zogaj thekson edhe shembuj më të fundit:
“Jo më larg se pas vitit 1870, 760 vendbanime shqiptare në Toplicë u serbizuan përmes genocidit, dhe sot quhen serbe. Lugina e Preshevës mbetet peng i Serbisë, e po ashtu ka tentativa për të përfituar edhe Veriun e Kosovës”, thotë ai.
Sipas analistit, këto ngjarje dhe krime historike e bëjnë të pamundur normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Do të vazhdojë të jetë kështu deri sa të dal dikush që ia ‘djeg bishtin’ keqes, dhe kjo do të ndodh shumë shpejt, sepse e keqja këputet prej së trashi,” thotë Zogaj.
Ai bën edhe një apel tek liderët politikë dhe shtetërorë të Kosovës.
“Çështja serbe zgjidhet vetëm kur të gjithë e kuptojnë se atdheu është kryevlera dhe e shenjtë”, thekson Zogaj për ‘Bota sot’.