“Ligji i Trump, dhuratë e artë për Kosovën!”, Zeqiraj vjen me deklaratë të fortë – paralajmëron këtë gjë

Politika

“Ligji i Trump, dhuratë e artë për Kosovën!”, Zeqiraj vjen me deklaratë të fortë – paralajmëron këtë gjë

Nga: A.M Më: 26 dhjetor 2025 Në ora: 12:00
Donald Trump dhe Albin Kurti

Ditë më parë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) për vitin fiskal 2026, një paketë buxhetore rekord prej 901 miliardë dollarësh. Ky ligj, përveç çështjeve të sigurisë globale, përfshin edhe dispozita specifike që lidhen me Ballkanin Perëndimor, veçanërisht me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ligji riafirmon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të bazuar në njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, duke përjashtuar qartë çdo opsion që synon shkëmbime territoriale, ndarje apo rishikim të kufijve mbi baza etnike si zgjidhje për mosmarrëveshjet rajonale.

E për këtë temë, për “Bota sot” foli publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.

Image
Idriz Zeqiraj.

Si fillim, ai tha se ky ligj është shumë i mirë për shqiptarët e Kosovës, pasi përfshin zgjidhjen e disa çështjeve tejet të rëndësishme.

Nënshkrimi i ligjit nga Presidenti Trump, për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, ku përfshihet edhe Kosova, është i rast paparaprijës, për nga rëndësia madhore që ka për kushtet dhe rrethanat e Kosovës të sotme. Mirëpritja e këtij ligji nga shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e përbotshëm, kalon çdo përmasë normale. Pozitiviteti i këtij ligji është shumëdimensional, sepse përfshinë zgjidhjen e shumë çështjeve kruciale, që Kosova i ka përpara për zgjidhje”.

Krahas kësaj, Zeqiraj vlerëson se pas disa viteve shqiptarë e Kosovës, morën lajm të mirë dhe u gëzuan, pasi për vite të tëra Serbia me disa ndërkombëtarët dhe disa politikanë shqiptarë, synuan ta ndanin Kosovën.

“Pas një çerek-shekulli shqiptarët e Kosovës dhe ata të botës të kudondodhur, e gëzuan frymëmarrjen dhe buzëqeshjen e lirë, të cilën ua kishin ngrirë në buzë Serbia dhe disa bijë bastardë të Kosovës, agjentë të hershëm të Shërbimeve Informative të huaja armike, si dhe disa zyrtarë BE-së dhe ndërkombëtar të tjerë, të blerë si mercenarë nga Serbia. Të gjithë, si ne kor bretkosash, duan ta bëjnë hisedare Serbinë në Kosovë, edhe pse Amerika me aleatë të NATO-paktit e shporri soldateskën kriminale serbo-sllave, me Apaçët e saj luftarakë”, vlerësoi ai.

Më tej, publicisti tha se ligji i ri i Trump është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, derisa tha se, më në fund mori fund ideja për ndarjen e Kosovës.

“Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare thekson fort parimin e mos ndryshimit të kufijve dhe sidomos mos ndryshimin e tyre mbi bazën etnike. Kjo është bazë sidomos për Ballkanin e mbetur me probleme "si fuqi baruti" përtej një shekulli. Mbi bazën etnike nuk mund të këtë kriter që prek territoret, as institucionet, aq më pak kompetencat politike, për të cilat shkumon përnatshëm analisti sharlatan Halil Matoshi, duke u thirrur në Kushtetutën e Ahtisarit, të cilat nuk janë të fiksuara, përveç se i kërkon Serbia paushall. Krejt në një linjë me Serbinë dhe Borrell-in, kur për hatër të Vuçiqit kërkonte ndryshimin e Kushtetutës të Kosovës. Sipas tij ajo nuk është as Bibël dhe as Kuran! Ligji i Presidentit Trump, është edhe në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës, sidomos në trajtimin e çështjeve etnike".

Ndër të tjera, ai përmendi edhe synimet e Kosovës në anëtarësimin në NATO, e që tha se kjo do ishte një garancë e fortë për sovranitetin e vendit.

Po ashtu, këtë ligj e cilësoi edhe si një “dhuratë të artë për Kosovën”.

“Ligji parashikon rritje të investimeve strategjike ekonomike. Ligji është paralajmërim për aktorët destabilizues, sidomos për Serbinë dhe Rusinë. Kjo është domosdoshmëri për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në Ballkan. Çdo tentativë destabilizuese nuk shihet si problem lokal, por si sfidë ndaj interesave amerikane dhe NATO-s. Në ketë rast aludohet edhe për garancinë e sovranitetit dhe të integritetit territorial të Kosovës.

Ky ligji është i një rëndësie supreme, sepse është akt federal detyrues dhe pasqyron konsensusin e plotë të aparatit shtetëror amerikan për arkitekturën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Kjo është arritje dhe dhuratë e artë për Kosovën tonë. Urojmë ta vlerësojë dhe shfrytëzojë me mirënjohje kulmore pushteti dhe shteti i Kosovës!” – përmbylli Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat