Dyshimet për votim në grup nga Lista Serbe kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me integritetin e zgjedhjeve. Sipas raportimeve nga terreni, dhjetëra qytetarë serbë janë parë të grumbulluar pranë selisë së kësaj partie, përpara se të niseshin së bashku drejt qendrave të votimit.
Ky organizim i koordinuar ka nxitur dyshime për ushtrim presioni ndaj votuesve dhe cenim të parimit të votës së lirë dhe individuale.
Analisti Driton Tali, ka deklaruar se Lista Serbe po shkel ligjin zgjedhor përmes votimit në grup dhe mosrespektimit të heshtjes zgjedhore, duke përdorur shantazh, kërcënime dhe manipulime votash.
Sipas tij, kjo parti vepron me mbështetjen e Qeverisë së Serbisë dhe është e lidhur drejtpërdrejt me presidentin Vuçiç.
Tali kërkon që institucionet e Kosovës të marrin masa ligjore, deri në shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në komunat ku ka shkelje, dhe përsëritjen e tyre me vëzhgues ndërkombëtarë, për të ndihmuar komunitetin serb të çlirohet nga kjo strukturë.
“Jo vetëm që raportohet për votim në grup por edhe heshtjen zgjedhore nuk janë duke e respektuar. Është tipike për Listën Serbe e cila në vazhdimësi nuk zgjedh metodat, qoftë edhe shantazhin, kërcënimet dhe vjedhjet e votave, për t'i fituar zgjedhjet.
E bëjnë këtë nëpër komunat serbe sepse, të përkrahur nga Qeveria e Serbisë, i kanë të gjitha mekanizmat për ta bërë. Lista Serbe është nëndegë e Partisë Përparimtare Serbe që për kryetar real e ka Vuçiçin.
Institucionet tona duhet t'i ndërmarrin të gjitha masat e mundshme ligjore për ta stopuar këtë aktivitet joligjore, qoftë edhe duke i shpallur të pa vlefshme zgjedhjet në ato komuna ku janë faktet e bollshme, dhe pastaj edhe me ndihmën vëzhguesve ndërkombëtarë t'i përsërisin ato zgjedhje.
Kështu do t'i ndihmohet edhe komunitetit serb në Kosovë që të çlirohet nga ata”, ka thënë ai për “Bota sot”.