Ymeri: Qeveria e re duhet të marrë vendime të menjëhershme dhe të pakompromis

Politika

Ymeri: Qeveria e re duhet të marrë vendime të menjëhershme dhe të pakompromis

Nga: H.O. Më: 28 dhjetor 2025 Në ora: 19:22
Qeveria e Kosovës

Prof. Dr. Eshref Ymeri vlerëson se qeveria e re, që do të dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, duhet të veprojë pa humbur kohë, duke marrë një sërë vendimesh që, sipas tij, janë jetike për shtetin.

“Qeveria e re duhet të marrë menjëherë disa vendime”, thekson Ymeri, duke shtuar se prioritet i parë duhet të jetë ballafaqimi me krimet e së kaluarës.

Image
Prof.dr. Eshref Ymeri

Sipas tij, “duhet t’i denoncojë publikisht të gjithë ata që kanë kryer krime gjatë luftës dhe pas luftës”, duke argumentuar se persona të tillë, në vlerësimin e tij, “kanë vepruar si kolonë e pestë në shërbim të Serbisë fashiste”.

Në vazhdim, profesori kërkon edhe adresimin e çështjes së korrupsionit dhe pasurive publike.

“Duhet të denoncohen publikisht të gjithë ata që kanë grabitur pasuritë publike”, thotë ai, duke shtuar se “të gjitha pasuritë e përvetësuara dhe vlerat monetare të depozituara në bankat e huaja duhet të sekuestrohen dhe t’i kthehen buxhetit të shtetit”.

Ymeri shprehet kritik edhe ndaj opozitës, për të cilën thotë se duhet të ekspozohet publikisht.

“Qeveria duhet ta demaskojë publikisht, me fakte, opozitën tradhtare, e cila është vënë kokë e këmbë në shërbim të Serbisë fashiste”, deklaron ai.

Duke folur për sigurinë dhe provokimet në kufij, Ymeri shprehet me tone të ashpra, duke kërkuar reagim të vendosur shtetëror ndaj çdo cenimi të sovranitetit.

Në planin institucional dhe social, ai thekson rëndësinë e komunikimit me qytetarët.

“Anëtarët e qeverisë, Kryeministria dhe Presidenca duhet të mbajnë kontakte të përhershme me popullin, për të dëgjuar nga afër problemet e njerëzve të thjeshtë”, thotë Ymeri.

Po ashtu, ai kërkon vëmendje të veçantë për pensionistët.

“Qeveria duhet ta ketë në vëmendje të përhershme shtresën e pensionistëve, duke i rritur pensionet çdo vit”, thekson profesori.

Në fund, Ymeri nënvizon se transparenca duhet të jetë parim udhëheqës i ekzekutivit. “Një herë në gjashtë muaj, qeveria duhet ta bëjë publik bilancin e punës së vet”, përfundon ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat