"Strategjia e re mediatike e Kurtit i solli LVV-së fitore më bindëse"

Politika

"Strategjia e re mediatike e Kurtit i solli LVV-së fitore më bindëse"

Nga: H.O. Më: 29 dhjetor 2025 Në ora: 09:31
Albin Kurti

Analisti politik Sulejman Mehazi vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti, kësaj radhe kanë ndjekur një strategji më aktive dhe më të mençur mediatike, gjë që sipas tij pritet t’i sjellë një fitore edhe më bindëse në zgjedhje.

Sipas Mehazit, ndryshe nga zgjedhjet e shkurtit, Kurti nuk ka shmangur mediat, pavarësisht, siç thotë ai, “propagandës së errët që një pjesë e mediave ushtronin kundër LVV-së”.

“Nëse gjatë zgjedhjeve të shkurtit LVV-ja e Kurtit doli fituese pa ndihmën dhe pa propagandë mediatike, kësaj here Kurti është përmirësuar dukshëm, duke mos ikur nga mediat, edhe ato që më herët bënin propagandë të errët kundër LVV-së”, deklaron Mehazi.

Ai thekson se gjatë kësaj fushate zgjedhore, LVV-ja dhe Kurti kanë qenë shumë më aktivë në mediat vendore, në mediat e diasporës, si dhe në komunikimin me diplomatë evropianë dhe amerikanë.

Sipas tij, kjo qasje e re mediatike ka krijuar një përballje frontale me partitë opozitare, nga mediat lokale e shtetërore e deri te ato evropiane, duke e forcuar ndjeshëm pozicionin e LVV-së.

“Kjo përballje e fuqishme mediatike e LVV-së nëpër mediat shqiptare do t’ia japë fitoren edhe më bindëse, duke i shtuar asaj gjashtë deri në dhjetë deputetë më shumë”, shprehet analisti.

Mehazi rikujton se në zgjedhjet e shkurtit, në kushte të asaj që ai e quan “errësirë mediatike”, LVV-ja kishte fituar 48 deputetë, ndërsa tani, sipas tij, situata është dukshëm më e favorshme.

“Nëse atëherë LVV-ja fitoi 48 deputetë, këtë herë, me këtë propagandë të fuqishme mediatike, do të fitojë plus pesë deri në dhjetë deputetë më shumë”, vlerëson ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat