Mandati i dytë i Vjosa Osmanit në Presidencë: Pse ajo mbetet zgjedhja më e fortë për Kosovën

Politika

Mandati i dytë i Vjosa Osmanit në Presidencë: Pse ajo mbetet zgjedhja më e fortë për Kosovën

Nga: P.R. Më: 30 dhjetor 2025 Në ora: 09:04
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Pas deklarimit të fundit të presidentes Vjosa Osmani se synon edhe një mandat të dytë në krye të shtetit, përkrahësit e kësaj ideje argumentojnë se stabiliteti institucional, pozicionimi ndërkombëtar dhe autoriteti i fituar gjatë mandatit të parë e bëjnë Osmanin figurë të pazëvendësueshme në këtë fazë të shtetndërtimit.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot” vlerëson se Vjosa Osmani jo vetëm që e meriton një mandat të dytë, por se Kosova ka nevojë për vazhdimin e saj në postin e presidentes.

“Vjosa Osmani është një ndër dy-tre presidentët më të suksesshëm të Kosovës. Ajo meriton edhe një mandat të dytë në presidencë, jo se Vjosa ka nevojë për një post të tillë, por se Kosova ka nevojë për Vjosën. Është koha e Vjosa Osmanit dhe e Albin Kurtit dhe, ndërkohë, besoj se është fat për Kosovën që ajo i ka këta dy politikanë, me cenet, dobësitë dhe mangësitë e veta, por të pakrahasueshëm me politikanët e tjerë që erdhën pas Ibrahim Rugovës dhe Fatmir Sejdiut”, shprehet Bytyçi.

Image
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi

Sipas Bytyçit, arsyeja e parë lidhet me ruajtjen e ekuilibrave të brendshëm politikë.

“Së pari, sepse ajo ka ruajtur ekuilibra në politikën e Kosovës. Ka respektuar Kushtetutën, mazhorancën dhe opozitën. Është konsultuar vazhdimisht me partitë politike gjatë ngërçeve që janë krijuar. Ka kritikuar qasjen e gabuar të çdo subjekti politik në raport me interesat e Kosovës dhe në këtë pikëpamje nuk ka kursyer as aleatin e koalicionit të partisë, zotin Kurti”, thekson ai.

Bytyçi hedh poshtë pretendimet e opozitës se Osmani ka mbajtur anën e Qeverisë Kurti.

“Kritikët e saj thonë se opozita nuk do ta pranojë Vjosa Osmanin për kandidate në mandat të dytë, sepse, sipas tyre, ajo ka mbajtur disa herë anën e qeverisë Kurti. Por nuk përmendin asnjë fakt, asnjë provë, asnjë rast të këtij qëndrimi të saj. Pra, bëjnë propagandë dhe paragjykojnë me qëllim bllokimin e zgjedhjes së saj si presidente sërish”, vlerëson profesori.

Si arsye të dytë, ai përmend rolin e Osmanit në raportet me aleatët ndërkombëtarë.

“Së dyti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur ekuilibrat e marrëdhënieve me ndërkombëtarët, sidomos me aleatët amerikanë dhe evropianë, edhe atëherë kur këto marrëdhënie janë dukur të pashpresa. Jam i bindur se askush tjetër nuk do ta luante një rol kaq të madh në kushtet kur Kurti u thoshte JO aleatëve për çështjet e raporteve me Serbinë”, shprehet Bytyçi.

Ai shton se mosmarrëveshjet me aleatët kanë pasur të bëjnë vetëm me qasjen ndaj Serbisë dhe rolit të Aleksandër Vuçiqit.

“Ndërsa ndërkombëtarët thoshin se Vuçiq ‘është burrë i mirë’, Kurti thoshte jo, ai është lider i keq e destabilizues. Banjska e provoi këtë. Por pas Banjskës duhej kohë që aleatët ta merrnin kthesën. Vjosa Osmani i zbuti situatat, duke mbrojtur pikë për pikë qëndrimet e Kurtit dhe duke denoncuar agresionin serb dhe dyfytyrësinë e Vuçiqit”, thekson ai.

Bytyçi kujton se Osmani ka qenë edhe në situata diskriminuese në samite ndërkombëtare, ku ka mbetur e vetme në kritikat ndaj presidentit serb.

“Vetëm një presidente si Vjosa Osmani mund t’i përballonte këto situata të pakëndshme”, shton ai.

Si argument të tretë, profesori përmend punën e saj në rritjen e njohjeve ndërkombëtare.

“Së treti, Vjosa Osmani ka punuar shumë për rritjen e njohjeve. Vetëm gjatë këtij viti Kosova mori katër njohje të rëndësishme dhe thuajse të gjitha ishin produkt i punës së saj. Ajo solli njohje nga shtete serioze dhe të rëndësishme falë fjalës së saj bindëse”, thekson Bytyçi.

Sipas tij, mosrizgjedhja e Osmanit do të ndërpriste një proces të rëndësishëm diplomatik në dëm të Kosovës.

“Në fund të fundit, kush do të ishte presidente më e mirë për Kosovën sesa Vjosa Osmani? Opozita nuk ka alternativë më të mirë”, vlerëson ai.

Argumenti i katërt, sipas Bytyçit, është autoriteti i saj në opinionin publik.

“Zonja Osmani është autoritet i padiskutueshëm me reputacion shumë të madh në publik. Qytetarët e Kosovës e duan atë dhe, nëse do të votohej drejtpërdrejt, ajo do të zgjidhej pa konkurrencë. Nëse partitë opozitare dalin kundër këtij vullneti qytetar, ato do ta ndëshkojnë veten”, paralajmëron ai.

Në fund, profesori shprehet i bindur se Osmani do të jetë presidente edhe për pesë vitet e ardhshme, duke shtuar se kjo do ta mbajë atë larg politikës partiake.

“Nëse ajo do të hynte në politikë, do t’i duhej të rikthehej në LDK dhe ta reformonte atë. Vjosa Osmani është e vetmja në LDK që mund të krijojë kohezion dhe të rikthejë besimin e elektoratit. Ajo ka dhënë model politik, ka kundërshtuar koalicionet e dëmshme dhe ka refuzuar ndarjen e Kosovës”, përfundon Bytyçi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat