Nga humbja në humbje: Haziri thotë se LDK-ja po paguan për faj të udhëheqjes egoiste

Politika

Nga humbja në humbje: Haziri thotë se LDK-ja po paguan për faj të udhëheqjes egoiste

Nga: M.L. Më: 1 janar 2026 Në ora: 15:06
Një nga mbledhjet e kryesisë së LDK-së

Analisti politik Nexhat Haziri vlerëson se debakli i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit nuk ishte befasi.

Sipas tij, dështimi i partisë më të vjetër në vend është pasojë e një lidershipi që, pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, nuk arriti të reformojë strukturat dhe frymën e brendshme të partisë.

Haziri thekson se drejtuesi aktual i LDK-së, duke u fokusuar kryesisht në forcimin e pozicionit të tij personal dhe në centralizimin e vendimmarrjes, la pas dore angazhimin e bazës dhe zhvillimin e një gare të brendshme demokratike, duke kthyer LDK-në në një grup të ngushtë interesi, dhe jo në një alternativë reale për qytetarët e Kosovës.

Image
Nexhat Haziri

“Debakli që pësoi LDK-ja në zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk ishte i papritur për ata që njohin zhvillimet brenda partisë më të vjetër në Kosovë. Lidershipi aktual pas 14 shkurtit 2021 nuk e reformoi partinë, siç ishte kërkesë e kohës dhe e antarësisë, por thjesht improvizoi, dhe tani po i mban pasojat e këtij procesi që nuk ishte as reformë e vërtetë, as vizion i lidershipit të ri. Z. Abdixhiku, si kryetar i partisë, u përqendrua më shumë në forcimin e pozicionit të tij personal brenda partisë sesa në hapjen e saj nga baza, ku prurjet e reja do të lindnin nga gara e brendshme dhe jo nga preferencat e tij personale. Në vend që të krijonte hapësirë për debat demokratik dhe vendimmarrje të gjerë, ai e centralizoi gjithçka në një grup të ngushtë, duke kthyer LDK-në në një parti kryesisht për Prishtinën dhe për interesat e tij personale, dhe jo një LDK për gjithë Kosovën”, theksoi Haziri.

Ai shton se kryetari i partisë nuk ndërtoi një frymë përbashkuese brenda antarësisë, që secili aktivist, qoftë edhe i nëndegës më të vogël, të ndjehej pjesë e LDK-së.

“Ky largim i LDK-së nga baza nuk është diçka e re. Në çdo proces zgjedhor, sjellja ‘aristokrate’ e lidershipit ndaj antarësisë i ka kushtuar partisë me rënie të votave, por kjo duket se nuk i ka shqetësuar shumë ‘aristokratët’ që tashmë e kanë kthyer LDK-në në një grup të ngushtë interesi për përfitime klanore. Në vitet e fundit, LDK-ja dukej si një parti pa ambicie. Pavarësisht frazave të thata dhe paraqitjeve mediatike, nuk kishte veprim e as qëllim, dhe qytetarët vunë re se LDK-ja nuk ishte më një shpresë. Ajo nuk ishte një alternativë që mund të frenonte ambicien e Kurtit dhe LVV-së drejt një pushteti autokratik”, vijoi ai.

Në këtë situatë, Haziri thekson se LDK duhet të kthehet tek baza dhe të nisë një proces të thellë reformimi.

“Ajo që i duhet tani LDK-së është kthimi te baza përmes një procesi zgjedhor të brendshëm gjithëpërfshirës, demokratik dhe konkurrues. Çdo tentim për improvizim mund t’i zgjasë ‘derxhen’ LDK-së edhe për një proces zgjedhor, por nuk e shpëton nga kalimi në histori”, përfundoi Haziri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat