Zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën më 28 dhjetor u shoqëruan me incidente dhe dyshime për votim në grup.
Disa anëtarë të Listës Serbe u mblodhën para selisë së partisë në Mitrovicë dhe më pas shkuan të votojnë së bashku me qytetarë serb, duke krijuar dyshime për shkelje të procedurave të votimit individual dhe të lirë.
Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, në një perononcim për gazetën “Bota sot”, ka theksuar se votimi në grup përbën shkelje të rëndë ligjore dhe cilësohet vepër penale, e sanksionuar qartë nga legjislacioni në fuqi.
Sipas Kelmendit, votimi është një e drejtë personale dhe individuale e çdo qytetari, e cila duhet të ushtrohet në mënyrë të lirë, pa asnjë ndikim apo ndërhyrje nga të tjerët.
“Votimi në grup është vepër penale.
Votimi është e drejtë personale e çdo qytetari dhe ushtrohet në mënyrë të lirë dhe individuale. Askush nuk mund të votojë për llogari të dikujt tjetër. Votimi në grup, nën ndikimin e kërcënimit, presionit apo dhunës, është i ndaluar me ligj.
Votimet e tilla janë nule dhe nuk kanë fuqi juridike.
Në aspektin ligjor, është e ndaluar të veprohet në grupe të organizuara duke kontrolluar ose ndikuar votuesit për votën e dhënë. Këto veprime përbëjnë vepër penale dhe u takon organeve të hetuesisë të hapin hetime për këto vepra, si dhe të anulojnë votimet e kryera në këtë mënyrë.
Kudo që është votuar në grup, votimi duhet të anulohet”, ka thënë ai.
Sipas profesorit Kelmendi, përgjegjëse për ndalimin e votimit grupor janë KQZ-ja dhe Prokuroria.
“Janë dy institucione përgjegjëse:
1. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili ka organet e veta në terren dhe vepron duke mos lejuar votimin e organizuar dhe në grupe. Jo vetëm që e ndalon këtë praktikë, por edhe anulon rezultatin e votimit dhe paraqet kallëzim penal në prokurori për veprën penale.
2. Prokuroria, e cila hap hetimet, identifikon dhe arreston organizatorët, si dhe përgatit lëndën penale për ndjekje penale.
Veprime të tilla nuk lejohen dhe përbëjnë vepra penale. Dënimet variojnë nga gjobat me para deri te dënimi me burg deri në 5 vjet.
Në vendet ku është votuar në mënyrë grupore, votimi anulohet dhe përsëritet brenda një afati të caktuar, sipas vendimit të KQZ-së.
Thjesht: Rezultatet e votimit grupor janë nule, nuk kanë fuqi juridike dhe nuk përfshihen në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Ato anulohen dhe në ato qendra votimi zhvillohen përsëri zgjedhjet”, ka deklaruar Kelmendi.