Deklaratat e fundit të kryeministrit Albin Kurti lidhur me zgjedhjen e presidentes apo presidentit të ri në muajin prill, kur edhe i përfundon mandati Presidentes Vjosa Osmani, kanë rihapur debatet politike dhe kanë ngritur dilema serioze rreth skenarëve të mundshëm institucionalë.
"Së pari duhet ta formojmë Kuvendin dhe Qeverinë e gjithashtu duhet ta votojmë edhe buxhetin. Unë besoj se këta janë hapa më të rëndësishëm. Pra janë tre hapa para se te vijmë te rizgjedhja e presidentes, dhe unë besoj se nga këta tre hapa do të shohim si janë gjasat për të ecur përpara. Unë kam deklaruar se është e rëndësishme po ashtu të ulemi me presidenten dhe t’i bisedojmë këto gjera. Është e nevojshme sepse 80 veta në sallë është vështirësi e konsiderueshme. Ju e keni parasysh se herën që herën e kaluar s’i bëmë dot 61, 80 është numër shumë më i madh se 61. Natyrisht ekziston mundësia edhe teorike por edhe praktike që të shkojmë prapë në zgjedhje nëse nuk arrijmë ta rizgjedhim presidenten, por në një situatë të tillë duhet të jemi të gatshëm duke e pasur buxhetin e votuar”, tha ndër tjerash Albin Kurti.
Kurti, pa dhënë një emër konkret dhe pa garantuar hapur mbështetje për rizgjedhjen e Osmanit, ka lënë të hapur mundësinë e një procesi të ndërlikuar politik, që sipas analistëve, më shumë është një lojë presioni ndaj opozitës dhe vetë presidentes, sesa mungesë qartësie.
Mesazh për opozitën dhe Osmanin
Analisti politik Faton Mehmeti vlerëson se Kurti me këtë qëndrim po i dërgon një mesazh të drejtpërdrejtë opozitës, duke e paralajmëruar që të mos tentojë ta çojë vendin sërish në zgjedhje të parakohshme.
“Sipas meje, Kurti po e sfidon opozitën hapur. Mesazhi është i qartë: mos mendoni me na çu prapë në zgjedhje, sepse e dini çka ju pret. Opozita është në një situatë delikate dhe të vështirë dhe nuk besoj se do të guxojë ta rrezikojë përsëri veten”, thekson Mehmeti për "Bota sot".
Sa i përket Presidentes Osmani, Mehmeti beson se Kurti ende nuk ka marrë një qëndrim përfundimtar dhe se po pret reagimin e saj politik.
“Kurti po e mban Vjosën në ankth. Nuk po i jep siguri, sepse nuk dëshiron që ajo ta ketë postin e garantuar. Ai po pret të shohë se si do të sillet ajo dhe çfarë qëndrimi do të mbajë. Në rast se procesi dështon, atëherë Kurti mund të dalë bashkë me Vjosën në zgjedhje, me idenë që do të rriten edhe më shumë”, vlerëson Mehmeti.
Sipas tij, kjo është një taktikë e mirëmenduar politike, ku Kurti lë derën hapur edhe për opozitën, veçanërisht për LDK-në, duke e sfiduar atë publikisht.
“Qëllimi i Kurtit është ta nënshtrojë edhe më shumë LDK-në. Ai është politikan i jashtëzakonshëm dhe lojtar i fortë. Me rezultatin që arriti më 28 dhjetor, ai e ka komoditetin për ta zhvilluar këtë lojë politike dhe për t’i dërguar mesazh si opozitës, ashtu edhe Osmanit”, shton Mehmeti.
Opozita nuk e voton Osmanin
Ndërkohë, njohësi i çështjeve politike Blerim Burjani shprehet shumë skeptik se opozita, në veçanti LDK-ja, do ta votojë Vjosa Osmanin për një mandat të dytë presidencial.
“Nuk e besoj se opozita e voton Vjosën për presidente. Ajo ka qenë mbështetëse e Kurtit dhe ka punuar për VV-në. Ka caktuar datën 28 dhjetor për zgjedhje sipas kërkesës së VV-së dhe kjo ka prodhuar pasoja të rënda politike”, shprehet Burjani.
Sipas tij, largimi i Vjosa Osmanit dhe disa figurave të tjera nga LDK-ja i ka shkaktuar dëme të mëdha këtij subjekti politik, duke ndikuar drejtpërdrejt në shpërndarjen e elektoratit.
“Elektorati i LDK-së ka votuar VV-në në shumë zona të Kosovës. Tentativa e GUXO-s ka qenë ose ta fusë LDK-në plotësisht brenda VV-së, ose ta shkatërrojë atë. E njëjta përpjekje po bëhet edhe ndaj PDK-së, megjithëse gjasat aty janë më të vogla”, thekson Burjani.
Ai shton se LDK-ja si strukturë nuk mban përgjegjësi për rezultatin zgjedhor, duke e konsideruar Lumir Abdixhikun të pafajshëm për humbjen.
“Elektorati i LDK-së ose e dëshiron LDK-në në koalicion me VV-në, ose e ndëshkon. Në këto rrethana, zgjedhjet e jashtëzakonshme mbesin një opsion real dhe Kosova rrezikon të hyjë sërish në një periudhë me qeveri në detyrë dhe vakum institucional për disa muaj”, përfundon Burjani për "Bota sot".
Në këtë klimë politike, zgjedhja e presidentes apo presidentit të ri në prill po shndërrohet në një test të madh për stabilitetin institucional të vendit, ku loja politike e shumicës dhe frika e opozitës nga zgjedhjet e reja pritet të përcaktojnë epilogun final.
Kujtojmë se mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon në prill të vitit 2026. Ajo e nisi këtë detyrë më 4 prill 2021, kur u zgjodh nga Kuvendi i Kosovës me 71 vota për, nga 82 deputetë pjesëmarrës në votim.