Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar zyrtarisht shfuqizimin e rreth 20.000 votave të dërguara në vend përmes postës nga mërgata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke u thirrur në shkelje ligjore.
PDK - e cila doli e dyta në zgjedhje - parashtroi ankesë në Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), këtë të enjte.
Ajo tha se mbi 20.000 fletëvotime ishin dërguar me postë nga jashtë vendit me vonesë, pas afatit të lejuar ligjor.
Ditë më parë, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, tregoi për REL se komisioni - i cili mbikëqyr procesin zgjedhor në vend - i kishte pranuar rreth 20.000 fletëvotime të dërguara me postë nga mërgata në fillim të janarit.
“Janë rreth 20 mijë pako me fletëvotime të tërhequra më 2 dhe 5 janar që pritet të numërohen së shpejti”, tha Elezi më 5 janar.
Por, çka mund të prodhojë kjo ankesë e PDK-së?
Geci: Nuk ka indikacione serioze se në këto vota ka pasur keqpërdorim të organizuar.
E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli Halil Geci.
Fillimisht, tha se ankesa është e garantauar me ligj, mirëpo që ai e vlerëson se kjo ankesë është më shumë përpjekje për të kontestuar vullnetin politik të mërgatës.
“E drejta për ankesë është e garantuar me ligj dhe përbën pjesë të procesit demokratik. Megjithatë, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se ankesa do të prodhojë efekt juridik, sidomos në mungesë të provave të qarta për shkelje ligjore apo keqpërdorim të votës.
Ankesa e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që ka të bëjë me rreth 20.000 vota të ardhura me postë nga diaspora, duket më shumë si një përpjekje për të kontestuar vullnetin politik të mërgatës sesa një shqetësim real për integritetin e procesit zgjedhor”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Geci foli edhe për vonesat në ardhjen e votave, e që theksoi se nuk mund të lidhen me qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës, por edhe me shkaqet teknike, siç janë festat zyrtare.
Sipas tij, nuk ka indikacione se janë keqpërdor votat në fjalë.
“Duhet theksuar se vonesat në dërgimin e votave nga diaspora nuk mund t’u atribuohen automatikisht qytetarëve votues. Faktorë si festat zyrtare, ngarkesa e shërbimeve postare ndërkombëtare dhe procedurat doganore janë rrethana objektive, të njohura dhe të përsëritura edhe në zgjedhje të mëparshme.
Nuk ka indikacione serioze se në këto vota ka pasur keqpërdorim të organizuar. Përkundrazi, përvoja e kaluar ka treguar se akuzat për manipulime zgjedhore historikisht janë lidhur më shpesh me strukturat e pushtetit dhe partitë që sot po ankohen, përfshirë vetë PDK-në”.
Ndër të tjera, analisti foli edhe për mundësinë sa mund të zvarritet procesi i certifikimit të rezultateve, pas kësaj ankese.
“Sa i përket mundësisë që kjo ankesë të zvarrisë certifikimin e rezultateve, procedurat ligjore mund të shkaktojnë vonesa teknike, por është pak e besueshme që kjo të çojë në shfuqizim masiv të votave të diasporës pa vendim të fortë gjyqësor dhe prova konkrete.
Në fund, vullneti i qytetarëve – brenda dhe jashtë vendit – duhet të respektohet. Demokracia nuk mund të funksionojë duke kontestuar rezultatin vetëm kur ai nuk përputhet me pritjet politike të subjekteve të caktuara”, përfundoi Halil Geci për “Bota sot”.
Sipas Ligjit të Kosovës për Zgjedhjet, fletëvotimet e dërguara me postë nga jashtë vendit mund të pranohen nga KQZ-ja më së largu një ditë pas zgjedhjeve.
Neni 96 thotë se “vota përmes votimit jashtë Kosovës, e dërguar me postë në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, pranohet nga KQZ-ja deri të nesërmen e ditës së zgjedhjeve në orën 16:00, me kusht që të ketë vulën e dërgimit para ditës së zgjedhjeve”.
Haziri: Ankesa e PDK-së brenda afatit ligjor
E në lidhje me ankesën e PDK-së dhe shkaqet që mund të fshihen pas saj, për “Bota sot” foli edhe analisti politik, Nexhat Haziri.
Sipas tij, rezultati i është i pastër, mirëpo që edhe PDK ka të drejtë ankese dhe se PZAP do e shqyrtoj si duhet.
“Nuk shoh kurrfarë skenari e as nevoje për një gjë të tillë nga asnjëri subjekt politik. Rezultati është i pastër nga ajo që është nxjerrë nga kutit e votimit. Sa i përket ankesës së PDK-së për 20.000 votat me poste të ardhura pas afatit ligjor është veprim normal e demokratik, dhe besoj se PZAP do ta shqyrtoj brenda kornizës dhe afatit ligjor”.
Gjithashtu, ai foli edhe për vonesat e arritjes së votave, derisa tha se do duhej të respektohej afati dhe të merren parasysh të gjitha gjërat dhe problemet që mund të hasen.
“Nuk mund të pretendohet e të nxirret si fakt se vonesa është si rezultat i festave të fundvitit, pasi kjo është dashtë të parashikohet me kohë dhe të vlerësohet nga ata që kishin caktuar 28 dhjetorin si datë të votimeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Pra procesi i numërimit nuk mund të zgjasë apo të shtyhet për shkak se një pako fletëvotimësh mund të mbërrijnë edhe në pranverë dhe të arsyetohet se ishte festë apo të çfarëdo forme tjetër. Duhet të respektohet afatet. Kaq!” – përmbylli Nexhat Haziri për “Bota sot”.