Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) njoftoi të premten vonë se e ka hedhur poshtë si të paafatshme kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për shfuqizimin e rreth 20.000 votave të dërguara në vend përmes postës nga mërgata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
PDK - e cila doli e dyta në zgjedhje – kërkoi nga PZAP-ja të enjten t’i shpallë të pavlefshme votat në fjalë, duke thënë se ato ishin dërguar me postë nga jashtë vendit me vonesë, pas afatit të lejuar ligjor.
E për këtë temë, për “Bota sot” foli analisti Agim Vuniqi.
Si fillim, u shpreh se ankesa e PDK-së nuk duhet të parë vetëm si çështje tenknike, por që në thelb mban argumente politike që rrezikojnë procesin zgjedhor.
“Ankesa e Partia Demokratike e Kosovës në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kundër rreth 20 mijë votave të diasporës nuk duhet parë vetëm si një çështje teknike apo procedurale. Në thelb, ajo përmbante argumente politike që rrezikojnë drejtpërdrejt procesin zgjedhor, stabilitetin institucional dhe interesin shtetëror të Kosovës”.
Sipas tij, pretendimi për “afatin” ishte një pretekst politik, derisa nuk u morën parasysh disa fakte objektive.
“Argumenti se votat e diasporës kanë ardhur me vonesë pas afatit ligjor po përdoret si preteks formal, duke anashkaluar faktet objektive: periudha festive, funksionimi i kufizuar i shërbimeve postare dhe pamundësia reale që qytetarët jashtë vendit të kontrollojnë kohën e mbërritjes së dërgesave. Në këtë mënyrë, përgjegjësia synohej të zhvendosej nga sistemi tek votuesi – një qasje që bie ndesh me parimin demokratik se e drejta e votës duhet mbrojtur, jo penalizuar”.
Krahas kësaj, Vuniqi konisderoi se synimi real ishte zvarritja e procesit, derisa foli edhe për rëndësinë e votës së diasporës.
Më tej, ai kërkoi që të mos zvarritën më shumë procedurat, por të vazhdohet sa më shpejt me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.
“Nuk është sekret se diaspora ka peshë reale politike dhe shpesh ka prirje të ndryshme elektorale nga vota brenda vendit. Kontestimi masiv i votave të saj krijon një precedent të rrezikshëm: kur rezultati nuk i përshtatet dikujt, vihet në pikëpyetje vetë vota. Kjo qasje minon besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe dëmton lidhjen strategjike të shtetit me mërgatën.
Edhe po te lëm anash procesin si i pranueshëm nga te gjitha subjektet politike, por edhe nga kryetarët e tyre kjo përpjekje shkakton dëm shtetëror, sikurse janë buxheti dhe ekonomia, sepse Kosova ndodhet në një moment kur kalimi sa më i shpejtë i buxhetit është jetik. Çdo vonesë në konstituimin e Kuvendit dhe të qeverisë: paralizon investimet publike, vonon pagat, projektet kapitale dhe politikat sociale, rrit pasigurinë ekonomike dhe financiare. Në këtë kontekst, zvarritja institucionale nuk është neutrale – ajo është dëm i drejtpërdrejtë për shtetin dhe qytetarët. Nëse kjo praktikë normalizohet, çdo palë e pakënaqur me rezultatin do të tentojë ta mbajë shtetin peng përmes ankesave procedurale. Kjo e zhvendos demokracinë nga vendimmarrja qytetare në bllokadë politike, duke e dobësuar vetë shtetin”, nënvizoi ai.
Në fund, analisti shtoi se, çdo veprim që shkon në drejtim të kundërt me formimin e institucioneve, është veprim kundër shtetit.
“Si qytetar dhe analist, e konsideroj këtë ankesë jo si mbrojtje të ligjit, por si përdorim politik të ligjit për të dëmtuar procesin zgjedhor dhe për të shtyrë funksionalizimin e shtetit. Kosova nuk ka luksin e krizave artificiale. Ajo ka nevojë për institucione të konstituuara shpejt, për buxhet të miratuar në kohë dhe për stabilitet politik. Çdo veprim që shkon në drejtim të kundërt është veprim kundër interesit shtetëror”, përfundoi Agim Vuniqi për “Bota sot”.