Mesazh i fortë nga SHBA: Pa Vjosa Osmanin presidente Kosova rrezikon të humbas momentin historik

Politika

Mesazh i fortë nga SHBA: Pa Vjosa Osmanin presidente Kosova rrezikon të humbas momentin historik

Nga: M.L. Më: 13 janar 2026 Në ora: 14:01
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Muaji mars pritet të sjell dinamika të reja në skenën politike të Kosovës përsa i përket zgjedhjes së Presidentit të ri.

Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur synimin e saj që ta rimarr edhe një mandat presidencial, por ende nuk dihet se a do të mund t’i sigurojë votat e partive opozitare për t’i bërë gjithsej 81 sa i duhen për rizgjedhje.

Megjithatë rizgjedhja e Osmanit në postin e presidentes po konsiderohet si domosdoshmëri në situatën në të cilën ndodhet Kosova.

Publicisti dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA), Hafiz Shala, ka deklaruar se zgjedhja e Vjosa Osmanit Presidente nuk është çështje dëshire individuale apo kalkulim politik, por një domosdoshmëri e momentit aktual gjeopolitik në të cilin ndodhet Republika e Dardanisë (Kosova).

Në një deklaratë për “Bota sot”, Shala thekson se zgjedhjet e fundit nacionale kanë dëshmuar pjekuri të lartë demokratike, duke e cilësuar procesin si shembull unik në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë në Evropë. 

Image
Hafiz Shala, publicisti dhe autor i 5 librave

Sipas tij, rezultati plebishitar që solli rizgjedhjen e Albin Kurtit Kryeministër përbën një verdikt të qartë të sovranit, i cili rrëzoi, siç thotë ai, “teoritë subversive dhe propagandën e opozitës, të ndihmuar nga qarqe të brendshme dhe të jashtme, përfshirë edhe Serbinë”.

“Vjosa Osmani Presidente nuk është dëshirë individuale apo kolektive, por imperativ i momentit aktual në të cilin gjendet Republika e Dardanisë.

Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale, të cilat përfunduan në mënyrën më të avancuar demokratike – shembull unik në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë – u nxor rezultati që, në radhë të parë, e priti dhe e dëshiroi sovrani. Në mënyrë plebishitare, me një rezultat që kurrë më parë në historinë e Dardanisë (Kosovës) nuk ka ndodhur, u zgjodh z. Albin Kurti për Kryeministër, duke hedhur poshtë teoritë subversive propagandistike të opozitës, në bashkëpunim me qarqe të ndryshme brenda dhe jashtë atdheut, përfshirë shtetin fqinj, i cili, sipas shumë informatave, ka shpenzuar para të mëdha për t’ia arritur qëllimit: pengimin me çdo kusht të ardhjes së Albin Kurtit në krye të qeverisë”, u shpreh Shala për “Bota sot”.

Sipas tij, vetëdija kombëtare e qytetarëve bëri që pjesa veriore të kthehej përfundimisht në duart e organeve shtetërore të Dardanisë.

“Vetëdija kombëtare e qytetarëve brenda dhe jashtë atdheut, duke analizuar kontributin e tij në periudhën pesëvjeçare në krye të Qeverisë, në radhë të parë çlirimin definitiv të pjesës veriore, e cila ishte plotësisht e kontrolluar nga strukturat terroristo-kriminale serbe të dirigjuara nga Beogradi, bëri që kjo pjesë të kthehej përfundimisht në duart e organeve shtetërore të Dardanisë. Kjo u shndërrua në një pengesë të paprecedent, duke e votuar njeriun më të respektuar, më të dashur, më të pastër në çdo aspekt dhe më të besuarin deri tani në historinë tonë kombëtare.

Me ndryshimin e gjendjes në veri, u vërtetua para Amerikës dhe Evropës se, me zbatimin e ligjeve dhe Kushtetutës së vendit, jeta e përbashkët është e mundur pa pengesa, por gjithmonë duke e penguar përzierjen e Serbisë në punët e brendshme të një shteti sovran dhe demokratik”, u shpreh Shala.

Tani, për ta vazhduar suksesin në marrëdhëniet ndërkombëtare në kuadër të gjeopolitikave që po pësojnë ndryshime rapide dhe të paparashikuara, Shala thekson se në krye të shtetit na duhet një personalitet si Zonja e nderuar dhe e respektuar Vjosa Osmani.

“Nuk janë fjalë kurtuazie, por meritë e saj e pakontestuar që Republika e Dardanisë, si kurrë më parë, ka qenë e përfaqësuar, përmes së cilës ka fituar besim dhe simpati nga qarqet vendimmarrëse të botës, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – partneri, miku dhe gardiani ynë i pazëvendësueshëm – e cila, përmes ombrellës së sigurisë kombëtare amerikane, e ka futur edhe Republikën e Dardanisë (Kosovën) gradualisht drejt Bashkimit Evropian, duke pasur parasysh ndikimin rus në disa shtete evropiane si aleate të saj.

A duhet dikujt t’i shpjegohet pse znj. Vjosa Osmani patjetër duhet të zgjidhet në krye të shtetit? Në paraqitjet e saj të suksesshme, në mbrojtjen me argumente të interesave të shtetit, posaçërisht në seancat e OKB-së, duke e denoncuar Serbinë me fakte, dëshmi dhe me praninë e personave të mbijetuar të dhunës, ajo e ka turpëruar Serbinë para botës. Meritat e saj të pakontestueshme janë edhe katër njohjet e fundit, me pritje për njohje të tjera, duke e pasur parasysh qëndrimin dhe respektin që gëzon nga shumë shtete të botës. Nuk mund ta kuptoj nëse dikush ka rezerva apo thjesht ambicie personale, qoftë brenda ndonjë partie apo individuale, për këtë post. Një gjë e tillë nuk ekziston. Paramendojeni kur Serbia shpenzoi para të mëdha për ta aranzhuar një takim të Aleksandar Vuçiqit me presidentin Donald Trump në rezidencën e tij në Mar-a-Lago, i cili dështoi duke e turpëruar Vuçiqin para botës dhe popullit të tij, të cilit më pas iu servir gënjeshtra se ishte i sëmurë rëndë. Ndërkohë, çdo shtet në botë e ka ëndërr ta takojë presidentin Trump, derisa znj. Vjosa Osmani ka pasur disa takime, përmes të cilave ka arritur t’ia tregojë të vërtetën botës për Dardaninë dhe pengesat, deri te kërcënimet e Serbisë ndaj shtetit tonë, me qëllim destabilizimin e rajonit, duke dëshmuar kështu lidhjet e saj të ngushta me Rusinë”, nënvizoi Shala.

Andaj, Shala ka bërë thirrje që të mos luhet me fatin e Kosovës, pasi aktualisht falë presidentes Osmani marrëdhëniet Kosovë-SHBA janë në fazën më të mirë.

“Prandaj, mos luani me fatin e vendit kur e kemi mundësinë që marrëdhëniet me SHBA-të, tashmë të paralajmëruara, janë në fazën më të mirë ndonjëherë. Znj. Vjosa Osmani mund të thuhet se është “fëmijë” amerikan, e cila ka përvetësuar vlera parimore demokratike, të sinqerta dhe gjithmonë në interes të SHBA-ve, ashtu siç veproi edhe Kryeministri Kurti në momente kyçe, kur shtetet mike u rreshtuan në anën e Amerikës, përfshirë edhe rastin e fundit lidhur me Venezuelën dhe bashkëpunimin për emigrantët”, është shprehur ai.

Publicisti shqiptaro – amerikan ka hedhur kritika të ashpra ndaj opozitës për propagandën e saj kundër Kurtit e Osmanit.

Në fund ai ka thënë se ambasada amerikane duhet ta ftojë opozitën dhe t’iu kërkojnë votimin e Vjosa Osmanit për postin e proesidentes.

Fatkeqësisht, opozita e bashkuar, në bashkëpunim me Listën serboshqipfolëse, nuk ka lënë propagandë më të ulët pa zhvilluar, duke sulmuar Albin Kurtin dhe duke shpërndarë narracione të pavërteta, përmes të cilave u tentua të ndikohej edhe në disa qarqe në Uashington, me ndihmën e disa organizatave shqiptaro-amerikane deri dje të panjohura.

U krijua edhe narracioni i rremë: “Albini kurrë kryeministër”, pas një takimi të opozitës në Ambasadën Amerikane në Dragodan, ku u hodhën akuza të pabaza për bllokimin e institucioneve, të cilat në fakt u penguan nga vetë opozita, duke mos e votuar Kryeparlamentaren znj. Albulena Haxhiu, gruan më të votuar, thjesht sepse nuk u pëlqente.

Jam i bindur se tani të vërtetën e tha populli dhe është e udhës që ambasada ta ftojë opozitën dhe t’u kërkojë ta votojnë znj. Vjosa Osmani, duke i shmangur zgjedhjet e panevojshme, të dëmshme dhe lojën me elektoratin, i cili nuk e meriton një trajtim të tillë.

Për ta arritur këtë, garancia më e sigurt do të jetë Presidentja Vjosa Osmani. Unë pres që Ambasada Amerikane, si gjithmonë deri më tani, të vazhdojë të jetë bashkudhëtare e sinqertë dhe e pandarë në rrugëtimin tonë të suksesshëm të shtetndërtimit dhe shtetkonsolidimit deri në ditët e sotme”, ka përfunduar Shala.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat