Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit të kaluar sollën rezultatin e dytë më të keq për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Kjo ndikoi menjëherë në përplasje të brendshme në këtë parti, ku disa i dolën në mbrojtje të kryetarit Lumir Abdixhiku, e disa të tjerë i kërkuan dorëheqje të menjëhershme.
E në lidhje me zhvillimet e fundit në LDK, për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.
Fillimisht, ai beson se Abdixhiku u vu në krye të LDK-së, për ta shkatërruar atë, madje vlerëson se këtë e ka “mission special”.
“Lumir Abdixhiku nuk vendos me meritë, as me dëshirën dhe vullnetin e anëtarëve të partisë në krye të LDK-së, madje ai nuk u soll aty as vetëm nga Isa Mustafa, siç është folur në vijimësi, por u katapultua në formën misterioze të vendimeve të PRONTO-mafisë nga një klikë "possible" me mision special, për shkatërrimin e partisë së parë dhe më të madhes demokratike në Kosovë, të formuar nga dr. Ibrahim Rugova, andaj duket qartë se pa lejen e atyre që e vendosën Abdixhikun pa qenë kurrë as anëtar i thjeshtë partie, në krye të këtij segmenti dikur mbarëshqiptar politik, ai tani as dorëheqjen nuk mund ta ofrojë, pa miratimin e padronëve, nga frika se pas dorëheqjes së tij, për LDK-në mund të hapet një kapitull të ri dhe rikthimi në gjeografinë e dikurshme të mbështetjes popullore”.
Gjithashtu, Qarri u befasua me qasjen e kohëve të fundit të kryetarit të LDK-së, ndaj mediave dhe kritikëve të tij.
Në këtë pikë, ai kërkoi shkarkim urgjent të Abdixhikut, pasi sicc thotë ai, nëse kjo nuk ndodhë, ai do e qojë deri në fund shkatërrimin e partisë.
“Madje habit shumë veçanërisht gjuha ironike dhe tepër paragjykuese e ditëve të fundit e Abdixhikut, si ndaj mediave ashtu edhe ndaj të gjitha kritikave të drejta dhe të arsyeshme që vijnë brenda e jashtë LDK-së, kundër tij, kështu që nëse Abdixhiku nuk shkarkohet urgjentisht nga forcat vendimmarrëse të LDK-së, druaj se ai do ta qojë deri në fund shkërmoqjen totale të kësaj partie, të parës e dikur më të madhes institucionale në Kosovë.
Kështu që pas shkarkimit të tij, LDK duhet ta ngritë urgjentisht një komision hetimor, për hulumtimin e mënyrës së ardhjes së Abdixhikut në krye të partisë, dëmet që ai i ka shkaktuar asaj dhe misionin e vërtetë, për të cilin u katapultua me diktat të vendosur nga jashtë partisë, në krye të LDK-së, akt që nuk ka ndodhur me asnjë segment tjetër politik, në demokracinë e 26 viteve të pasçlirimit të vendit tonë”, vlerësoi analisti.
Krahas kësaj, ai duke parë zhvillimet e fundit, konsideron se, Abdixhiku, nuk do të largohet vullnetarisht nga posti i tij.
“Abdixhiku në vend se ta marrë përgjegjësinë që i takon, për humbjen e thellë të 28 dhjetorit e të ofrojë urgjentisht dorëheqje të parevokueshme, ka filluar te bëhet edhe qesharak, duke sulmuar me cinizëm të paparë edhe mediat dhe fajësuar ato për "propagandë" e “sulme të paguara nga jashtë”, ani pse të gjithë ata të cilët i kanë përcjellë me vëmendje deklarimet e pavendosura dhe të lëshuara me konotacione disakuptimshe, e kuptojnë qartë se Abdixhiku, as që e ka ndërmend të largohet vullnetarisht nga posti i kryetarit të LDK-së, pasi që duket se misionin e marrë përsipër, nuk ka arritur ta qojë deri në fund.
Prandaj "forcat" e padukshme të cilat e katapultuan atë në krye të LDK-së, e që rrjedhimisht ndoshta edhe tani vendosin për fatin e tij politik, akoma kanë interes të madh, për ta defaktorizuar e mundësisht edhe shuar e shkapërderdhur tërësisht këtë parti, në mënyrë që ta heshtin jo vetëm historinë e ndritur shtet formuese të ish LDK-së, por ta mënjanojnë e heqin, qoftë edhe përkohësisht nga fjalori i politikës ditore edhe emrin rrezatues të ish krijuesit famëmadh të saj dhe presidentit historik të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova”.
Më tej, analisti vazhdoi me kritika ndaj të parit të LDK-së, ku tha se e ka shkatërruar këtë parti dhe se me qëndrimet dhe deklaratat e tij, po përçon mesazhet më të këqija te votuesit e saj.
Madje, tha se duhej të jepte dorëheqje të parevokueshme dhe jo të arsyetohej sicc po e bën tash.
“Lumir Abdixhiku pasi ka shkatërruar të gjitha rregullat e veprimit të partisë, me veprimet e fundit, po dëshmon se është shumë i lidhur për postin e kryetarit dhe se fatin e tij individual, me vetëdije e ka vendosur mbi interesat e LDK-së, duke përdhosur edhe dinjitetin e lartë ish demokratik të vendimmarrjes në LDK, ulur për tokë besimin e anëtarësisë dhe shkelur kohezionin e dikurshëm tradicional në këtë segment-dikur të mirënjohur politik, gjë që ka dëmtuar rëndë unitetin e partisë, përçarë edhe brenda për brenda LDK-në, e përçuar mesazhet më të këqija te votuesit e saj, gjë që u pa haptazi edhe në votimet e fundit, andaj për të dëshmuar aktin e tij moral e treguar në vepër, se vërtetë është i vendosur të marrë përgjegjësin që realisht i takon si kryetar partie, për humbjen e thellë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ai do duhej ta ofronte aty për aty, dorëheqjen e parevokueshme dhe të largohej menjëherë pas publikimit të rezultatit denigrues nga posti i kryetarit, e jo të arsyetohet as të shpërndaj edhe dy-tre javë pas, deklarata majtas e djathtas, se gjoja do ta thërrasë herë Kryesinë e herë Kuvendin e partisë dhe vetëm nëse ata vendosin, ai do të dorëhiqet”, shpjegoi Qarri.
E analisti e përmendi dhe përshëndeti dorëheqjen e Hykmete Bajramit, e cila sipas tij, mori përgjegjësinë që i takon.
“Abdixhiku çuditërisht edhe mbi postin e luhatur, nën të cilin ka filluar ti rrëshqas dheu nën këmbë, pretendon me cinizëm të bëhet edhe president i vendit, duke u përpjekur ta "kushtëzojë" vet fituesin e zgjedhjeve për marrëveshje politike, ndërsa deri më tani në LDK-në aktuale, vetëm Hykmete Bajrami të paktën pas humbjes katastraofale, duket se e ka kuptuar peshën e përgjegjësisë për humbjen e thellë, e cila jo vetëm se u largua vet nga posti që mbante, por i kërkoi publikisht dorëheqjen nga kreu i partisë edhe parashutistit të Isa Mustafës- Lumir Abdixhikut”.
Në fund, Qarri shtoi se, Kuvendi i partisë duhet ta shkarkojë Abdixhikun përfundimisht nga posti i të parit të LDK-së dhe çlirojë partinë e dr. Ibrahim Rugovës nga misionarët e shkatërrimit të saj.
“Andaj duke parë tensionet e brendshme të shkaktuara pas humbjes së zgjedhjeve të 28 dhjetorit në LDK dhe kërkesat gjithnjë e më të zëshme brenda dhe jashtë partisë për dorëheqjen e tij, nëse ai përkundër fajit që bartë për humbjen e madhe, sërish këmbëngul të mos largohet vet, besoj se do të detyrohet Kuvendi, që deshi apo jo Abdixhiku, ta shkarkojë atë përfundimisht nga posti i të parit të LDK-së dhe çlirojë partinë e dr. Ibrahim Rugovës nga misionarët e shkatërrimit të saj, për ti hapur rrugën e kthimit në origjinalitetin e dikurshëm dhe marr namin që kishte, në kohën kur populli dhe qytetarët e Kosovës, vërtetë e donin e mbështesnin dhe votonin me shumicën dërmuese këtë ish segment të mirënjohur shtetformues dhe institucional”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.