Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po përballet me një krizë të thellë pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet e fundit.
Rënia drastike e mbështetjes elektorale ka vënë në qendër të kritikave udhëheqësin aktual, Lumir Abdixhikun, për të cilin tashmë po kërkohet dorëheqja.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se do të ofrojë dorëheqjen nga posti i kryetarit, por ka theksuar se nëse partia nuk e pranon këtë dorëheqje, ai do të detyrohet të qëndrojë në pozitë.
Publicisti Dedë Preqi ka komentuar për “Bota sot” mbi situatën e LDK-së pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.
Ai ka theksuar se pavarësisht rënies drastike të partisë, subjekti nuk duhet të hidhet i tëri poshtë, pasi krizat janë të zakonshme në çdo demokraci.
“Mbas një rënie drastike të LDK, në zgjedhjet e fundit të 28 dhjetorit të 2025, subjekti si i tillë nuk mund të hidhet i tëri poshtë, sepse këto ngjarje janë të mundshme dhe mund të ndodhin kudo në demokraci dhe në ekzistencën e saj, por dikush, apo lideri i saj do duhej të përgjigjet dhe të jap llogari ndaj një dështimi të tillë.
Para së gjithash, demokracia i ka parimet e veta, kur brenda një subjekti politik zbulohet prania e një krize brenda përbrenda saj, do të ishte e shëndetshme për një subjekt politik, që kreu i këtij subjekti të sqaroj rrethanat dhe shkakun e dështimeve, përndryshe kriza do thellohej dhe më shumë.
Poashtu edhe në rastin e LDK, sikur në çdo subjekt politik ka kriza të tilla, por do të ishte pak e tepruar me këto vërejtje dhe kritika të përditshme ndaj një subjekti, që nganjëherë janë edhe të gërditshme, sepse asnjë subjekt politik nuk e dëshiron vetveten të bie në një krizë të tillë dhe të thellë.
Mirëpo, nuk është aq e prerë në rrënjë kjo situatë, që të mos mëkëmbët përsëri dhe të përtërihet rroli i saj historik në demokraci, kur në mesin e saj ka gjenerata të reja intelektuale dhe profesionale, të cilat do ta shtyjnë këtë parti përpara dhe në formën e saj historike dhe politike”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Preqi ka shtuar se rënia e LDK-së është shqetësuese, duke theksuar se partia dikur kishte shumë adhurues nën udhëheqjen e Rugovës, por tani zbrazëtia e saj historike po duket qartë.
“Vetëm diçka është brengosëse, se LDK- e dikurshme kur i printe dr.Rugova, kishte shumë adhurues dhe simpatizantë të saj, dhe tani nuk i besojnë kësaj rënie të tillë, sikur po zbulohet shumë lehtë zbrazëtia e një personaliteti historik dhe po ndikon në historinë dhe rrugëtimin e këtij subjekti sot.
Në këto rrethana të rënies së LDK-së, në një nivel që nuk e besojnë dhe pranojnë ithtarët e saj, mirëpo, njerëzorja fisnike e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, do duhej pa hezitim të jap dorëheqje të pa revokueshme, sepse sa më kryeneqësi ta vënë këtë fajësi në refuzim, aq më qartë do të del në pah kjo pabesi ndaj elektoratit të vet”, ka shtuar ai.
Në fund, Preqi ka thënë se pozita e Abdixhikut si lider i LDK-së është lëkundur dhe dorëheqja e tij do të ishte një akt i nevojshëm moral dhe respekt ndaj elektoratit.
“Pa marrë parasysh se një rreth i ngushtë i Abdixhikut, nuk e pranon dorëheqjen e kreut të vet, duke e detyruar të qëndrojë në këtë pozitë, procesi vazhdon më tej, por personalitetit apo kreut të këtij subjekti politik iu është lëkundur njëherë pozita e liderit dhe i të qenit të tij unik.
Dhe nuk ka rëndësi pozita e liderit dhe ambiciet e tij për të qenë në krye të një subjekti politik edhe pse e merr përgjegjësinë e humbjeve dhe dështimet, por ç’do të ndodh në të ardhmen e këtij subjekti politik sikur në këtë rast me LDK, nëse përvijohet një rrugëtim i tillë, duke nënkuptuar më të jo një lloj gjykimi, por thjeshtë përshkrimin e një fakti, që e bënë të pakuptimtë zanafillën e vet tek imazhi i mëhershëm dhe i njeriut të këtij subjekti.
Hezitimi i dorëheqjes së kreut të LDK-së, do të ishte vetëm një humbje kohe, dhe kjo nuk ka të bëjë thjeshtë me zbulimin e metodave dhe formave të reja, as me rritjen e mundësive dhe të detyrave, por ka të bëjë me tiparin e asaj që përveç përgjegjësisë, dorëheqja është edhe akt moral dhe kulturë njerëzore”, ka përfunduar Preqi.