Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që procesi zgjedhor të shkojë në rinumërim të plotë në të gjitha komunat e Kosovës, duke ndryshuar kështu vendimin e mëhershëm për rinumërim vetëm të 10 për qind të vendvotimeve në disa komuna.
Vendimi për rinumërimin e plotë të 28 komunave erdhi pas gjetjeve të raportit të rinumërimit të deritanishëm, i cili ka evidentuar pasaktësi të konsiderueshme, veçanërisht në numërimin e votave për kandidatët.
Po ashtu, KQZ ka vendosur ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në komunën e Prizrenit, pas vlerësimit se kjo komunë paraqet rastin më problematik në procesin e numërimit.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se rinumërimi është ndërmarrë me qëllim të garantimit të saktësisë së rezultateve dhe për të siguruar që vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës të reflektohet në mënyrë të drejtë.
Ai bëri të ditur se KQZ, me vetëiniciativë, ka zhvilluar verifikime në disa vendvotime dhe, si rezultat, më 13 janar kishte marrë vendim për rinumërimin e fletëvotimeve në 914 vendvotime. Sipas këtij vendimi, në 10 komuna ishte paraparë rinumërimi i plotë, ndërsa në 28 komuna vetëm 10 për qind e vendvotimeve – proces që tashmë është zgjeruar në rinumërim të plotë.
Sipas Radoniqit, raporti i rinumërimit të më shumë se gjysmës së vendvotimeve tregon se ndryshimet në votat për subjektet politike janë minimale dhe pothuajse të papërfillshme, çka nënkupton se rezultatet e subjekteve politike janë paraqitur saktë.
Në të kundërtën, situata është ndryshe te votat për kandidatët. “Të dhënat pas rinumërimit tregojnë një shkallë të lartë të pasaktësive në numërimin e votave për kandidatët”, tha Radoniqi. Ai bëri të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), pas rinumërimit, 36,007 vota për kandidatë janë zbritur nga rezultatet e mëparshme, ndërsa 20,978 vota u janë shtuar kandidatëve, të cilat më herët nuk ishin regjistruar saktë në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN).
Sipas tij, komuna e Prizrenit është rasti më ekstrem. Pas rinumërimit në QNR për këtë komunë, 29,343 vota për kandidatë janë zbritur nga rezultatet fillestare, ndërsa 16,366 vota janë shtuar, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN të Prizrenit.
Në komunat tjera, Radoniqi tha se nuk janë vërejtur dallime të mëdha, megjithatë në disa vendvotime janë identifikuar ndryshime më të theksuara për disa kandidatë, përfshirë edhe rivlerësimin e fletëvotimeve të pavlefshme.
Para mbledhjes së KQZ-së, raporti është diskutuar në Këshillin për Operacione Zgjedhore, nga i cili kanë dalë dy rekomandime kryesore: rinumërimi i plotë i vendvotimeve në të gjitha komunat dhe ndërprerja e mandatit të përfaqësuesve të subjekteve politike në KKZ të Prizrenit.
Në fund, Radoniqi theksoi se të gjitha gjetjet nga procesi i rinumërimit do t’i adresohen Prokurorisë së Shtetit, duke ofruar njëkohësisht bashkëpunim të plotë institucional për procesin hetimor, në funksion të ruajtjes së integritetit dhe besimit të publikut në procesin zgjedhor.
Për rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, reflektimin e opozitës dhe mos refletimin e një pjese të opozitës, ka folur Vesel Makolli, njohës i zhvillimeve në vend.
Sipas tij, rezulatet janë të papritura.
“Bazuar në qeverisjen në mandat të plotë 4-vjeçar të VV, në veçanti në sferën e zhvillimeve të mbrendshme ekonomike, që nuk ka pasur thithje të investimeve nga jashtë dhe as investime kapitale, si dhe uljen e rejtingut në rrafshin ndërkombëtar, në veçanti në raport me miqtë tanë ndërkombëtarë, rezultatet e zgjedhjeve të fundit nacionale, janë të papritura, gjegjësisht ma shumë ngjajnë në votë tifozerie se sa në votë, që duhet dhënë në bazë të vlerësimit të qeverisjes dhe plan programit më të mirë aktual të partisë gjegjëse. VV ka ditur ta përdorë faktorin kohë dhe popullizmin e mbështjellur me folklorizëm patriotik, për përfitimin e votave nga pjesa e elektoratit që kanë qenë të pa kënaqur me tretmanin e tyre në partitë e opozitës si dhe e elektoratit nga bota e jashtme”, deklaron Makolli.
Ai thotë se partitë e opozitës duhet t’i analizojnë rezultatet dhe të reflektojnë.
“Jo homogjeniteti i duhur i mbrendshëm të partitë e opozitës, ka rezultuar me rrjedhjen e shumë votave te partia fituese. Në këtë kontekst, partitë e opozitës duhet t’i analizojnë rezultatet e zgjedhjeve dhe të reflektojnë për t’i mobilizuar radhët e veta në të gjitha nivelet e organizimeve të tyre të mbrendshme”, shprehet njohësi.
I pyetur rreth rënies së AAK-së dhe mos deklarimeve për një reformatim, Makolli thotë se kjo parti duhet vullnet për këtë dhe të zgjerojë kuadrin rinor.
“Sa i përket AAK, ajo qysh nga krijimi i saj, nëse nuk gaboj vetëm njëherë e ka pasur rezultatin në zgjedhje nacionale dyshifrore, tjera herë rezultati i saj është sjellur rreth 8%. Nëse analizohen votat e marra të AAK-ës dhe kandidatët fitues, fitohet përshtypja për AAK-ën si parti rajonale me ndikim të madh personalizues. AAK ka potencial për rimëkëmbje dhe për ripozicionim, vetëm duhet të ketë vullnet dhe angazhim për një gjë të tillë.
Në këtë kontekst, kjo parti duhet të reflektojë, të ketë vullnet për reformim dhe për prurje të reja favorizuese të kuadrove të reja, në veçanti të kuadrit rinor dhe për zgjerimin e radhëve të veta gjeografikisht”, përfundon Makolli.