Ftesë historike nga SHBA për Kosovën, Bytyçi: Meritë e lidershipit Kurti-Osmani

Politika

Ftesë historike nga SHBA për Kosovën, Bytyçi: Meritë e lidershipit Kurti-Osmani

Nga: M.L. Më: 21 janar 2026 Në ora: 22:28
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, ka vlerësuar si tejet domethënëse letrën që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për ftesën në Bordin e Paqes në Botë, një iniciativë që synon zbatimin e planit 20-pikësh për Gazën dhe vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme.

Sipas Bytyçit, kjo letër përbën konfirmim se Kosova, ndonëse nuk është anëtare e OKB-së, konsiderohet si pjesë e rëndësishme e shteteve dhe kombeve në botë dhe po fiton rol në formulimin e parimeve dhe pjesëmarrjen në vendimmarrjen për rendin e ri botëror.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dërguar këto ditë letra në adresë të shteteve të shumta, me qëllim që këto shtete të bëhen anëtare themeluese të Bordit të Paqes në Botë, bord që nis me zbatimin e planit 20-pikësh të tij për Gazën dhe vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme. Sot u njoftua se zoti Trump një letër të tillë ia ka dërguar edhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Kjo letër për kreun e shtetit të Kosovës është shumë domethënëse. Është konfirmim se Kosova, megjithëse nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, konsiderohet si pjesë e rëndësishme e shteteve dhe kombeve në botë. Konfirmon faktin se Kosovës po i bëhet vend dhe po i jepet rol në formulimin e parimeve dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje për rendin e ri botëror. Kjo do të thotë se shteti i Kosovës, pavarësia e saj, janë pranuar tashmë në bisedat paraprake midis aktorëve më të fuqishëm të globit”, shprehet profesori.

Ai thekson se fakti që ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, përmendi Bosnjë-Hercegovinën në bisedimet me SHBA-në, por jo Kosovën, tregon se statusi dhe vendi i Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare tashmë është përcaktuar në bisedimet paraprake mes fuqive të mëdha.

Image
Profesori Enver Bytyçi

“Po të kemi parasysh deklaratën e ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, i cili foli për bisedime me amerikanët për çështjet e Ballkanit, aty shohim se Lavrov përmend Bosnjë-Hercegovinën. Askush nuk e ndalonte atë të fliste edhe për Kosovën. Por unë gjykoj se Kosova dhe vendi i saj në bashkësinë ndërkombëtare është përcaktuar në bisedimet paraprake midis SHBA-ve dhe Rusisë. Që do të thotë se edhe europianët dhe kinezët do ta pranojnë atë përcaktim. Se çfarë është përcaktuar, këtë e dëshmon letra e Presidentit Trump për Vjosa Osmanin. Ftesa e tij që Kosova të përfaqësohet nga presidentja e Kosovës në Bordin e Paqes është konfirmim i asaj se këtë ftesë dhe pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Bord e pranojnë edhe shtetet e tjera, të cilat janë ftuar në këtë bord, e para së gjithash edhe Rusia”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, Kosova po përjeton momente historike dhe është në hapat e fundit të konfirmimit si shtet i pavarur dhe sovran, plotësisht i njohur ndërkombëtarisht. Ai vlerëson se realiteti i sotëm i Kosovës është ai i konsolidimit demokratik dhe ushtrimit të plotë të sovranitetit në të gjithë territorin e saj, ndryshe nga situata e disa viteve më parë, kur veriu i vendit kontrollohej nga struktura kriminale të lidhura me Serbinë.

“Pra, Kosova po përjeton momente historike. Është në hapat e fundit të konfirmimit si shtet i pavarur dhe sovran, i njohur plotësisht nga bashkësia ndërkombëtare. Kjo do të thotë se Kosova tashmë po përjeton një realitet të ri. Realitetin e konsolidimit demokratik të shtetit dhe ushtrimit të plotë të sovranitetit shtetëror në të gjithë territorin e saj. Imagjino sikur Kosova të ishte në situatën e para pesë-gjashtë viteve, kur veriun e vendit e kontrollonin bandat dhe grupet kriminale e terroriste të Serbisë. As që do të bëhej fjalë për një ftesë si kjo, që shteti më i ri në Europë të bëhej pjesë e përpjekjeve fillestare në vendimmarrjen e krijimit të një rendi të ri botëror”, thekson ai.

Bytyçi thekson se jo të gjitha shtetet e botës janë ftuar në këtë iniciativë, por më pak se gjysma, dhe fakti që Kosova është pjesë e këtij grupi e bën këtë ftesë të jashtëzakonshme. Ai shpreh optimizëm se Bordi i Paqes do të funksionojë me sukses dhe se nuk bëhet fjalë për një iniciativë personale, por për një projekt të hartuar prej kohësh nga aktorë të shumtë ndërkombëtarë.

“Mos të harrojmë se kur themelohen ose rithemelohen rendet e reja në botë, shtetet pjesëmarrëse në këto evente janë të privilegjuara. Nuk janë ftuar të 195 vendet anëtare të OKB-së në këtë iniciativë. Janë ftuar më pak se gjysma e tyre. Dhe në këtë grup shtetesh bën pjesë edhe Kosova. E jashtëzakonshme. Kosova duhet të jetë krenare. Sigurisht, nëse ky Bord i Paqes do të funksionojë dhe do të rezultojë në një sukses të padiskutueshëm. Por unë jam optimist se iniciativa e presidentit Trump, sado që duket të jetë iniciativë personale, ajo nuk është e tillë. Bordi i Paqes është padyshim një projekt i hartuar shumë kohë më parë. Vendimi për krijimin e tij është përcaktuar nga shumë aktorë dhe jo thjesht nga një person, qoftë ky edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, potencon ai.

Profesori vlerëson se paqja globale nis nga zgjidhja e konfliktit në Lindjen e Mesme, veçanërisht nga Gaza dhe çështja palestineze, ndërsa suksesi në këto zona dhe në Ukrainë do të jetë prova kryesore e rendit të ri botëror, në të cilin tashmë është përfshirë edhe Kosova.

“Dhe kuptueshëm, paqja në glob fillon nga vatra më e vjetër e konfliktit, në Lindjen e Mesme. Ajo fillon e do të fillojë me zgjidhjen e konfliktit midis Izraelit dhe Palestinës, si dhe të çështjes palestineze. Vendosja e paqes në këtë zonë është testi i parë dhe kryesor për rikrijimin e instrumenteve që garantojnë paqen globale në territoret e tjera të botës. Suksesi në Gaza dhe në Lindjen e Mesme, e sigurisht në Ukrainë, do të jetë prova e zjarrit për rendin e ri. Kosova është tashmë në bordin e këtij rendi dhe me siguri që Parlamenti i Kosovës do ta miratojë pa mëdyshje këtë pjesëmarrje. Mendoj se Kosova do të jetë anëtare e përkohshme, sepse ndryshe do të duhej të paguante kuotën e parave të caktuara për të qenë anëtare e përhershme”, nënvizon ai.

Ai thekson se ftesa është edhe vlerësim i arritjeve të Kosovës në qeverisjen Osmani–Kurti, si dhe rezultat i raporteve personale dhe institucionale të presidentes Osmani me autoritetet amerikane. Sipas Bytyçit, Osmani ka treguar performancë mbresëlënëse dhe ka krijuar ekuilibra të rëndësishëm edhe në momente delikate në marrëdhëniet Kosovë–SHBA, të cilat, sipas tij, nuk kanë qenë pasojë e divergjencave me Uashingtonin, por e qasjeve të ndryshme ndaj Serbisë dhe rolit të saj në rajon.

“Kjo ftesë është vlerësim i arritjeve të Kosovës në qeverisjen Osmani–Kurti. Por edhe rrjedhojë e njohjeve personale të presidentes së Republikës së Kosovës me presidentin Trump dhe autoritetet e tjera politike dhe diplomatike amerikane. Performanca dhe paraqitja e zonjës Vjosa Osmani kanë qenë dhe janë mbresëlënëse. Ajo krijoi ekuilibra të admirueshme edhe në momente të caktuara disi delikate në marrëdhëniet midis qeverisë Kurti dhe diplomacisë amerikane. Por e kam thënë se këto marrëdhënie delikate nuk qenë pasojë e divergjencave midis Kosovës dhe SHBA-ve, përkundrazi qenë produkt i pikëpamjeve të ndryshme sa i përket Serbisë dhe rolit të saj për paqen në rajon. Presidenti Trump thotë se ai ndërhyri për të ndaluar një konflikt midis Serbisë dhe Kosovës. Dhe kjo i qartëson gjërat plotësisht. Kurti ka pasur të drejtë në vlerësimet e tij për rolin destruktiv të Serbisë dhe presidentit të saj, Vuçiq. Dhe në këtë linjë në fakt ka qenë edhe zonja Osmani”, ka përfunduar profesori.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat