Nga data 9 deri më 13 shkurt, si dhe më 16 dhe 18 shkurt, para Dhomave të Specializuara në Hagë do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seancat janë paraparë të mbahen nga ora 09:00 deri në 16:30, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Speciales.
Më 9 shkurt do të paraqitet deklarata përmbyllëse e Prokurorisë, e cila do të vazhdojë edhe më 10 shkurt, së bashku me deklaratën përmbyllëse të Mbrojtjes së Viktimave.
Më 11 shkurt është planifikuar deklarata përmbyllëse e Mbrojtjes së Thaçit dhe Veselit, ndërsa ajo e Veselit do të vazhdojë edhe më 12 shkurt. Në të njëjtën ditë do të paraqitet edhe deklarata përmbyllëse e Mbrojtjes së Rexhep Selimit, e cila do të vazhdojë edhe të premten, më 13 shkurt, ditë kur do të nisë edhe deklarata përmbyllëse e Jakup Krasniqit. Kjo e fundit do të vazhdojë edhe më 16 shkurt.
Po ashtu, më 16 shkurt është paraparë që Trupi Gjykues të parashtrojë pyetje.
Aktakuza fillestare ndaj katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe më pas u ndryshua më 3 shtator 2021, më 29 prill 2022 dhe më 30 shtator 2022.
E në lidhje me këtë temë për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.
Së pari, ai tregoi se si erdhi deri te formimi i kësaj gjykate, e më pas të njëjtit që e votuan kërkuan më vonë ta zhbëjnë.
Mirëpo, ai theksoi se, ky proces po shkon drejt përfundimit dhe do të finalizohet shumë shpejt.
“Fillimisht, dëshiroj të theksoj se, Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale me selinë Hagë, janë formuar në vitin 2015 me ndryshimet kushtetuese, duke iu krijuar baza juridike si Gjykatë nën juridiksionin e drejtësisë së Republikës së Kosovës dhe legjislacionin e saj. Madje kjo ka ndodhur, përmes presioneve të Hashim Thaçit dhe klanit të tij ndaj deputetëve për t’i detyruar t’a votojnë me 2/3 e votave, me pretekstin se me këtë gjykatë do të pastrohej UÇK-ja, dhe se kush nuk e voton është kundër Kosovës. Mirëpo me kalimin e kohës, të njejtit, bënë ç’mos për t’a zhbërë ate, madje gjatë tërë procesit gjyqësor kishte edhe ndërhyrje flagrante në pengimin e drejtësisë, për çka u dënuan me burgim Gucati – N. Haradinaj dhe ka të akuzuar tjerë që po gjykohen, ku është i përfshirë edhe H. Thaçi.
Pasi që u ezauruan të gjitha procedurat e procesit gjyqësor, edhe përkundër kritikave, ndërhyrjeve në pengimin e administrimit të drejtësisë, protestave masive gjithandej, dhe jo vetëm, ky proces po shkon drejt përfundimit, që do të finalizohet me fjalët përfundimtarë të palëve”.
Krahas kësaj, Musliu tregoi se si do shkojë procedura e cila është drejt fundit, ku nënvizoi faktin se Prokuroria Speciale është e para që paraqet fjalën përfundimtare, pastaj mbrojtja e viktimave, avokatët e mbrojtjes, dhe në fund deklarohen vet të akuzuarit.
“Pas përfundimit të provave të dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria Speciale, mbrojtja e të akuzuarve dhe përfaqësuesit e viktimave, ka përfunduar administrimi i provave materiale nga palët në procedurë, respektivisht Prokuroria i ka administruar të gjitha provat me dosiet që janë në favor dhe që mbështesin aktakuzën, kurse pala e dëmtuar i ka propozuar provat që janë në favorin e saj, dhe në fund mbrojtja e të akuzuarve i ka administruar kundërprovat që e kundërshtojnë aktakuzën dhe që shfajsojnë të akuzuarit.
Ashtu siç kishte paralajmëruar Gjykata Speciale në një komunikatë ku ishte përcaktuar rradhitja e fjalës përfundimtare, thuhet se fillimisht Prokuroria Speciale është e para që paraqet fjalën përfundimtare, pastaj mbrojtja e viktimave, avokatët e mbrojtjes, dhe në fund deklarohen vet të akuzuarit, të cilët janë pajtuar që t’iu jepen nga 20 minuta për fjalën përfundimtare. Fjalët përfundimtare fillojnë me 9 Shkurt dhe përfundojnë me 18 Shkurt 2026, me çka konsiderohet se procesi gjyqësor zyrtarisht është i mbyllur”.
Më tej, juristi nënvizoi se momenti më i vlefshëm në fazën përmbyllëse të procesit gjyqësor është fjala përmbyllëse, derisa në këtë pikë tha se do analizohen të gjitha gjërat.
Po ashtu, përmendi edhe rastin kur « thyhen shpatat » mes Prokurorisë dhe mbrojtjes, e që lidhet për t’a bindur Trupin Gjykues për fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve
“Pas këtyre veprimeve procedurale dhe juridike, Trupi Gjykues fillon punën e saj në sistematizimin dhe vlerësimin e të gjitha provave, argumenteve dhe kundërargumenteve të palëve në proçes, që shpie drejt marrjes së Aktgjykimit. Trupi Gjykues ka në disponim një afat prej tre muajve për shpalljen e Aktgjykimit, me mundësi shtyerje të afatit edhe për dy muaj tjera. Duke patur parasysh kompleksitetin dhe lëndët voluminoze, video, intervista, deklarata, materiale të shkruara me dhjetra mijëra faqe, dhe jo vetëm, konsideroj se, Aktgjykimi i shkallës së parë, do të mund të shpallet në pjesën e dytë të këtij vitit, 2026. Mirëpo, varësisht se Aktgjykimi a është fajësues apo shfajsues, palët e pakënaqura kanë të drejtë të ushtrojnë ankesë kundër këtij Aktgjykimi, pranë Gjykatës së Apelit, me mundësi të ankimimit në Gjykatën Supreme, dhe së fundmi në Gjykatën Kushtetuese të Dhomave të Specializuara, me çka Aktgjykimi merr formën e prerë dhe zbatimi bëhet i obligueshëm.
Mirëpo, t’i kthehem edhe një herë fjalës përfundimtare, sepse është momenti më i vlefshëm në fazën përmbyllëse të procesit gjyqësor, e që mund të luaj një roj të rëndësishëm në vendimmarrjen e Aktgjykimit. Në fjalën përfundimtare bëhet një përmbledhje e të gjitha analizave dhe vlerësimeve të deklaratave të dëshmitarëve, dhe jo vetëm, sulmohen mangësitë dhe kundërshtohen pikat e dobëta, si nga ana e Prokurorisë Speciale, nga mbrojtja e viktimave, ashtu edhe nga mbrojtja e të akuzuarve. Është rasti kur « thyhen shpatat » mes Prokurorisë dhe mbrojtjes, për t’a bindur Trupin Gjykues për fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve. Në realitet, fjala përfundimtare fillon të përgatitet gjatë procesit gjyqësor, sepse me kohë « detektohen » dhe analizohet « qendrat » neuralgjike të procesit, si nga avokatët e mbrojtjes dhe stafi i tyre profesional mbështetës, ashtu edhe nga Prokuroria Speciale”, shtjelloi Musliu.
Në vazhdim, ai potencoi faktin, se Specialja ka një pasqyrë të gjerë të provave materiale, senaca të redaktuara, e që për të cilat publiku nuk kishte qasje.
“Mirëpo vendimin definitiv dhe meritor e merr Gjykata, sepse mos të harrojmë se Trupi Gjykues, përveç materialeve të deponuara nga Prokuroria Speciale, mbrojtja e viktimave dhe mbrojtja e të akuzuarve, ajo disponon dhe ka qasje edhe në shumë prova materiale dhe dokumentacionin tjetër gjyqësor, të proçeseve gjyqësore të administruara nga gjykatat e UNMIK-ut, EULEX-it dhe nga Tribunali i Hagës, i cili ishte sekuestruar gjatë fazës hetimore të këtij procesi.
Trupi Gjykues ka një pasqyrë dhe horizont të gjërë të provave materiale, që publiku nuk ka patur qasje, sepse gjatë procesit gjyqësor ka patur seanca të redaktuara dhe të mbyllura për publikun në të cilat kanë dëshmuar dëshmitarët kryesor, lidhur me strukturën organizative të UÇK-së, si dhe dëshmi lidhur me përjetimet dhe maltretimet çnjerëzore të dëshmitarëve nëpër qendrat e ndalimit”.
Ndër të tjera, juristi nga Belgjika kishte edhe disa fjalë për ata që e kritikojnë në vazhdimësi Gjukatën Speciale, e që sipas tij kanë tentuar të krijojnë përshtypje të gabuar te qytetarët.
Megjithatë, ai beson se trupi gjykues nuk do të ndikohet ga këto ndërhyrje, madje beson se do t’i shtoj edhe më tepër përpjekjet për një proces gjyqësor të drejtë.
“Fatkeqësisht, në opinion dalin përfaqësues të OVL UÇK-ës, gazetar dhe media të paguara, në veçanti ka edhe avokat, që nëpër emisione televizive, japin deklarata të papërgjegjme, prejudikojnë vendimin definitiv të Gjykatës dhe rrisin pritshmëritë duke dhënë përshtypje, perceptime dhe narrativë të gabuar te qytetarët, se të akuzuarit duhet pa kushte dhe sa më shpejtë të lirihen, sepse janë çlirimtarë të pafajshëm.
Sa i takon marrëdhënieve të institucioneve të Kosovës me Gjykatës Speciale në Hagë dhe mbrojtjtes juridike të të akuzuarve, konsideroj se Qeveria e Kosovës ka qenë e kujdesshme dhe konstruktive, nuk ka ndërhyrë në procesin gjyqësor dhe i ka kryer me kohë obligimet lidhur me pagesat e avokatëve të mbrojtës. Edhe pse ka patur kritika ndaj Qeverisë Kurti nga OVL-UÇK-së për kinse mosinteresimin e institucioneve për t’i liruar të akuzuarit, këto nuk qëndrojnë, sepe çdo interferim në procesin gjyqësor do të konsiderohej si ndërhyrje në drejtësi, që është vepër penale.
Edhe përkundër ndërhyrjeve të vazhdueshme në administrimin e drejtësisë, në bindjen time, Trupi Gjykues nuk do të influencohet nga këto ndërhyrje, përkundrazi, kjo do t’i shtoj edhe më tepër përpjekjet për një proces gjyqësor të drejtë, të bazuar në ligj, dhe vetëm në ligj, sepse bëhet fjalë për gjyqtar profesionista me përvojë dhe kredibil”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.