Vota në rrezik serioz, thirrje për dënime me burg dhe hetime gjithëpërfshirëse

Politika

Vota në rrezik serioz, thirrje për dënime me burg dhe hetime gjithëpërfshirëse

Arife Morina Nga Arife Morina Më 27 janar 2026 Në ora: 12:48
Foto ilustrim

Aksioni i fundit i organeve të drejtësisë ka hapur një kapitull të rëndë për integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë. Javën e kaluar, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, bëri të ditur se 109 persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimet për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Sipas autoriteteve, të ndaluarit janë kryesisht komisionerë zgjedhorë, ndërsa në mesin e tyre ka edhe familjarë të kandidatëve për deputetë, çka e bën edhe më shqetësuese shkallën e përfshirjes në këtë skandal.

Të dyshuarit ngarkohen me vepra të rënda penale, përfshirë falsifikimin e rezultateve zgjedhore, presionin dhe kanosjen, si dhe dhënien e marrjen e ryshfetit.

Kryeziu theksoi se manipulimi ka ndodhur në Qendrën Komunale të Numërimit dhe se janë prekur drejtpërdrejt votat e kandidatëve për deputetë. Sipas tij, një ndërhyrje e tillë në proces nuk do të kishte qenë e mundur pa një kompromis të gjerë mes komisionerëve të deleguar nga katër partitë më të mëdha politike, të cilët në teori duhet të funksionojnë si mekanizëm kontrolli dhe jo si pjesë e manipulimit.

Ky zhvillim ngre pyetje serioze mbi besueshmërinë e zgjedhjeve, përgjegjësinë politike dhe institucionale, si dhe mbi gatishmërinë e sistemit të drejtësisë për të ndëshkuar realisht keqpërdoruesit e vullnetit qytetar.

Halilaj: Nëse Prokuroria arrin të dëshmojë fajësinë, atëherë dënimet duhet të jenë shembullore

E për këtë çështje për “Bota sot” foli avokati Gazmend Halilaj, i cili e vlerësoi aksionin e policisë për manipulim të votave si hap të rëndësishëm për mbrojtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Image
Gazmend Halilaj

Sipas tij, fakti më shqetësues në këtë rast është se, të përfshirë janë edhe familjarë të kandidatëve për deputetë.

“Aksioni i ndërmarrë nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës për ndalimin e 109 personave nën dyshimet për keqpërdorim të votës duhet vlerësuar si një hap serioz dhe i domosdoshëm në mbrojtje të integritetit të procesit zgjedhor.

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i çdo demokracie funksionale dhe çdo ndërhyrje apo manipulim i votës përbën cenim të drejtpërdrejtë të vullnetit qytetar dhe të rendit kushtetues. Fakti që në mesin e të ndaluarve ka komisionerë zgjedhorë dhe familjarë të kandidatëve për deputetë e bën këtë rast edhe më shqetësues, pasi këta persona kanë pasur përgjegjësi të drejtpërdrejtë për ruajtjen e ligjshmërisë së procesit”, nënvizoi ai.

Krahas kësaj, ai foli edhe për dënimet që i presion të dyshuarit, nëse vërtetohen akuzat ndaj tyre.

Mirëpo, për këtë kërkoi proces profesional dhe pa ndikim politik.

“Nga aspekti juridik, veprat penale që lidhen me keqpërdorimin e votës, falsifikimin e dokumenteve zgjedhore apo ndikimin e paligjshëm në procesin zgjedhor parashihen në Kodin Penal të Kosovës dhe, nëse provohen, sanksionet mund të përfshijnë dënime me burg, gjoba të larta dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve publike.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se çdo i dyshuar gëzon prezumimin e pafajësisë, deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata. Prandaj, procesi duhet të zhvillohet në mënyrë profesionale, transparente dhe pa ndikime politike”.

Më tej, avokati kërkoi dënime të ashpra për të gjithë ata që janë përfshirë në këtë skandal zgjedhor, derisa tha se aksioni i Prokurorisë përcjell mesazhin se askush nuk është mbi ligjin.

“Nëse Prokuroria arrin të dëshmojë fajësinë, atëherë dënimet duhet të jenë shembullore, jo për hakmarrje, por për parandalim të rasteve të ngjashme në të ardhmen dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe institucionet e drejtësisë.

Ky aksion dërgon një mesazh të qartë se askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht funksionit, lidhjeve familjare apo përkatësisë politike, dhe se shteti i së drejtës nuk mund të ndërtohet pa përgjegjësi penale për shkeljet e rënda që cenojnë demokracinë”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.

Nimani: Hetimi nuk duhet të kufizohet vetëm në një komunë apo në nivel lokal

Kurse, edhe për Artan Nimanin ky aksion ishte i domosdoshëm dhe i mirëpritur për mbrojtjen e votës dhe zgjedhjeve të lira.

Image
Artan Nimani

Megjithatë, ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” kërkoi hetime me të gjera, jo vetëm në një komunë, pasi në këtë mënyrë sipas tij selektiviteti institucional.

“Ky aksion i organeve të drejtësisë duhet vlerësuar si një hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në funksion të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit. Çdo hetim që synon zbardhjen e manipulimeve elektorale duhet jo vetëm të mbështetet, por edhe të inkurajohet institucionalisht dhe shoqërisht, sepse vota është themeli i demokracisë funksionale.

Megjithatë, hetimi nuk duhet të kufizohet vetëm në një komunë apo në nivel lokal, siç është rasti i Prizrenit, por duhet të shtrihet në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse, duke filluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe duke përfshirë të gjitha nivelet e administrimit zgjedhor në mbarë vendin. Vetëm një qasje e tillë garanton zbardhje reale të përgjegjësive dhe shmang selektivitetin institucional”.

Po ashtu, tha se ky rast dëshmon një problem serioz sistemik, e i cili duhet zbardhur me hetime të drejta dhe të thella.

Madje, ai potencoi rëndësinë e transparencës në këtë rast dhe të gjithë fajtorët të marrin dënimin e merituar.

“Manipulimi i votës nuk është vetëm shkelje ligjore, por është cenim i drejtpërdrejtë i legjitimitetit politik, i besimit qytetar dhe i stabilitetit demokratik. Përmasat e këtij rasti tregojnë se nuk kemi të bëjmë me devijime individuale, por me një problem serioz sistemik që kërkon përgjigje serioze institucionale.

Transparenca, hetimi i plotë, përgjegjësia penale dhe ndëshkimi proporcional janë të vetmet rrugë për ta rikthyer besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor. Vetëm përmes drejtësisë funksionale dhe pa kompromis mund të ndërtohet një sistem zgjedhor i besueshëm dhe demokratik. Në këtë kuptim, çdo veprim që synon zbardhjen e kësaj situate absurde dhe të papranueshme duhet të mbështetet pa asnjë rezervë”, përmbyll Artan Nimani për “Bota sot”.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat