Gjykata Kushtetuese e ka shpallur antikushtetuese zgjedhjen e Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit të Kuvendit.
Në njoftimin zyrtar për media, Gjykata theksoi se procedura e ndjekur nga Kuvendi nuk e plotësoi kërkesën kushtetuese që kandidati për nënkryetar të miratohet me propozim të shumicës së deputetëve të komunitetit serb, siç parashikohet në nenin 67 të Kushtetutës dhe dispozitat përkatëse të Rregullores së Kuvendit.
Sipas Kushtetueses, mekanizmat e debllokimit, përfshirë votimin e përsëritur dhe procedurën e shortit të përdorur në seancë, duhet të përdoren vetëm në mënyrë ekstremisht të kufizuar dhe në përputhje të plotë me frymën dhe shkronjën e Kushtetutës. Në këtë rast, ata nuk u aplikuan siç duhet, prandaj zgjedhja u cilësua jokushtetuese.
Nga ana tjetër nga LVV kanë reaguar duke e kundërshtuar këtë vendim e duke thënë se pretendimet e Kushtetueses janë të pabaza.
Sipas reagimit të LVV-së, vendimi i Kushtetueses për çështje të procedurave të votimit dhe zgjedhjeve për funksione të Kuvendit “ka tejkaluar fuqitë kushtetuese” dhe ka ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit. LVV ka shprehur edhe qëndrime se Kushtetuesja ka “prodhur norma të reja që nuk parashikohen në Kushtetutë” dhe se vendimet e saj në disa raste ndikojnë në funksionimin e shumicës parlamentare.
Këtë vendim të Kushtetueses dhe më pas reagimit të Vetëvendosjes, njohësit e politikës kanë dhënë qëndrimet e tyre.
Prof. Dr. Fejzulla Berisha: Vendimi i Kushtetueses riafirmon autoritetin suprem të Kushtetutës
Prof. Dr. Fejzulla Berisha vlerëson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i cili konstatoi se zgjedhja e Nenad Rashiqit në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit ishte në kundërshtim me Kushtetutën, përbën një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të drejtësisë kushtetuese në arkitekturën parlamentare të vendit.
“Ky vendim nuk është thjesht një korrigjim procedural. Ai përfaqëson rivendosjen e autoritetit të Kushtetutës, mbrojtjen e parimit të përfaqësimit autentik dhe forcimin e balancës ndërmjet pushteteve,” thekson Berisha, duke shtuar se akti ka peshë historike dhe simbolike për një demokraci të re si Kosova.
Sipas tij, modeli kushtetues i Kosovës për përfaqësimin e komuniteteve jo-shumicë është ndërtuar pas konfliktit me synim parandalimin e dominimit etnik, garantimin e përfshirjes politike dhe ruajtjen e stabilitetit institucional. Ai sqaron se pozitat e rezervuara për komunitetet nuk janë privilegje politike, por mekanizma mbrojtës kushtetues.
“Këto pozita mbështeten në legjitimitetin elektoral real, autenticitetin përfaqësues dhe respektimin e vullnetit të komunitetit përkatës. Çdo devijim nga këto parime përbën shkelje të drejtpërdrejtë kushtetuese,” deklaron Berisha.
Ai nënvizon se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se zgjedhja e Rashiqit nuk e ka përmbushur kriterin thelbësor të përfaqësimit real të komunitetit serb në Kuvend.
“Problemi nuk ishte emri personal, por mekanizmi i përzgjedhjes, i cili deformoi vullnetin elektoral të komunitetit dhe krijoi një precedent të rrezikshëm institucional,” shprehet ai.
Berisha vlerëson se vendimi riafirmon parimin se Kuvendi është nën Kushtetutë dhe jo mbi të.
“Në demokracitë e konsoliduara, parlamenti është organ përfaqësues, ndërsa Kushtetuta mbetet autoriteti suprem. Gjykata Kushtetuese veproi si gardiane e këtij parimi,” thotë ai.
Duke e krahasuar rastin e Kosovës me praktikat ndërkombëtare, Berisha përmend Belgjikën, Zvicrën dhe Maqedoninë e Veriut si shembuj ku përfaqësimi etnik dhe gjuhësor mbrohet rreptësisht nga kushtetuta dhe nga gjykatat përkatëse. Sipas tij, vendimi i Kushtetueses e rreshton Kosovën në të njëjtën linjë me këto standarde demokratike.
Ai thekson se ky rast është ilustrim i qartë i funksionimit të parimit të sundimit të ligjit.
“Aty ku drejtësia kushtetuese hesht, lind autoritarizmi. Në Kosovë, ky vendim dëshmon se mekanizmi korrigjues institucional është aktiv,” vlerëson Berisha.
Sa i përket impaktit, ai thotë se vendimi ka efekt juridik, politik dhe shoqëror.
“Ai krijon precedent detyrues për të ardhmen, dërgon mesazh të qartë për partitë politike se manipulimi i mekanizmave kushtetues nuk tolerohet dhe rrit besimin qytetar në institucione,” thekson profesori.
Në aspektin ndërkombëtar, Berisha konsideron se vendimi përmirëson kredibilitetin institucional të Kosovës dhe ndihmon proceset integruese euro-atlantike.
“Në diplomaci, funksionimi i gjykatës kushtetuese është tregues i pjekurisë shtetërore,” shton ai.
Në përfundim, Prof. Dr. Fejzulla Berisha thotë se ky vendim ka edhe vlerë parandaluese afatgjate.
“Kosova nuk mund të ndërtohet mbi kalkulime politike, por mbi rend kushtetues, ligj dhe institucione të forta,” përfundon ai.
Politologu Fahredin Majkovci: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë çështje dakordimi politik, por detyrim juridik
Politologu Fahredin Majkovci ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, e cila shpalli antikushtetuese zgjedhjen e Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit të Kuvendit, duke theksuar se ky institucion është autoriteti më i lartë për interpretimin e Kushtetutës dhe se vendimet e tij janë të detyrueshme për zbatim.
“Pavarësisht reagimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e ka kundërshtuar vendimin duke e quajtur të pabazuar, duhet theksuar se Gjykata Kushtetuese është instanca më e lartë kushtetuese dhe verdiktet e saj nuk janë opsionale,” deklaron Majkovci.
Ai nënvizon se në një rend demokratik, respektimi i institucioneve është kusht themelor për funksionimin e shtetit. Duke iu referuar një thënie të ish-kryeministrit britanik Ëinston Churchill, Majkovci kujton se “demokracia nuk është e përkryer, por është forma më e mirë e qeverisjes që kemi provuar deri tani”.
“Në këtë frymë, demokracia funksionon vetëm kur respektohen rregullat dhe institucionet e saj. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht nëse pëlqehen apo jo nga partitë politike, duhet të respektohen pa u shndërruar në polemika të panevojshme,” thekson ai.
Duke komentuar përmbajtjen e njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili do të pasohet nga aktgjykimi i plotë, Majkovci vlerëson se thelbi i vendimit lidhet me legjitimitetin e përfaqësimit të komunitetit serb në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit.
“Sipas Gjykatës, kjo pozitë nuk është vetëm çështje procedurale, por duhet të reflektojë vullnetin politik dhe përfaqësimin real të shumicës së atij komuniteti,” shprehet ai, duke shtuar se kjo qasje përforcon standardet kushtetuese të përfaqësimit.
Sipas Majkovcit, vendimi u jep një udhëzim të qartë partive politike për veprimet e ardhshme. “Çdo propozim për këtë pozitë duhet të sigurojë legjitimitet të mirëfilltë përfaqësues dhe të jetë në përputhje me frymën e Kushtetutës, duke shmangur zgjidhje thjesht formale që cenojnë thelbin e përfaqësimit,” thekson ai.
I pyetur nëse, në prag të formimit të Qeverisë së re, mund të ketë sërish bllokada në zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit, Majkovci shprehet më optimist sesa në legjislaturën e kaluar.
“Pas një viti sfidues dhe ndërhyrjeve të qarta të Gjykatës Kushtetuese, rruga për konstituimin e Kuvendit tashmë është shumë më e qartë. Vendimet e saj kanë sqaruar procedurat, përgjegjësitë dhe kufijtë kushtetues,” vlerëson ai.
Në përfundim, Majkovci apelon për maturi institucionale nga subjektet politike.
“Pres që partitë të veprojnë me përgjegjësi dhe të sigurojnë një proces të rregullt konstituimi, në mënyrë që funksionimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë të mos mbeten peng i krizave të panevojshme politike,” përfundon ai.