Rrezik i drejtpërdrejtë për stabilitetin: Shala paralajmëron operacion politik të Listës Serbe

Politika

Rrezik i drejtpërdrejtë për stabilitetin: Shala paralajmëron operacion politik të Listës Serbe

Nga: A.SH Më: 4 shkurt 2026 Në ora: 10:05
Drizan Shala

Në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara kryesisht nga komuniteti serb, kryetarët e rinj nga Lista Serbe kanë rifituar pushtetin pas zgjedhjeve lokale.

Si kanë marrë pushtetin atje, ata kanë filluar me shfuqizime të vendimeve, dhe duke mos u mjaftuar me këtë ata kanë nisur të largojnë nga puna edhe shqiptarët, gjë që ka rritur shqetësimet për menaxhimin e institucioneve lokale dhe bashkëpunimin ndër-etnik në veri të Kosovës.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se largimi i shqiptarëve nga puna në veri të Kosovës nuk është vendim ekonomik, por instrument politik i Listës Serbe, i cili synon ndëshkimin kolektiv pas humbjes së kontrollit institucional, krijimin e një veriu monoetik, tension social dhe narrativ viktimizimi serb.

Ai thekson se ky është një veprim i planifikuar dhe i qëllimshëm, me pasoja negative në marrëdhëniet ndëretnike, thellim të ndarjes sociale, normalizim të diskriminimit dhe rritje të rrezikut për përplasje të izoluara.

“Largimi i shqiptarëve nga puna në veri të Kosovës nuk përbën një vendim ekonomik apo administrativ, por një instrument të qartë politik dhe pjesë të një operacioni hibrid presioni. Lista Serbe, e cila vepron si strukturë proxy e Beogradit, po e përdor këtë mekanizëm për të ndëshkuar zhvillimet e fundit në terren dhe për të ruajtur ndikimin e humbur institucional.

Ky veprim ka objektiva të mirëpërcaktuara: ndëshkimin kolektiv të shqiptarëve pas mbylljes së komunave paralele dhe humbjes së kontrollit institucional serb; realizimin e një spastrimi gradual etno-administrativ, me synim ta bëjë veriun funksionalisht monoetnik; si dhe krijimin e një reagimi zinxhir që prodhon tension social, pasohet nga reagime politike dhe përfundon me ndërtimin e narrativës së viktimizimit serb në arenën ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë, synohet ruajtja e levës së krizës: sa herë që Prishtina avancon në konsolidimin e sovranitetit, prodhohet një krizë artificiale.

Si rrjedhojë, ky nuk është një reagim spontan, por një veprim i planifikuar, i sinkronizuar dhe i qëllimshëm, me pasoja të drejtpërdrejta në marrëdhëniet ndëretnike dhe stabilitetin lokal. Efektet pritet të jenë negative dhe të shumëfishta: radikalizim i perceptimeve ndëretnike, ku shqiptarët trajtohen si “kërcënim” dhe jo si qytetarë; thellim i ndarjes sociale dhe ndërprerje e bashkëjetesës minimale funksionale; normalizim i diskriminimit etnik si mjet presioni politik; si dhe rritje e rrezikut për përplasje të izoluara, veçanërisht nëse individët e prekur reagojnë jashtë kornizave institucionale, shprehet Shala.

Sipas Shalës, largimi i shqiptarëve nga puna në veri e zhvendos konfliktin nga politika te shoqëria, duke rritur tensionet dhe rrezikun për incidente, duke shtuar se Serbia dhe Lista Serbe synojnë destabilizim të kontrolluar; afatmesëm dhe afatgjatë, veprimi i tyre mund t’i delegjitimojë ata si përfaqësues qytetar.

“Ky proces e zhvendos konfliktin nga niveli politik në nivel shoqëror, gjë që e bën situatën më të rrezikshme dhe më të vështirë për t’u menaxhuar. Në afat të shkurtër, Serbia dhe Lista Serbe synojnë një destabilizim të kontrolluar. Megjithatë, në afat të mesëm dhe të gjatë, efekti rezulton paradoksal: tensionet dhe rreziku i incidenteve rriten, por njëkohësisht delegjitimohet Lista Serbe si përfaqësuese e interesit qytetar, duke u ekspozuar si instrument politik destabilizues.

Në këtë kontekst, hapet terren për një ndërhyrje më të drejtpërdrejtë dhe më funksionale të institucioneve të Kosovës, veçanërisht në fushën e punësimit, shërbimeve publike dhe sigurisë. Nëse Prishtina reagon me politika zëvendësuese të punësimit, mbrojtje ligjore për punëtorët e larguar dhe komunikim strategjik të qartë në planin ndërkombëtar, ky veprim i Listës Serbe mund të shndërrohet në një autogol strategjik.

Në thelb, ky veprim nuk synon integrimin, por ruajtjen e konfliktit si mjet politik. Ai dëshmon se Serbia po humb terren institucional në veri dhe po kalon në fazën e presionit social dhe ekonomik, tipike për operacionet hibride në fazë mbrojtëse” – deklaoi Shala për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat