Bastisja që ngre alarmin, çfarë po sinjalizojnë armët e gjetura në Leposaviq?

Politika

Bastisja që ngre alarmin, çfarë po sinjalizojnë armët e gjetura në Leposaviq?

ARIFE MORINA-MULAKU Nga ARIFE MORINA-MULAKU Më 5 shkurt 2026 Në ora: 14:06
Bastisje në një shtëpi të pabanuar në Leposaviq - gjenden armë, uniforma dhe flamuj të Serbisë

Njësiti policor ka bërë bastisje në një shtëpi të pa banuar në Lepossaviq, në të cilën kanë gjetur dhe sekuestruar armë, uniforma dhe flamuj.

Në raportin e policisë, u bë e ditur se janë sekuestruar: dy armë të gjata, 151 fishekë, disa pjesë përcjellëse të armëve, pjesë të uniformave, si dhe 7 flamuj të Serbisë.

"Njësiti policor ka bërë bastisje në një shtëpi të pa banuar në të cilën kanë gjetur dhe sekuestruar: dy armë të gjata, 151 fishekë, disa pjesë përcjellëse të armëve, pjesë të uniformave, si dhe 7 flamuj të Serbisë. Rasti është duke u hetuar", thuhet në raport.

Kjo bastisje, dëshmon se rreziku nga armatimi ilegal në këtë pjesë të vendit vazhdon të jetë prezent. Fakti që këto mjete janë gjetur në një shtëpi të pabanuar sugjeron përpjekje për fshehje dhe organizim të mirëfilltë, duke lënë të kuptohet se ato mund të jenë destinuar për përdorim të mëvonshëm.

Një situatë e tillë e bën të domosdoshëm forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, jo vetëm brenda strukturave vendore të sigurisë, por edhe me misionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. KFOR-i, si garantues i sigurisë së përgjithshme, mbetet një faktor kyç në parandalimin e destabilizimit dhe në eliminimin e grupeve të armatosura që veprojnë jashtë ligjit.

Në anën tjetër, zhvillimet politike në veri, përfshirë ardhjen e Listës Serbe në pushtet lokal, ngjallin shqetësime se ndikimi politik mund të përdoret për të zbehur institucionet e sigurisë apo për të toleruar struktura paralele.

E më gjerësisht për këtë temë për “Bota sot” folën njohësit e çështjeve të sigurisë.

Dashevci: Bashkëpunimi me KFOR-in nuk është opsion, por është domosdoshmëri strategjike

Së pari, eksperti i sigurisë, Arben Dashevci potencoi se në raste të tilla bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me KFOR-in është i domosdoshëm.

Ai në prononcimin për “Bota sot” u shpreh se eliminimi i këtyre bandave kriminale kërkon operacione të përbashkëta.

Image
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci

“Bashkëpunimi me KFOR-in dhe mekanizmat ndërkombëtarë nuk është opsion është domosdoshmëri strategjike.

Policia e Kosovës ka mandat ligjor, po r KFOR ka kapacitete ushtarake, inteligjencë strategjike dhe efekt parandalues që bandat e armatosura e kuptojnë shumë mirë.

Eliminimi i këtyre strukturave kërkon operacione të përbashkëta, shkëmbim të thelluar inteligjence, mbikëqyrje të vazhdueshme dhe goditje të zinxhirit logjistik, jo vetëm arrestime sporadike”, shtjelloi eksperti.

Krahas kësaj, Dashevci e ndërlidhi këtë edhe me rikthimin e LS-së në pushtet në komunat e veriut të Kosovës, e që sipas tij, ky fakt e rrit rrezikun për destabilitet.

Madje, ai tha se duhet të ketë reagim pas këtij rasti, pasi vlerëson se ky rast është sinjal alarmi.

“Sa i përket ardhjes së Listës Serbe në pushtet në veri, rreziku objektiv rritet, jo sepse çdo përfaqësues politik është kriminal, por sepse ekziston një histori e qartë ndërthurjeje mes politikës lokale, krimit të organizuar dhe ndikimit të drejtpërdrejtë të Beogradit. Kjo krijon terren për normalizim të strukturave ilegale, mbrojtje politike të tyre dhe pengim të veprimit institucional.

Në terma të sigurisë, kjo nënkupton shtim të rrezikut latent, jo domosdoshmërisht shpërthim të menjëhershëm, por përgatitje afatmesme për destabilizim.

Prandaj mendoj se, ky rast është sinjal alarmi, jo lajm periferik. Reagimi duhet të jetë i ashpër, i koordinuar dhe i qëndrueshëm, sepse toleranca ndaj këtyre strukturave krijon precedent të rrezikshëm”.

Ndër të tjera, eksperti shtoi se, siguri arrihet me ligjshmëri, kontroll dhe profesionalizëm të madh.

“Siguria nuk ruhet me retorikë politike, por me kontroll territorial, ligjshmëri pa kompromis dhe prani të fuqishme institucionale.

Nëse kjo bëhet në mënyrë profesionale dhe të vazhdueshme, bandat çarmatosen; nëse jo, ato thjesht presin momentin tjetër”, përfundoi Hysen Gecaj për “Bota sot”.

Gecaj: Ardhja e Listës Serbe (LS) në pushtet lokal mbart rrezik shtesë

Ndërsa, edhe eksperti tjetër, Hysen Gecaj bastisjen e fundit të policisë dhe sekustrimin e mjeteve ushtarake në Leposaviq e vlerëson si sinjal serioz dhe një alarm për rrezik të sigurisë.

Sipas tij, rastet e tilla tregojnë se bandat ilegale serbe dhe rrjetet e lidhura me to ende veprojnë.

Image
Eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj

“Bastisja dhe sekuestrimi i armëve, municionit, uniformave dhe flamujve serbë në një shtëpi të pabanuar përbën një sinjal serioz për rrezikun e vazhdueshëm të sigurisë, veçanërisht në zonat e ndjeshme të Kosovës. Prania e armëve të gjata, sasisë së konsiderueshme të municionit dhe elementeve të uniformave tregon se nuk kemi të bëjmë me posedim individual, por me struktura të organizuara që synojnë destabilizim dhe frikësim.

Këto raste dëshmojnë se bandat ilegale serbe dhe rrjetet e lidhura me to ende veprojnë, duke shfrytëzuar hapësira të pabanuara për fshehjen e armatimit. Kjo paraqet rrezik jo vetëm për sigurinë lokale, por edhe për rendin kushtetues dhe stabilitetin e përgjithshëm të vendit”.

Gjithashtu, Gecaj në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se, në aksione të tilla, nevoja për bashkëpunim me KFOR-in është e theksuar dhe e domosdoshme.

“Në këtë kontekst, bashkëpunimi më i thellë mes Policisë së Kosovës dhe misioneve ndërkombëtare, në veçanti KFOR-it dhe EULEX-it, është i domosdoshëm. Ky bashkëpunim duhet të jetë:

• operativ dhe i përditshëm në terren,

• i fokusuar në inteligjencë parandaluese,

• i orientuar drejt çmontimit të plotë të rrjeteve kriminale, jo vetëm sekuestrimeve sporadike”.

Më tej, eksperti konsideroi se ardhja në pushtet e Listës Serbe është rrezik për sigurinë, pasi dihet se ajo është dorë e zgjatur e Beogradit dhe vepron me direktiva të qeverisë së saj.

Për këtë, tha se rreziku mund të thellohet nëse nuk merren masa të caktuara.

“Sa i përket zhvillimeve politike në veri, ardhja e Listës Serbe (LS) në pushtet lokal mbart rrezik shtesë, sidomos nëse ajo vazhdon të funksionojë si instrument politik i Beogradit dhe jo si përfaqësuese reale e qytetarëve. Historia e fundit tregon se strukturat politike të kontrolluara nga Serbia shpesh kanë shërbyer si mbulesë për veprimtari ilegale, presion ndaj qytetarëve serbë që nuk binden dhe tolerim të grupeve të armatosura.

Prandaj, rreziku i sigurisë mund të rritet, nëse nuk shoqërohet me:

            •          prani të shtuar të institucioneve të sigurisë,

            •          sundim të fortë të ligjit,

            •          dhe mbikëqyrje ndërkombëtare serioze".

Për fund, Gecaj nënvizoi se, “ky rast duhet të shërbejë si alarm për veprim të koordinuar, sepse siguria në Kosovë nuk cenohet vetëm nga armët e fshehura, por nga tolerimi i strukturave që i prodhojnë, i fshehin dhe i përdorin ato për qëllime politike dhe kriminale”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat