Politologu Ramadan Gjanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se mbajtja e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, me kërkesë të Kryeministrit Albin Kurti, tregon vullnet për vigjilencë dhe parashikim institucional.
Sipas tij, edhe pse Kosova nuk është e përfshirë drejtpërdrejt në situatën në Lindjen e Mesme, zhvillimet gjeopolitike — veçanërisht ato që përfshijnë SHBA dhe Iranin — mund të kenë pasoja të tërthorta në siguri, energji, ekonomi dhe diplomaci.
Ai ka thekesuar se situata e veçantë e Shqipërisë, e cila strehon anëtarë të opozitës iraniane të MEK-ut, ka sjellë më parë sulme kibernetike të lidhura me Teheranin.
“Mbajtja e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, me kërkesë të Kryeministrit Albin Kurti, dëshmon para së gjithash një vullnet për parashikim dhe vigjilencë institucionale. Edhe pse Kosova nuk është e përfshirë drejtpërdrejt në situatën në Lindjen e Mesme, zhvillimet e mëdha gjeopolitike — veçanërisht kur ato përfshijnë Shtetet e Bashkuara dhe Iranin — kanë gjithmonë pasoja të tërthorta, qoftë në aspektin e sigurisë, energjisë, ekonomisë apo të rreshtimeve diplomatike.
Nga ana tjetër, disa vëzhgues theksojnë se situata e veçantë e Shqipërisë — e cila strehon anëtarë të opozitës iraniane të MEK-ut — ka sjellë në të kaluarën sulme kibernetike të atribuuara aktorëve të lidhur me Teheranin kundër infrastrukturave elektronike shqiptare. Kjo tregon se, edhe nëse një shtet nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në një konflikt rajonal, rreshtimi diplomatik ose strehimi i grupeve që konsiderohen armiqësore nga një regjim mund të perceptohet si një përfshirje indirekte. Në një kontekst të një lufte të zgjatur kundër Iranit, nuk përjashtohet mundësia që aktorë shtetërorë apo para-shtetërorë të ndërmarrin masa represive — kibernetike apo të tjera — kundër vendeve (veçanërisht Shqipërisë) që i konsiderojnë të lidhura me kundërshtarët e tyre, edhe pse masa të tilla mbeten të vështira për t’u parashikuar me siguri”, ka thënë ai .
Po ashtu, Gjanaj ka vlerësuar se rreshtimi i Kosovës pranë Shteteve të Bashkuara pasqyron politikën e saj tradicionale të jashtme dhe partneritetin strategjik me Uashingtonin.
“Sa i përket rreshtimit të Kosovës përkrah Shteteve të Bashkuara, ai është në përputhje me politikën e jashtme tradicionale të vendit. Kosova historikisht e ka mbështetur sigurinë dhe njohjen e saj ndërkombëtare në partneritetin strategjik me Uashingtonin. Prandaj, rreshtimi diplomatik në momente tensioni ndërkombëtar nuk përbën surprizë; ai tregon koherencë strategjike më shumë sesa një vendim të rastësishëm. Megjithatë, ky rreshtim sjell edhe përgjegjësi: ruajtjen e një komunikimi të matur dhe kujdesin që tensionet e jashtme të mos importohen në debatin e brendshëm”, ka potencuar ai.
Sipas tij, thirrja për qytetarët të qëndrojnë të qetë dhe të informohen vetëm nga burime zyrtare është e përshtatshme, pasi periudhat e krizave favorizojnë përhapjen e thashethemeve dhe dezinformimit, sidomos në rrjetet sociale.
“Thirrja drejtuar qytetarëve për të qëndruar të qetë dhe për t’u informuar vetëm nga burime zyrtare dhe kredibile mund të konsiderohet e përshtatshme në këtë kontekst, pasi periudhat e krizave ndërkombëtare janë gjithmonë të favorshme për përhapjen e thashethemeve, manipulimeve informative dhe fushatave të dezinformimit, veçanërisht në rrjetet sociale.
Megjithatë, duhet pranuar se në kohë lufte vetë informacioni bëhet një mjet strategjik. Secila palë përpiqet të formësojë narrativën në favorin e saj, të mobilizojë opinionin publik dhe të legjitimojë veprimet e veta. Kjo do të thotë se, përtej lajmeve të rreme të qarta, disa diskurse dominuese — varësisht nga kampi që mbështetet — mund të përfshijnë elemente propagande apo komunikimi strategjik”, ka nënvizuar ai.
Në fund, Gjanaj ka cilësuar se institucionet duhet të komunikojnë në mënyrë transparente, të shpejtë dhe koherente, ndërsa qytetarët duhet të ushtrojnë mendim kritik për të parandaluar instrumentalizimin e informacionit dhe për të ruajtur stabilitetin e brendshëm.
“Në një rajon si Ballkani Perëndimor, i karakterizuar nga ndarje politike dhe ndjeshmëri të forta gjeopolitike, narrativat e krizave ndërkombëtare mund të integrohen shpejt në debatin e brendshëm dhe të thellojnë ndarjet. Kjo është vërejtur së fundmi edhe përmes disa deklaratave të zyrtarëve politikë serbë, të cilët kanë përdorur analogji me veprime të fshehta në një kontekst përballjeje, duke ushqyer perceptime kërcënimi dhe duke e zgjeruar debatin përtej situatës ndërkombëtare në fjalë. Në këtë kontekst, është thelbësore që institucionet të komunikojnë në mënyrë transparente, të shpejtë dhe koherente, për të kufizuar polarizimin dhe për të parandaluar instrumentalizimin politik. Stabiliteti i brendshëm varet po aq nga menaxhimi i sigurisë sa edhe nga menaxhimi i informacionit dhe nga aftësia e qytetarëve për të ushtruar mendim kritik përballë narrativave konkurruese”, ka përfunduar Gjanaj.