Rashiq gabon, Kurti sulmohet – Analistët: Vendimi i Kushtetueses mbi tokat e Deçanit është ligjor, jo politik

Politika

Rashiq gabon, Kurti sulmohet – Analistët: Vendimi i Kushtetueses mbi tokat e Deçanit është ligjor, jo politik

Arife Morina - Mulaku Nga Arife Morina - Mulaku Më 10 mars 2026 Në ora: 13:53
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, e tërhoqi deklaratën e tij se kryeministri Albin Kurti, për shkak të tij, kishte kërkuar në mars të vitit 2024 te Agjencia Kadastrale e Kosovës zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga viti 2016 për kthimin e tokës te Manastiri i Deçanit.

Rashiq sqaroi se deklarata e tij nuk ishte plotësisht e saktë, pasi e kishte ngatërruar atë me një bisedë tjetër të mëparshme rreth vizitës së Patriarkut serb, dhe se gabimi ishte i paqëllimshëm, duke ndodhur për shkak të kalimit të viteve.

Deklarata e tij nxiti reagime të shumta, ku kundërshtarët politikë të Kurtit menjëherë vërshuan me akuza.

Mirëpo, zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, e mohoi menjëherë pretendimin, duke theksuar se zbatimi i vendimit të vitit 2016 ishte kryer sipas ligjit dhe detyrimeve ndërkombëtare, përfshirë kushtet e Këshillit të Evropës për aplikimin e Kosovës.

Kjo qartësisht tregon se procesi kishte karakter institucional dhe ligjor dhe nuk lidhej me iniciativa personale.

Mirëpo, se a ishin të qëllimshme kritikat dhe akuzat e kundërshtarëve politikë ndaj Kurtit, duke qenë se çështja e tokë së Manastirit të Deçanit kishte nisur në kohën e qeverive të mëparshme dhe vendimi për kthimin e tokës ishte marrë nga Gjykata Kushtetuese që në vitin 2016, folën njohësit për “Bota sot”.

Halilaj: Zbatimi i vendimit të Kushtetueses për tokat e Manastirit të Deçanit, nuk lidhet me vullnetin e një qeverie të caktuar apo të një lideri politik

Fillimisht, për këtë temë, foli avokati Gazmend Halilaj, i cili tha se vendimin final për çështjen e tokës së Manastirit të Deçanit e ka thënë Kushtetuesja.

Sipas tij, Rashiqi edhe e sqaroi se ishte ngatërruar dhe se nuk kishte të bënte Kurti me këtë temë, e që doli se gjithçka ishte vetëm një komunikim i paskatë.

“Çështja e tokave të Manastiri i Deçanit duhet parë në radhë të parë në kontekstin juridik dhe institucional të Kosovës. Vendimi për kthimin e rreth 24 hektarëve tokë manastirit është marrë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2016 dhe është vendim përfundimtar e detyrues për të gjitha institucionet e shtetit. Kjo do të thotë se zbatimi i tij nuk lidhet me vullnetin e një qeverie të caktuar apo të një lideri politik, por me detyrimin e shtetit për të respektuar sundimin e ligjit dhe vendimet e institucioneve të tij më të larta kushtetuese.

Në këtë kontekst duhet parë edhe deklarata e ministrit Nenad Rashiq, i cili fillimisht kishte thënë se kryeministri Albin Kurti kishte kërkuar zbatimin e vendimit “për shkak të tij”, por më pas e tërhoqi këtë deklaratë duke sqaruar se kishte bërë një ngatërrim me një bisedë tjetër të mëhershme. Tërheqja e deklaratës e relativizon pretendimin fillestar dhe tregon se kemi të bëjmë më shumë me një keqinterpretim apo komunikim të pasaktë, sesa me një fakt të mirëfilltë politik”, shtjelloi ai.

Image
Gazmend Halilaj

Krahas kësaj, Halilaj për “Bota sot” vlerëson se një gjë e tillë u përdor me qëllim nga kundërshtarët e Kurtit, për ta sulmuar atë.

Ndonëse, avokati nënvizoi se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim i çdo qeverie që drejton vendin.

“Megjithatë, kjo situatë u përdor menjëherë në debatin politik, ku kundërshtarët e qeverisë aktuale e interpretuan deklaratën si dëshmi të një ndikimi të drejtpërdrejtë të kryeministrit në këtë proces. Një interpretim i tillë është i diskutueshëm, pasi procesi rreth tokave të Manastirit të Deçanit ka filluar shumë më herët, gjatë qeverive të mëparshme, ndërsa vendimi përfundimtar është marrë nga Gjykata Kushtetuese që në vitin 2016.

Për këtë arsye, është e rëndësishme të bëhet dallimi mes debatit politik dhe realitetit juridik. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim i çdo qeverie që drejton vendin në atë moment, pavarësisht bindjeve politike apo presioneve të brendshme dhe të jashtme. Në këtë kuptim, përgjegjësia për respektimin e vendimit nuk mund t’i atribuohet vetëm një qeverie apo një lideri të vetëm politik”.

Ndër të tjera, ai shtoi se, e gjithë kjo temë është kombinim i keqkomunikimit dhe i instrumentalizimit të një çështjeje për qëllime personale e politike.

“Në përfundim, kjo situatë duket më shumë si një kombinim i keqkomunikimit politik dhe i instrumentalizimit të një çështjeje të ndjeshme për qëllime të debatit të brendshëm politik. Thelbi i çështjes mbetet respektimi i vendimeve të institucioneve kushtetuese të Kosovës dhe ruajtja e parimit të sundimit të ligjit, i cili është themelor për funksionimin e çdo shteti demokratik”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.

Halili: Vendimi i Kushtetueses për tokat e Manastirit të Deanit nuk lidhet ekskluzivisht me qeverinë aktuale

Kurse, profesori Njazi Halili tha se, deklarata e fundit e Rashiqit, nxit nje reflektim mbi mënyrën se si interpretohet përgjegjësia institucionale dhe retorika politike në vend.

“Situata rreth deklaratës së ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, lidhur me vendimin për tokat e Manastiri i Deçanit, ka ndezur debat të ashpër politik në Kosovë dhe ka hapur reflektime të rëndësishme mbi mënyrën se si interpretohet raportimi, përgjegjësia institucionale dhe retorika politike në vend.

Deklarata fillestare e Rashiqit se kryeministri Albin Kurti kishte vendosur të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese “për shkak të tij” dhe pastaj e tërhoqi duke sqaruar se kishte ngatërruar një bisedë të mëparshme, duhet të lexohen në kontekstin më të gjerë ligjor dhe politik të vendit”.

Image
Njazi Halili

Halili në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se, zbatimi i vendimit të Kushtetueses nuk lidhet me qeverinë aktuale, por është pjesë e një procesi gjyqësor.

“Së pari, është e rëndësishme të theksohet se vendimi për regjistrimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit daton nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 i cili përcaktonte ligjshmërinë e pronësisë së tokës dhe detyrimin e zbatimit të tij nga institucionet e shtetit. Ky vendim ligjor nuk lidhet ekskluzivisht me qeverinë aktuale, por është pjesë e një procesi juridik të çështjes së pronësisë që zgjati për vite me radhë dhe nuk u zbatuan plotësisht nga qeveritë e mëparshme. 

Vendimi i zbatimit nga Agjencia Kadastrale gjatë mandatit të qeverisë Kurti në vitin 2024 u interpretua nga kjo qeveri si një hap drejt përmbushjes së kushteve për proceset integruese, përfshirë atë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, edhe pse ky anëtarësim nuk u konkretizua”.

Gjithashtu, profesori foli edhe për reagimet e opozitës dhe kundërshtarëve politik të qeverisë Kurti, pas deklaratës së Vuçiqit.

Sipas tij, ky ishte vetëm një keqkuptim gjatë komunikimit, jo diçka serioze.

“Së dyti, deklarata e Rashiqit ka ngjallur reagime të opozitës dhe figurave politike që e kanë perceptuar këtë shprehje si diçka shumë më serioze se një keqkuptim komunikimi. Disa përfaqësues të opozitës e kanë quajtur një mangësi të qeverisjes transparente dhe madje kanë përdorur termin “tradhti kombëtare” nëse Kurti nuk e heqë tërësisht këtë interpretim. 

Nga pikëpamja analitike, këtu po përballen dy dimensione kryesore, ligjshmëria e zbatimit të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese dhe dinamika e interpretimit politik. Vendimi për tokat është një domosdoshmëri juridike, sipas bazës ligjore, ndërsa mënyra e komunikimit politik për këtë vendim është ajo që ka ndezur debatet. Çështja nuk duhet ndarë thjesht në dy kategori “pro” dhe “kundër” por duhet të kuptohet si një reflektim i rëndësishëm i mënyrës se si politika e brendshme dhe retorika elektro-politike ndikojnë tek perceptimet publike”, shtjelloi ai.

Në fund, Halili potencoi se, kjo situatë e krijuar duhet të shërbejë si një këndvështrim reflektues për të gjithë aktorët politikë dhe institucionet e vendit

“Në këtë kontekst, deklarata fillestare e Rashiqit tregon se nevoja për kujdes të madh në komunikimin publik është jetike, sidomos kur bëhet fjalë për çështje historike dhe sensitive. Ndërsa vendimet ligjore dhe juridike duhet të jenë të qarta dhe të paanshme, mënyra se si ato prezantohen politikisht mund të krijojë perceptime të gabuara dhe ndikime të padëshiruara në debatin publik.

Në fund të fundit, kjo situatë duhet të shërbejë si një këndvështrim reflektues për të gjithë aktorët politikë dhe institucionet e vendit, qeverisja e mirë kërkon jo vetëm respektim të ligjit, por edhe një komunikim të përgjegjshëm dhe transparent që forcon besimin publik dhe jo e kundërta”, përmbylli Njazi Halili për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat