Specialja thotë se respekton Kushtetutën e Kosovës, ish-eprori flet për vendimin final: Mund të zgjasë…

Politika

Specialja thotë se respekton Kushtetutën e Kosovës, ish-eprori flet për vendimin final: Mund të zgjasë…

Nga: N.E Më: 13 mars 2026 Në ora: 16:04
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi

Gjykimi për të akuzuarit në Hagë është drejt fundit. Tashmë ka kaluar një muaj që nga përmbyllja e procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit dhe pritet vendimi për ta.

Sipas procedurave, trupi gjykues ka në dispozicion tre muaj për të marrë vendimin, ndërsa ditë më parë nga kjo Gjykatë thanë se se gjyqtarët e Hagës sigurojnë se të drejtat e të akuzuarve respektohen në përputhje me kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Specialja shkruan se nëse një i akuzuar s’është i kënaqur me ndonjë vendim, ai mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara.

“Nëse një i akuzuar beson se një vendim nuk është në përputhje me ligjin ose shkel të drejtat e tij, ai mund ta apelojë vendimin te një panel i veçantë gjyqtarësh dhe, si mjet i fundit, te Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.

“Në vendimmarrjen e tyre, gjyqtarët ndjekin Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e marra më parë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.Vetëm Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka zbatuar të paktën 160 raste të vendosura më parë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut për të siguruar që vendimet e saj të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, thekson Specialja.

Në anën tjetër, ndaj këtij njoftimi ka reaguar OVL- UÇK, duke thënë se populli e ka kuptuar shumë qartë sesa herë janë shkelur të drejtat themelore të njeriut dhe sa është respektuar kushtetuta.

Ata madje pyesin Specialen pse bashkëluftëtarët nuk lejohen ta presin verdiktin përfundimtar në shtëpitë e tyre.

“Mos provoni të hidhni hi syve popullit tonë me deklarata të tilla, kinse gjatë këtij procesi janë respektuar plotësisht të drejtat e të akuzuarve dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Populli i Kosovës e ka kuptuar shumë qartë, gjatë gjithë këtyre viteve, se sa herë janë shkelur të drejtat themelore të njeriut dhe sa është respektuar realisht Kushtetuta e vendit tonë.

Pikërisht për këtë arsye, sot shtrojmë një pyetje të thjeshtë dhe krejt legjitime: nëse, siç po deklaroni vetë, i gjithë procesi gjyqësor është drejt përfundimit, atëherë pse bashkëluftëtarët tanë nuk lejohen ta presin verdiktin përfundimtar në shtëpitë e tyre, pranë familjeve dhe popullit të tyre?

Si mund të arsyetohet mbajtja e tyre në paraburgim të pafund, kur vetë gjykata po thotë se gjykimi është në fazën përmbyllëse?

Kjo është një pyetje që kërkon përgjigje të qartë, jo deklarata formale për respektim të të drejtave.

Nuk duam asgjë më shumë se drejtësi të vërtetë dhe standarde të barabarta, ashtu siç aplikohen në çdo sistem tjetër gjyqësor demokratik”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Ndërsa, ish- eprori i UÇK-së, Naim Miftari, thotë se Specialja është votuar nga deputetët shqiptarë, por nëse Thaçi do të dinte se do të arrestohej dhe gjykohej edhe vetë, atëherë nuk do ta kishte votuar kurrë.

Sipas tij, procesi gjyqësor ka dy anomali të mëdha.

“Gjykata Speciale është me Dhoma të Specializuara në Hagë, është gjykatë e Kosovës, është e votuar me mbi 80 deputetë shqiptarë. Dihet publikisht se kjo gjykatë nuk do të votohej kurrë po ta dinte Hashim Thaçi se do të arrestohej e gjykohej edhe vetë pas një kohe. Kur kuptoi se do të akuzohej edhe vetë, filloi të punojë me plogësht në ndarjen e Kosovës, duke tentuar të paraqitej si figurë kyçe e pajtimit me Serbinë. Pastaj, kur e pa se s’ka shpëtim, tentoi ta zhbëjë këtë gjykatë brenda natës, por nuk i dhezi, pasi LVV nuk ra në pusin e tij.

Sa i përket procesit gjyqësor, sipas meje ka dy anomali. Është zgjat paraburgimi i të akuzuarve dhe anomalia kryesore është se nuk është arrestuar as edhe një serb, zyrtar, ushtarak apo kriminel serb, për qindra mijëra krime që i kanë bërë forcat serbe në Kosovë, dhe për këtë fakt vetë kam pas kundërshtim me këtë gjykatë. Ndërsa sa i përket të drejtave të njeriut, ato respektohen sipas standardit evropian për të drejtat e njeriut. Çdo aludim se po shkelen të drejtat nga gjykata është gënjeshtër”, deklaron Miftari.

Image
Naim Miftari

Ish- eprori i kupton ankesat, gjersa shton se ata duhet ta pranojnë realitetin, sepse nuk janë prokurorë atje si të “Pronto-s”.

“I kuptoj ankesat, sidomos nga ata që ishin krerët e shtetit, por ata, sidomos Thaçi, nuk e kanë pranuar realitetin se nuk është më kryetar, as nuk mund të luajë rol me ambasadat e huaja, por aty është i akuzuar për krime lufte dhe prokurorët aty nuk janë prokurorë të “Prontos” si Aleksandër Lumezi, Sylë Hoxha, Blerim Isufi, por përballë ka prokurorë të Evropës dhe Amerikës”, shprehet ish- eprori.

Në fund, ai thotë se mund të zgjasë edhe me vite tjera deri në lirim apo dënim.

“Dhe mirë që po i vjen fundi këtij procesi, i cili do të zgjasë edhe disa vite të tjera, por me një vendim tani për lirim apo dënim, dhe nëse dënohen shteti serb do ta përdorë këtë fakt për të punuar edhe më fort kundër Kosovës”, shton Miftari.

Kujtojmë, se kryeprorkurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Gjykatën Speciale në Hagë, Kimberly Ëest, ka kërkuar nga 45 vjet dënim me burg për secilin, apo 180 vjet gjithsej për katër të akuzuarit.

Prokurorja West ka thënë se nuk kërkohet dënim për Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), por për personat e akuzuar.

Ëest i kërkoi Speciales po ashtu që ta marrë parasysh peshën e veprimeve të secilit të akuzuar.

“ZPS-ja kërkon aktgjykim dënues për të gjitha pikat e aktakuzës me dënim unik prej 45 vjetësh(secili) duke u mbështetur në kontributet individuale të krimeve të bëra ose të kryera nga secili prej personave: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë krime të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës, vazhdojnë të jenë ende shumë të rënda”, ka thënë West.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për "ndërmarrje të përbashkët kriminale" lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për "tortura e trajtim mizor" në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

Gjykata Speciale me seli në Hagë u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por, vepron me personel ndërkombëtar. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat