Pesë persona janë vrarë brenda një jave në Kosovë, një shifër kjo alarmante në vendin tonë.
Këto raste, të ndodhura në zona të ndryshme të vendit, kanë ngritur shqetësime serioze për nivelin e sigurisë dhe përshkallëzimin e dhunës në shoqëri.
Autoritetet kanë nisur hetime intensive për secilin rast, ndërsa disa të dyshuar tashmë janë arrestuar.
Në lidhje me këtë avokati Gazmend Halilaj, ka paralajmëruar për një krizë sigurie në Kosovë, pas vrasjes së 5 personave brenda vetëm 7 ditëve, tre prej të cilëve në një natë.
Ai tha se këto ngjarje nuk janë rastësi, por tregojnë dobësi strukturore në parandalimin e krimit, mungesë kontrolli institucional dhe një klimë mosndëshkueshmërie.
“Fakti që 5 persona janë vrarë në Kosovë brenda vetëm 7 ditëve, ku 3 prej tyre në një natë të vetme, paraqet një sinjal serioz alarmi për gjendjen e sigurisë publike dhe funksionimin efektiv të mekanizmave të rendit dhe drejtësisë. Ky intensitet i ngjarjeve kriminale nuk mund të trajtohet si rastësi e izoluar, por më tepër si tregues i një problematike më të thellë strukturore, që mund të lidhet me dobësi në parandalimin e krimit, mungesë të kontrollit adekuat institucional, apo edhe një klimë të përgjithshme të mosndëshkueshmërisë”, tha ai për gazetën.
Halilaj kërkon një analizë të thelluar profesionale dhe institucionale për të identifikuar shkaqet reale – sociale, ekonomike apo ligjore – dhe ndërmarrjen urgjente të masave konkrete për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të rikthyer ndjenjën e sigurisë tek qytetarët.
Në thelb, ai paralajmëron se situata nuk mund të trajtohet si rastësi, dhe se nevoja për veprime të menjëhershme është jetike për stabilitetin e sigurisë publike në vend.
“Rritja e rasteve të dhunës ekstreme në një periudhë kaq të shkurtër ngre pikëpyetje serioze mbi efektivitetin e organeve të sigurisë, koordinimin ndërinstitucional dhe besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit. Në këtë kontekst, kërkohet një analizë e thelluar profesionale dhe institucionale për të identifikuar shkaqet reale, qoftë ato sociale, ekonomike apo ligjore, si dhe ndërmarrja urgjente e masave konkrete për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe për të rikthyer ndjenjën e sigurisë tek qytetarët” – potencoi ai.