“Nuk jam e sigurt nëse Vuçiqi dhe Rama e dinë sa duhet të arrijnë nëse duan të jenë pjesë e Shengenit apo të tregut të përbashkët.
Dhe se procesi i reformave është i vështirë si për integrimin ekonomik, ashtu edhe për anëtarësimin në BE”, kështu u shpreh komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos të enjten.
Kos përmes këtij reagimi për median serbe ka hedhur poshtë propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, të cilët përmes një editoriali publikuar në një media gjermane bënin thirrje për përshpejtim e integrimit të vendeve kandidate në tregun e përbashkët të BE-së dhe në hapësirën Shengen, pa marrë të drejtën e vetos.
Por, detaje tjera flet për “Bota sot”, profesor, doktor i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, i cili thotë se Kos kundërshtoi vetëm në aspektin ekonomik të tregut.
Ai kundërshtimin e saj e sheh imponim, gjersa beson se ajo ka qenë në dijeni për letrën e Ramës dhe Vuçiqit para se të botohej.
“Marta Koss e kundërshtoi idenë e Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiq për integrimin evropian të Shqipërisë dhe Serbisë vetëm në aspektin ekonomik të tregut. Kjo kundërti e komisioneres për zgjerim të BE-së duket se asaj i është imponuar nga shefat ose personalitete që kanë në dorë vendimmarrjen e BE-së. Personalisht besoj se ajo ka qenë në dijeni të asaj letre, para se të botohej në Frankfurter Allgemeine Zeitung. Ajo është e lidhur ngushtë edhe me kryeministrin e Shqipërisë e përmes tij me presidentin e Serbisë. Në fakt presidenti i Serbisë, Vuçiq, e ka pasur Marta Koss bashkëpunëtore të shërbimit të tij sekret gjë për të cilën ajo po hetohet në Bruksel”, deklaron Bytyçi.
Sipas tij, reagimi i Kos mund të jetë detyrim nga dikush më i fuqishëm, por paraprakisht ka shumë mundësi që ajo ta ketë inkurajuar atë letër- propozim dhe madje të ketë garantuar edhe mbështetje për të.
“Shkaku i vërtetë i reagimit të saj kundër kërkesës së dy autokratëve të Ballkanit tonë është se për këtë e ka detyruar dikush më i fuqishëm. Në fund të fundit ajo e ka për detyrë të shprehet për një çështje si kjo. Por ka shumë mundësi që Koss ta ketë inkurajuar atë letër-propozim dhe madje të ketë garantuar edhe mbështetje për të. Duke se në Bruksel dhe në Europë ka politikanë dhe liderë që i lexojnë me objektivitet dhe vërtetësi intrigat e kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë. Dhe është krejt e natyrshme kjo”, thekson profesori.
Testimi i BE-së dhe pritja për përgjigje pozitive, janë synimet e letrës Rama- Vuçiq, thotë Bytyçi.
Sipas tij, përgjigjja e Kos në emër të BE-së dëshmon se Evropa është e lodhur tashmë me këta dy njerëz që nuk kanë profesion tjetër, përveç profesionin e mashtruesit.
“Ajo letër e dy protagonistëve që përmendëm me lart ishte e paramenduar dhe e llogaritur deri në detaje. U shkrua me shpresën se Brukseli do të pajtohej me të. Intriga kishte disa dimensione. Së pari, synonte që të dy këta të testonin BE-në, sa e gatshme është ajo të tolerojë arrogancën e Ramës dhe Vuçiq në qeverisjen e vendeve përkatëse. Nëse BE do ta pranonte këtë propozim, ata do të kuptonin se vendet e Bashkimit Europian janë të gatshme të mbështesin e lidershipin e këtyre të dyve edhe për një kohë të pacaktuar. Në këtë pikëpamje ishte letër për të testuar qëndrimin europian ndaj kryeministrit shqiptar dhe presidentit serb. Përgjigja e Marta Koss në emër të BE-së dëshmon se Europa është lodhur tashmë me këta dy njerëz që nuk kanë profesion tjetër, përveç profesionin e mashtruesit. Së dyti, Rama dhe Vuçiq prisnin një përgjigje pozitive, ndoshta të premtuar nga Koss, me qëllim që të hiqej nga agjenda kushti për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Por nuk ndodhi as kjo. Berlini sidomos, por edhe shtete të tjera europiane janë të vendosur që Shqipëria dhe Serbia të realizojnë të gjitha kushtet e parashikuara në dokumentoin e Konpenhagenit për integrimin europian. Ata kanë bërë me dije se janë të gatshëm ta pranojnë integrimin e Ballkanit Perëndimor në Union, por vetëm pas plotësimit të kushteve që janë përcaktuar në atë dokument”, nënvizon Bytyçi.
Propozimi Rama- Vuçiqi ishte në formën e joshjes tinzare, ndërsa refuzimi i detyruar i Kos është frenim i fantazive, thotë profesori, duke shtuar se ata gjithmonë e kanë mashtruar Bashkimin Evropian.
“Ndërsa përpjekja për të anashkaluar kriteret e dokumentit të Kopenhagenit për zgjerimin e BE-së eshtë djallëzore nga ana e të dy autorëve të letrës së publikuar në gazetën e njohur gjermane. Ndërkaq intriga e përdorur nga Rama dhe Vuçiq në atë letër (në fakt të shkruar nga Edi Rama, por sipas shijeve të Aleksandër Vuçiq) tashmë është demaskuar. Nuk bëjnë më punë as artificet që këta të dy përpiqen të gjejnë me mungesën e veton, mungesën e komisionerit, madje dhe mungesën e votës së dy vendeve në Këshillin Europian. Duket se propozimi ishte formuluar në formën e joshjes tinzare nga të dy këta autorë të letrës. Ndërsa refuzimi i detyruar që bëri Marta Koss është frenim i fantazive Rama-Vuçiq.
Gjithmonë këta të dy e kanë mashtruar Bashkimin Europian. Ose më saktë kanë siguruar mbështetjen e unionit në këmbim të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Por kësaj radhe nuk ka më mashtrime dhe gënjeshtra të reja. Prandaj u kundërshtua ky propozim. Ndërsa Rama dhe Vuçiq mendoj se nuk do të reagojnë kundër deklaratës së Koss. Sepse ata e dinë se ajo deklaratë nuk vjen nga mikja e të dy autokratëve në fjalë, por nga dikush tjetër më i fuqishëm se ajo. Dhe, sepse nuk duan të ndezin debate të reja kritike për atë letër në opinionin publik. Metoda perfekte e mashtruesve është t’i ikin debatit, ta mbulojnë sherrin, ta zbehin sherrnajën. Ndryshe do të demaskoheshin edhe më keq. Prandaj them se është e pamundur që ndonjëri prej këtyre të dyve të reagojë dhe ta kritikojë përgjigjen e komisioneres për zgjerim të Bashkimit Europian”, përfundon profesori.