Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se vendi i tij po përballet me presione të shtuara politike nga rajoni, duke përmendur drejtpërdrejt Prishtinën, Tiranën dhe Zagrebin.
Në një postim në rrjetet sociale, Vuçiq theksoi se këto zhvillime po ndikojnë në situatën politike dhe të sigurisë së vendit, ndërsa paralajmëroi se Beogradi do të ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar kapacitetet mbrojtëse.
Ai bëri të ditur se në këtë kuadër priten edhe blerje të reja ushtarake, duke lënë të kuptohet se Serbia synon të rrisë gatishmërinë e saj përballë sfidave që, sipas tij, vijnë nga mjedisi rajonal.
Deklarata e presidentit serb vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, duke shtuar shqetësimet për një rritje të retorikës politike dhe garës për armatim në rajon.
“Situata e sigurisë është disi më komplekse sesa në janar, kur e trajtuam atë, kryesisht për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejshme të aleancës ushtarake të Prishtines, Tiranës dhe Zagrebit. Angazhimi ynë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit nuk ka ndryshuar, dhe ne mund ta ruajmë atë vetëm nëse jemi mjaftueshëm të fuqishëm”, shkroi Vuçiq në Facebook.
Drejtori i Institutit Octapus, Arben Fetoshi, thotë se retorika e Aleksandar Vuçiq për “kërcënim” nga marrëveshja Kosovë–Shqipëri–Kroaci është propagandë për konsum të brendshëm.
Sipas tij, kjo përdoret për mobilizim politik, arsyetim të militarizimit dhe afrimin me Rusinë e Kinën, ndërsa pretendimet për “rrethim” janë të pavërteta dhe të demantuara nga NATO dhe partnerët rajonalë.
“Po dhe për fat të keq nuk është asgjë e re. Një retorikë e amplifikuar nga mediat e propagandës, sidomos kohëve të fundit, si pjesë e strategjisë së “viktimizimit”. Duke e interpretuar marrëveshjen ushtarake Kosovë, Shqipëri, Kroaci si “kërcënimin më serioz” për Serbinë, Vuçiq po e përdor atë për nxitje të mobilizimit politik, për arsyetim të militarizimit dhe për thellim të përkatësisë me Rusinë e Kinën. Kjo qasje e tij është veçanërisht shqetësuese në kontekstin aktual të përplasjeve gjeopolitike dhe për shkak të presionit të brendshëm ndaj pushtetit të tij autoritar.
Aspak reale, përralla të Vuçiqit për konsum të brendshëm. Këtë e ka sqaruar NATO, por edhe Kroacia e partnerët e tjerë rajonalë. Ato janë thjesht një teknikë gebelsiane e shpikjes së “armikut”, që ka për qëllim arsyetimin e veprimeve dhe mobilizimin e mbështetjes së publikut. Kroacia dhe Shqipëria janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova nën “ombrellën” e NATO-s, kështu që pretendimi i “rrethimit” është vetëm një konstrukt narrativ për defokusimin e kritikave ndërkombëtare sa i përket rolit destabilizues të Serbisë në rajon”, tha ai.
Në fund, Fetoshi vlerëson se ndërthurja e militarizimit me narrativën viktimizuese përbën rrezik të vazhdueshëm për rajonin.
Sipas tij, armatosja e Serbisë rrit tensionet dhe dëmton besimin mes vendeve, duke ndikuar drejtpërdrejt në marrëdhëniet rajonale. Edhe pse prania e KFOR mbetet faktor kyç parandalues, ai thekson se ideja e “Botës Serbe”, lëvizjet ushtarake pranë kufirit dhe incidentet në veri dëshmojnë për një kërcënim të vazhdueshëm ndaj Kosovës nga politika hegjemoniste serbe.
“Kombinimi i militarizimit me narrativën “viktimizuese” është tipik për strategjitë hibride dhe mbetet gjithmonë kërcënues për sigurinë e rajonit. Armatosja e mëtejshme e Serbisë shkakton rritje të tensioneve dhe rënie të besimit mes palëve, prandaj s’do mend që ka ndikim edhe në marrëdhëniet rajonale. Megjithëse prania e NATO-s (KFOR) është faktor kyç parandalues, projekti i “Botës Serbe”, përqendrimi i forcave në vijën kufitare dhe sulmet terroriste në veri, tregojnë se Kosova është nën kërcënim të vazhdueshëm të politikës hegjemoniste serbe”, përfundon ai.