Me burgim të përjetshëm janë dënuar dy të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt të kryer më 29.11.2023 para fëmijëve të saj të mitur, të cilët në kohën e ngjarjes kanë pasur 4 dhe 6 vjet.
Të dënuarit në këtë rast janë: bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, si dhe i akuzuari Granit Plava.
Kurse i akuzuari tjetër Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vjet burgim.
Vendimi është shpallur të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga gjyqtarja Fatime Dermaku.
Dermaku tha se të akuzuarit Naim Murseli e Granit Plava konfrom nenit 364 janë fajtor për "vrasje të rëndë në bashkëkryerje", kurse Plava edhe për "armëmbajtje pa leje".
Kurse Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vite burgim për veprën penale “ndihmë në kryerjen e veprës penale, vrasje e rëndë”.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati Arbër Jashari.
Ai thotë se ky vendim është mesazh i fuqishëm për krime të tëilla.
Sipas tij, dënimi për Murselin, Plavën dhe Kokallën është sinjal i fuqishëm për shoqërinë dhe shtetin tonë.
“Konsideroj se ky vendim është një mesazh i qartë se krime të tilla nuk do të mbeten pa ndëshkim meritor.
Është një sinjal i rëndësishëm për shoqërinë tonë, për shtetin e së drejtës dhe për të gjitha familjet që presin drejtësi”, u shpreh ai.
Në fund, avokati nënvizon që dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit duhet të ndëshohen me fuqinë maksimale të ligjit.
“Është me rendësi që të gjithë dhunuesit, abuzuesit, vrasësit të ndëshkohen me fuqinë maksimale te ligjit, në mënyrë që të jenë shembull për të gjithë “kriminelët” potencial në të ardhmen”, përfundoi avokati Jashari për “Bota sot”.
Kujtojmë që Seanca fillestare për këtë rast ishte mbajtur më 31 janar 2025.
Gjatë këtij procesi gjyqësor janë mbajtur një sërë seancash ku ishin dëgjuar dëshmitarë e ishin paraqitur një numër i madh i provave materiale .