Pas dështimit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, Kosova shkon në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme parlamentare, të tretat me radhë vetëm brenda një viti e gjysmë.
Partitë politike opozitare bojkotuan seancën e stërzgjatur, duke pamundësuar kështu kuorumin e nevojshëm prej 80 deputetësh për ta zgjedhur presidenten e re të Kosovës.
Në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, thuhet qartë se, Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave dhe kuorumin prej dy të tretave në dy rundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë.
Afati prej 35 ditësh i dhënë nga Gjykata Kushtetuese skadoi në mesnatën e 28 prillit, dhe në këtë mënyrë, automatikisht sipas atij vendimi, shpërbëhet Kuvendi, pa nevojën e një dekreti presidencial.
Sërish duhet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare më së largu brenda 45 ditësh, që i bie në fillim të qershorit.
Opozita i kundërshtoi edhe kandidaturat e reja dhe nuk mori pjesë në asnjë seancë për presidentin, as më 27 prill e as gjatë së martës.
E këto veprime nga opozita sollën edhe dështimin e seancës dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Mirëpo, a ishin të gjitha refuzimet e ofertave politike dhe kompromiseve, një plan apo skenar që vendi të shkojë në zgjedhje?
Mehmeti: Fajtor kryesor është LDK
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi për çështje politike, Faton Mehmeti.
Ai thotë se LDK ka bërë një gabim politik duke u bazuar te rikthimi i Vjosa Osmanit dhe duke refuzuar ofertat e Kurtit, gjë që ka çuar në zgjedhje në vend të zgjedhjes së presidentit.
“Fajtori kryesor është LDK, e cila është mashtruar me bindjen se Vjosa do të kthehet në LDK dhe do t’i rrisë, prandaj kanë refuzuar të gjitha ofertat e Kurtit. Nëse LDK do të ishte e interesuar për presidentin, Kosova do të kishte president dhe jo zgjedhje”, u shpreh ai.
Tutje, ai kritikon Abdixhikun dhe LDK-në duke thënë se po përpiqen të justifikojnë dështimet politike përmes figurës së Vjosa Osmanit, duke i quajtur këto manovra të dëmshme për qytetarët, të cilët sipas tij duhet t’i ndëshkojnë këto veprime në zgjedhje, ndërsa paralajmëron se kriza politike mund të vazhdojë edhe me zgjedhje të reja.
“Kështu që Abdixhiku po synon përmes Vjosës të mbulojë dështimet e tij me një rritje eventuale. Kjo është e turpshme që qytetarët po pësojnë nga lojërat politike për pushtet. Prandaj, qytetarët duhet ta dinë dhe të ndëshkojnë ata që për interesa të tyre e sollën vendin në këtë situatë të panevojshme.
Megjithatë, nuk besoj se këtu mbaron kriza, pasi përsëri mund të ketë zgjedhje të reja pas këtyre”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.
Kasolli: Kalkulimet politike që çuan në bllokadë
Ndërsa, njohësi tjetër për çështje politike, Afrim Kasolli në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se përpjekja për zgjedhjen e një presidenti konsensual ishte më shumë një lojë politike për të fajësuar njëri-tjetrin sesa një tentativë reale për zgjidhje, duke e thelluar krizën dhe bllokadën politike.
“Në fakt e tërë gjoja përpjekje për gjetjen e një kandidati konsesnual për president i ngjante një kronike të një krize të paralajmëruar.
Me anë të kësaj skeme shihej qartë se më shumë se kërkohej të votohej një presidenti i pranuar nga të gjitha partitë politike parlamentare, të ndërtohej argumenti i secilit subjekt politik kundër njëri-tjetrit se cili është fajtori i madh që po e mban vend peng dhe në bllokadë”, u shpreh ai.
Në fund, njohësi politik nënvizon se, partitë politike me kalkulimet e tyre e çuan vendin drejt një rruge pa alternativë, duke i bërë zgjedhjet e reja të pashmangshme.
“Pra të drejtuara nga ky kalkulim secila prej partive politike, shtruan rrugën që nuk lanë asnjë hapësirë tjetër, pos duke i bërë zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme të pashmangshme”, përfundoi Kasolli për “Bota sot”.