Samiti në Armeni: Kosova në tryezën evropiane, vlerësohet roli i Kurtit

Politika

Samiti në Armeni: Kosova në tryezën evropiane, vlerësohet roli i Kurtit

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 5 maj 2026 Në ora: 10:07
Albin Kurti

Udhëheqës nga e gjithë Bashkimi Evropian dhe vende të tjera janë mbledhur më 4 maj në Jerevan, kryeqytetin e Armenisë, në kuadër të Samitit të tetë të Komunitetit Politik Evropian.

Në këtë takim të nivelit të lartë ka marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili përfaqësoi vendin në mesin e liderëve evropianë dhe rajonalë.

Samiti synon forcimin e dialogut politik, bashkëpunimit dhe koordinimit për çështjet e sigurisë dhe stabilitetit në kontinentin evropian.

Kurti është pritur edhe nga kryeministri armen.

“Në pritjen zyrtare u mirëprita nga Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, dhe Kryetari i Kuvendit, Alen Simonyan. Gjatë mbrëmjes pata bashkëbisedime me liderë dhe përfaqësues të lartë të shteteve pjesëmarrëse, ku u shkëmbyen ide, pikëpamje dhe qëndrime mbi zhvillimet aktuale në Evropë dhe më gjerë, si dhe mbi mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët”, shkruan ndër tjera kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Ramabaja: Në planin afatgjatë, këto takime kanë rëndësi kumulative

Analisti politik, Sadri Ramabaja në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se pjesëmarrja e Albin Kurtit në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Jerevan nuk është vetëm simbolike, por pjesë e pozicionimit ndërkombëtar të Kosovës.

Ai thekson tri pika kryesore:

Integrimin evropian: Kosova shihet si aktor i rëndësishëm në forume evropiane, edhe pse kjo nuk nënkupton ende anëtarësim formal në BE.

Diplomacinë: takimet e Kurtit shërbejnë për rritjen e mbështetjes ndërkombëtare dhe avancimin e njohjeve e integrimit.

Rolin gjeopolitik: pjesëmarrja e Kosovës e forcon orientimin euroatlantik në një kohë tensionesh në Evropë dhe rajon.

Image
Sadri Ramabaja

“Pjesëmarrja e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në samitin Europian të Komunitetit Politik në kryeqendërn e Armenisë – Yerevan, duhet parë përtej simbolikës – si pjesë e një procesi më të gjerë të pozicionimit ndërkombëtar të Kosovës.

Së pari, në planin e integrimit evropian

Vetë formati i Komunitetit Politik Evropian është krijuar për të përfshirë vende që nuk janë ende pjesë e BE-së, por që janë të lidhura ngushtë me arkitekturën politike dhe të sigurisë së kontinentit. Prania e Kosovës në këtë forum nënkupton njohje de facto si aktor relevant në tryezat evropiane. Megjithatë, duhet të jemi realistë: kjo nuk përbën një hap formal drejt anëtarësimit, por një platformë ndërmjetëse që e afron Kosovën me ritmin politik të Evropës.

Së dyti, dimensioni diplomatik

Takimet e Kurtit me liderë të shumtë evropianë dhe ndërkombëtarë nuk janë thjesht protokollare. Në diplomacinë bashkëkohore, sidomos për shtete me njohje të pjesshme, siç është rasti i Kosovës, këto kontakte janë mënyra kryesore për ndërtimin e besimit politik, për zgjerimin e rrjetit të mbështetjes dhe për avancimin e agjendave konkrete (njohje, integrim, siguri).

Në këtë kuptim, pjesëmarrja në samite të tilla është instrument funksional i shtetndërtimit ndërkombëtar.

Së treti, roli rajonal dhe gjeopolitik

Në një kontekst të tensionuar në Evropë, me luftën në Ukrainë dhe rivalitetet në rritje, Ballkani Perëndimor rikthehet si hapësirë me rëndësi strategjike. Prezenca aktive e Kosovës në këto forume e vendos atë më qartë në boshtin euroatlantik dhe e diferencon nga aktorë të tjerë rajonalë që mbajnë qëndrime më ambigue.

Në planin afatgjatë, këto takime kanë rëndësi kumulative. Ato rrisin subjektivitetin e Republikës dhe normalizojnë praninë e saj në diplomacinë evropiane, ndërkaq në rrjedhën e zhvillimeve gjeopolitike krijojnë kapital politik që mund të shfrytëzohet në momente kyçe p.sh. në procese integruese, në rastin aktual bëhet fjalë për përshpejtimin e aderimit të Kosovës në NATO, por edhe për anëtarësime në organizata ndërkombëtare”, thotë ai.

Krahas kësaj, Ramabaja thotë se pjesëmarrja e Albin Kurtit në Samitin e Komunitetit Politik Evropian vlerësohet si hap pozitiv për Kosovën, pasi forcon praninë diplomatike dhe afron vendin me Evropën.

“Pjesëmarrja e Albin Kurti në samitin e Komunitetit Politik Evropian është një hap pozitiv dhe i nevojshëm, por edhe shumë i mirëseardhur për qastet që po kalojmë si Republikë në përballje me luftën hibride serbo-ruse. Ajo dëshmon një rritje të pranisë diplomatike të Kosovës dhe një afrim funksional me Evropën, por ndikimi real do të varet nga aftësia për ta shndërruar këtë prezencë në rezultate konkrete politike dhe integruese”, nënvizon ai.

Rexhepi: Pjesëmarrja e Kurtit në këtë samit është më shumë se simbolike—është dëshmi e një politike të jashtme më aktive, më të artikuluar dhe më ambicioze

Kurse, analisti politik, Agim Rexhepi vlerëson se pjesëmarrja e Albin Kurtit në samitin në Yerevan është një sinjal i rëndësishëm politik që tregon forcimin e pozitës së Kosovës në Evropë, rritjen e saj si aktor i njohur ndërkombëtar dhe afrimin me proceset integruese evropiane përmes diplomacisë aktive dhe takimeve bilaterale.

Image
Agim Rexhepi

“Pjesëmarrja e Kryeministrit në detyrë Albin Kurti në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Yerevan nuk është thjesht një prezencë protokollare—është një sinjal i qartë politik dhe diplomatik për pozicionimin gjithnjë e më të konsoliduar të Kosovës në hartën evropiane.

Së pari, vetë fakti që Kosova përfaqësohet në një forum ku mblidhen liderët më të rëndësishëm të kontinentit, tregon se shteti ynë nuk është më një temë periferike, por një aktor që po trajtohet seriozisht në tavolinat ku diskutohen çështjet kyçe të sigurisë, bashkëpunimit dhe integrimit evropian. Kjo është meritë e një qasjeje më të drejtpërdrejtë, më dinjitoze dhe më parimore të politikës së jashtme të ndërtuar nga qeveria Kurti.

Së dyti, takimet bilaterale të Kurtit me liderë të ndryshëm gjatë këtij samiti kanë një peshë të shumëfishtë. Ato nuk janë vetëm shkëmbime formale, por mundësi konkrete për të thelluar njohjet, për të rritur mbështetjen politike dhe për të avancuar agjendën euro-integruese të Kosovës. Në një kohë kur dinamika gjeopolitike në Evropë është më e ndërlikuar se kurrë, prezenca aktive e Kosovës në këto forume tregon një pjekuri institucionale dhe një vetëbesim shtetëror që nuk ka qenë gjithmonë i dukshëm në të kaluarën.

Po ashtu, pjesëmarrja në këtë samit është një hap i rëndësishëm drejt afrimit me strukturat evropiane. Edhe pse European Union mbetet objektivi final, platforma si Komuniteti Politik Evropian shërbejnë si ura lidhëse që e përgatisin Kosovën për integrim të plotë. Aty ndërtohen marrëdhënie, krijohet besim dhe harmonizohen qëndrime – të gjitha elemente thelbësore për procesin integrues”, shprehet ai.

Analisti thotë se, Kurti me pjesëmarrjen e tij, e paraqet Kosovën si faktor aktiv në rajon, e forcon imazhin e saj ndërkombëtar dhe ndihmon në rritjen e njohjeve e afrimin me BE-në përmes një politike të jashtme më të fuqishme dhe më të qëndrueshme.

“Në aspektin rajonal dhe më gjerë, kjo pjesëmarrje përforcon perceptimin se Kosova nuk është më vetëm një konsumator i stabilitetit, por një kontribuues aktiv në të. Qeveria Kurti ka arritur ta zhvendosë narrativën nga një Kosovë që pret zgjidhje, në një Kosovë që ofron partneritet dhe qëndron fuqishëm në mbrojtje të vlerave demokratike evropiane.

Në planin afatgjatë, këto takime dhe kjo prezencë e vazhdueshme në forume të nivelit të lartë mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Çdo takim është një mundësi për të konsoliduar njohje, për të rritur besueshmërinë dhe për të avancuar interesat shtetërore. Diplomacia nuk jep gjithmonë rezultate të menjëhershme, por ndërtohet pikërisht përmes këtyre hapave të qëndrueshëm.

Në përmbledhje, pjesëmarrja e Kurtit në këtë samit është më shumë se simbolike—është dëshmi e një politike të jashtme më aktive, më të artikuluar dhe më ambicioze. Është një tregues se Kosova po e forcon zërin e saj në arenën ndërkombëtare dhe po ecën me hapa më të sigurt drejt integrimit evropian”, përfundon Agim Rexhepi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat