Afati i 7 majit, testi i parë politik para zgjedhjeve të 7 qershorit

Politika

Afati i 7 majit, testi i parë politik para zgjedhjeve të 7 qershorit

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 6 maj 2026 Në ora: 21:31
Ilustrim

Më 7 qershor pritet të mbahen zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

53 partitë politike të regjistruara në Kosovë kanë pasur të drejtë të njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) lidhur me pjesëmarrjen e tyre në këto zgjedhje dhe me mundësinë e formimit të koalicioneve.

Afati për deklarim ka qenë nga 1 deri më 7 maj, periudhë gjatë së cilës subjektet politike është dashur të bëjnë të ditur nëse do të garojnë, nuk do të marrin pjesë apo do të hyjnë në koalicion me parti të tjera.

Është raportuar se deri më tani 18 parti politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhje, 4 parti kanë njoftuar mospjesëmarrjen, ndërsa është regjistruar edhe një koalicion i përbërë nga 2 parti politike. 

Analistët politikë vlerësojnë se 7 maji është afati i fundit kur partitë duhet të njoftojnë KQZ-në për pjesëmarrjen në zgjedhje dhe për koalicionet parazgjedhore.

Sipas tyre, kjo periudhë është test për seriozitetin politik, ndërsa pritet një garë e fortë dhe e fragmentuar pa një fitues të qartë.

Sa i përket koalicioneve, vlerësohet se partitë mund të shmangin marrëveshjet parazgjedhore për të mos humbur vota dhe për të ruajtur fleksibilitetin politik, duke i lënë negociatat kryesore për pas zgjedhjeve, varësisht nga rezultati dhe balancat në Kuvend.

Mehmeti: Partitë shmangin koalicionet parazgjedhore për të ruajtur votat

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik, Faton Mehmeti në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se se afati i 7 majit është test për seriozitetin politik, duke paralajmëruar se mungesa e qartësisë mund të lërë hapësirë për manovra paszgjedhore.

“Afati i 7 majit është një  moment testues për seriozitetin dhe qartësinë politike të subjekteve. Në vend se të kemi një panoramë të pastër të  ofertave dhe aleancave, ekziston rreziku që partitë të hyjnë në garë me kalkulime të hapura, duke lënë hapësirë për manovra paszgjedhore”, ka thënë ai.

Sipas tij, gara pritet të jetë e fortë dhe e fragmentuar, me partitë që synojnë mobilizim maksimal, por pa një epërsi të qartë për formimin e institucioneve.

“Sa i përket garës, ajo pritet të jetë e fortë dhe e fragmentuar. Subjektet kryesore do të synojnë mobilizimin maksimal të elektoratit të tyre, por pa një diferencë të theksuar që do t’i jepte një fituesi epërsi të qartë për formimin e institucioneve të reja”, ka theksuar ai.

Tutje, Mehmeti ka cilësuar se partitë mund t’i shmangin koalicionet parazgjedhore për të ruajtur fleksibilitetin, duke lënë marrëveshjet për pas zgjedhjeve, çka rrezikon të sjellë më shumë paqartësi sesa stabilitet.

“Në lidhje me koalicionet, më shumë gjasa ka që partitë t’i shmangin marrëveshjet parazgjedhore, për të mos humbur vota nga elektoratet përkatëse dhe për të ruajtur fleksibilitetin politik. Kjo nënkupton se pazaret reale pritet të ndodhin pas zgjedhjeve, në varësi të rezultatit dhe balancave që do të krijohen në Kuvend. Në thelb, këto zgjedhje rrezikojnë të prodhojnë më shumë paqartësi sesa zgjidhje të qëndrueshme”, ka vlerësuar Mehmeti.

Ramadani: Partitë e vogla në rrezik, pjesëmarrja në zgjedhje vendimtare

Image
Albert Ramadani

Ndërkaq, politulogu Albert Ramadani për “Bota sot” ka deklaruar se afati i fundit për partitë politike është 7 maji, kur ato duhet të njoftojnë KQZ-në nëse do të marrin pjesë në zgjedhje.

Sipas tij, shumica e partive pritet të hyjnë në garë për vende në parlament, ndërsa duhet të deklarojnë edhe koalicionet parazgjedhore.

“Afati i fundit është 7 maji, kur partitë politike duhet ta njoftojnë KQZ-në për pjesëmarrje ose jo në zgjedhje.

Partitë politike të cilat ishin në Kuvend dhe ato që nuk ishin pjesë e kësaj legjislature së fundit, shumica do ta njoftojnë pjesëmarrjen dhe t’i hyjnë garës për të fituar vende në parlament, por gjithashtu duhet të njoftojnë edhe për formimin e koalicioneve parazgjedhore”, ka thënë ai.

Po ashtu, Ramadani ka theksuar se në formimin e koalicioneve parazgjedhore pritet të ketë më shumë bashkëpunime, sesa koalicione të mirëfillta me logo partiake.

“Te formimi i koalicioneve parazgjedhore, paksa do të ketë koalicione mes grupeve dhe përkrahësve, por jo me logo partiake.

Ka parti që kanë logo, por në fakt ato vetëm e kanë logon dhe si parti nuk janë të regjistruara, por kinse nën logon e tyre veprojnë. Krejtësisht, ato janë kryekëput pjesë e partive me votues më të shumtë dhe nën ombrellën e tyre deputetët garues fitojnë vende dhe pozita”, ka nënvizuar ai.

Tutje, Ramadani ka thënë se situata zgjedhore këtë herë pritet të mbetet e ngjashme, pa ndryshime thelbësore, ndërsa fuqinë reale të partive politike do ta përcaktojë votuesi.

Ai ka ngritur dilemë nëse do të ndryshojë raporti pozitë–opozitë, duke shtuar se partitë e vogla, si AAK, mund të mbijetojnë politikisht vetëm në varësi të pjesëmarrjes së votuesve.

“Kësaj here, situata garuese do të jetë e ngjashme; nuk do të ketë ndryshime thelbësore, por fuqinë e përfaqësimit të partive politike ua cakton votuesi.

Shtrohet pyetja: a do të ndryshojë harta pozitë–opozitë? Partitë e vogla si AAK a do t’i shpëtojnë, apo do të marrin vende në Kuvend vetëm nëse kësaj here nuk do të ketë pjesëmarrje të kënaqshme në zgjedhje, ku disi edhe mosdalja në këto zgjedhje, që tani janë bërë të shpeshta “si gripet sezonale” – “vjeshtore-dimërore” dhe “pranverore-verore”?”, ka vlerësuar Ramadani.

Në fund, ai është shprehur se Kosova mund të vazhdojë të qeveriset me ekzekutiv në detyrë deri në pranverën e vitit 2027, ndërsa ka kritikuar edhe shpeshtimin e zgjedhjeve. 

“Kosova, me gjasë, do të vazhdojë të qeveriset me qeveri pa fuqi, qeveri në detyrë, deri kah fundi i muajit mars apo fillimi i muajit prill 2027? Populli ka luftuar që të ketë shtet. Partitë politike po luftojnë për pushtet. Duke ia ngatërruar popullit, partitë politike, për interesin e tyre, gjithnjë i marrin votat, futen në Kuvend dhe kurrë më nuk e dëgjojnë Zërin”, ka përfunduar Ramadani për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat