“Kosovës i duhen deputetë profesionistë, jo figura që vetëm “rrotullohen” në politikë”

Politika

“Kosovës i duhen deputetë profesionistë, jo figura që vetëm “rrotullohen” në politikë”

Nga: H.O. Më: 10 maj 2026 Në ora: 10:00
Kuvendi i Kosovës

Analisti politik dhe publicisti Nexhat Bexheti vlerëson se ardhja e vendit në zgjedhje të reja është pasojë e mangësive kushtetuese dhe e papjekurisë politike në funksionalizimin e shtetit.

“Zgjedhjet e reja na erdhën si monotoni e një politike të mangët dhe të papërcaktuar, e cila rezultoi nga zbrazëtirat në Kushtetutë dhe nga mungesa e një organizimi funksional të shtetit,” shprehet Bexheti.

Sipas tij, vetë Kushtetuta e Kosovës ka krijuar probleme të vazhdueshme, sidomos në procesin e zgjedhjes së presidentit.

Image
Nexhat Bexheti

“Kjo dukuri nuk haset në shtetet tjera dhe për këtë arsye parlamenti i ri duhet sa më shpejt të shqyrtojë modele më kompatibile me vendet evropiane për ngritjen e efikasitetit të shtetit,” thekson ai.

Duke folur për listat e kandidatëve për deputetë, Bexheti kritikon partitë politike për mungesë të profesionalizmit në përzgjedhje.

“Në të gjitha ciklet zgjedhore po rotullohen pothuajse të njëjtit persona, të cilët nuk kanë treguar profesionalizëm,” deklaron ai.

Ai thotë se kjo vërehet edhe në punën e Kuvendit.

“Ka deputetë që asnjëherë nuk e kanë marrë fjalën në foltoren e parlamentit për të shfaqur ndonjë ide progresive dhe kjo i bën dëm Kosovës,” vlerëson Bexheti.

Sipas tij, Kosovës i duhen profile të dëshmuara profesionalisht, edhe nëse ato nuk janë pjesë e partive politike.

“Potenciale profesionale gjenden në sektorin civil, në kompanitë kosovare dhe në mesin e qytetarëve. Partitë duhet të shkëputen nga praktika që vetëm figurat partiake duhet të jenë në pushtet,” shprehet ai.

Bexheti rikujton edhe një deklaratë të profesorit Musa Limani, i cili, sipas tij, kishte thënë se “kuadrot e mira mbesin jashtë qeverisë”.

Ai kërkon që partitë politike të hapen më shumë ndaj figurave të reja dhe profesionale për t’u përballur me sfidat ekonomike dhe të sigurisë në rajon.

“Nëse strukturat aktuale nuk i përmbushin kërkesat e elektoratit, partitë duhet të nxisin figura të reja dhe të largojnë drejtuesit destruktivë që kanë humbur besimin e votuesve,” deklaron ai.

Në fund, Bexheti thotë se në opinion ekziston bindja se politika ka nevojë për më shumë të rinj, por shton se përvoja mbetet po ashtu e rëndësishme.

“Në vendet perëndimore pjesa dërrmuese e politikanëve janë të moshës së mesme, ndoshta ka diçka që ne ende nuk e kuptojmë,” përfundon ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat