Kryetari i Nisma-s, Fatmir Limaj, ditë më parë i ka dërguar letër kreut të PDK-së, Bedri Hamza, që partia e tij të jetë pjesë e listës së kësaj partie në zgjedhjet e 7 qershorit.
Në letrën e tij, Limaj ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe bashkim politik, në “funksion të krijimit të një alternative të fuqishme dhe përfaqësuese për qytetarët e Republikës së Kosovës”.
“Ne besojmë se një bashkim i tillë nuk përfaqëson vetëm një marrëveshje politike apo elektorale, por edhe një frymë të bashkëpunimit ndërmjet njerëzve dhe strukturave që për vite të tëra kanë ndarë ideale, sakrificë dhe vizion të përbashkët për Kosovën”, ishte shprehur kreu i NISMA, Fatmir Limaj.
Por, në mbledhjen e kryesisë së PDK-së, të mbajtur të hënën u vendos që të refuzohet kërkesa e Limajt.
Sipas raportimeve, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk ka arritur konsensus për rikthimin e Fatmir Limajt në parti, ndërsa kundërshtimet e brendshme kanë bërë që kjo ide të refuzohet nga një pjesë e strukturave dhe figurave të rëndësishme të PDK-së.
Por, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pavarësisht mos përfshirjes së Nisma-s në listën e tyre, kërkoi mbështetjen e Limajt.
Sipas tij, përkrahja e Limajt për PDK-në hap rrugë për bashkëpunim në të ardhmen.
“Presim, i ftojmë, i lusim që ata të na përkrahim që ne të rritemi në vota dhe kjo është e matshme. Normalisht rezultati më i mirë dhe besoj në atë për PDK-në pastaj hap rrugë për bashkëpunime edhe në nivle të institucione, por edhe të përfshirjes të Limajt dhe të tjerëve që duan të jenë pjesë e PDK-së”, ka thënë ai.
Duke komentuar vendimin e Hamzës për ta refuzuar Limajn, veprimtari Agim Aliçkaj, thotë se PDK me koalicionet e saja, mban përgjegjësinë kryesore për dështimet e shumta në ndërtimin e demokracisë, mbrojtjen dhe ndërtimin e shtetit.
Sipas Aliçkajt, liderët e kësaj partie e sollën shtetin buzë greminës.
“Populli liridashës dhe i paepur i Kosovës ua doli borxhit partive që dolën nga radhët e luftëtarëve të lirisë dhe lëvizjes demokratike. Ua dha pushtetin për dy dekada. Ata e keqpërdorën besimin e popullit duke punuar keq. Vendin e mbuloi korrupsioni dhe politika e jashtme iu nënshtrua presioneve të padrejta ndërkombëtare dhe kërkesave shkatërruese të agresorit serb. Pa i mohuar sukseset e caktuara gjatë kësaj periudhe, PDK-ja si partia më e madhe, me koalicionet e saj, mban përgjegjësinë kryesore për dështimet e shumta në ndërtimin e demokracisë, mbrojtjen dhe ndërtimin e shtetit. Të shtyrë nga kojtja, etja për pushtet dhe të shantazhuar nga jashtë, liderët e kësaj partie e sollën shtetin buzë greminës. Gabimi katastrofal i tyre ishte lejimi i ripushtimit të Veriut të Kosovës nga bandat e dirigjuara nga regjimi serb, në marrëveshje të heshtur me KFOR-in francez dhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Brenda natës së tmerrit, më 3 shkurt 2000, u vranë, u rrahën dhe u ndoqën nga shtëpitë e tyre gati të gjithë shqiptarët e Veriut të Kosovës. Në vitet në vazhdim, Rama, Thaçi dhe Vuçiq bënë përpjekje të vazhdueshme marramendëse për ta zyrtarizuar okupimin e Veriut dhe realizuar ndarjen e Kosovës, duke e kamufluar me të ashtuquajturën “përshtatje e kufijve”. Duke e kuptuar rrezikun që i kanosej shtetit, populli i Kosovës me të drejtë i largoi nga qeverisja PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe NISMA-n, duke ia besuar udhëheqjen e shtetit Kryeministrit Albin Kurti dhe koalicionit të tij. Rezultat i këtij verdikti të popullit është çlirimi i Veriut të Kosovës, që kulmoi më 23 shtator të vitit 2023”, deklaron Aliçkaj.
PDK-ja nuk ka arritur ta marrë veten, të kthjellet, të reflektojë dhe t’i kërkojë falje popullit, thotë Aliçkaj, duke e bërë atë një ndër fajtorët kryesorë që Kosova shkon në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Që nga humbja e merituar e zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2020, PDK-ja dhe gjithë opozita nuk arritën të marrin veten, të kthjellen, të reflektojnë, t’i kërkojnë falje popullit për gabimet e tyre, të ndryshojnë, të dalin me propozime dhe ide të reja më të mira se ato të pozitës, për ta bindur popullin se mund ta udhëheqin shtetin. E gjithë veprimtaria e tyre në opozitë bazohet në fyerje, shpifje, akuza të pabaza, bojkote dhe bllokim të funksionimit të shtetit, me shpresë se populli do të mashtrohet dhe do t’i kthejë në pushtet. Më e keqja ndër të gjitha është se ata ende besojnë se “përshtatja e kufijve”, që realisht do të thotë ndarja e Kosovës, është zgjidhja e duhur e konfliktit me Serbinë. Fajtorët kryesorë për zgjedhjet e panevojshme të 7 qershorit janë partitë humbëse, në krye me PDK-në, të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit të vitit të kaluar. Në mungesë të vizionit për ta marrë pushtetin me programe dhe punë të mira, ata janë përqendruar në bllokada dhe dobësim të shtetit, me shpresë se do ta fajësojnë fituesin, KM Kurtin. Por populli nuk mashtrohet”, pohon veprimtari.
Ai parashikon se PDK do të mbetet në nivel të njëjtë edhe pas 7 qershorit dhe sipas tij, nëse Limaj do t’i bashkohej atyre atëherë do të kishin shpresë për të shtuar 2- 3 për qind të votuesve.
“Të gjitha gjasat janë se PDK-ja do të mbetet në nivelin e njëjtë si më parë, rreth 20% ose më ulët, gjë që ia sigurojnë militantët e partisë. Nuk ka asnjë indikacion se ata mund të fitojnë vota nga votuesit e pavarur ose ata të lëvizshëm të partive të tjera. I vetmi shans për ta shtuar votën për 2-3% do të ishte nëse do ta pranonin ofertën për koalicion të kryetarit të NISMA-s, Fatmir Limaj. Një pjesë e strukturave dhe figurave të rëndësishme të PDK-së e refuzuan z. Limaj, gjë që mund t’i dëmtojë në zgjedhje”, shprehet Aliçkaj.
I pyetur rreth arsyeve të mos pranimit të Limajt, Aliçkaj thotë se mund të jenë liderët e vërtetë të PDK-së në Hagë ata që nuk dëshirojnë.
Sipas tij, në PDK ekzistojnë disa rryma të ndryshme, por si parti mund ta marrë dënimin e merituar nga populli.
“Arsyet e sakta nuk dihen. Gjasat janë se liderët e vërtetë të PDK-së në Hagë nuk e dëshirojnë një individ karizmatik në parti derisa ata gjenden jashtë Kosovës. Ata e kanë më lehtë ta kontrollojnë partinë duke e mbajtur me politikanë të dobët si Bedri Hamza. Ata po ashtu shpresojnë se NISMA, në mungesë të koalicionit, nuk do të marrë pjesë fare në zgjedhje dhe llogarisin që një pjesë e elektoratit të NISMA-s, edhe ashtu, do të votojë për kandidatët e tyre. Realisht, në PDK ekzistojnë disa rryma të ndryshme, të cilat, përveç etjes për pushtet dhe ruajtjes së pasurisë së fituar në mënyrë të dyshimtë, i mban bashkë vetëm urrejtja ndaj LVV-së dhe kryeministrit Kurti. Pretendimet se atyre u takojnë pafundësisht frytet e luftës së lavdishme të UÇK-së nuk i pranon shumica e popullit të Kosovës. Rezistenca ndaj pushtimit serb ishte në forma të ndryshme dhe gjithëpopullore. Përfundimisht, ka gjasa shumë të mëdha që ato parti, të cilat në mungesë të programeve reale pozitive për ndërtimin e shtetit po e bllokojnë funksionimin normal të shtetit, do ta marrin dënimin e merituar nga shumica e popullit të Kosovës. Koalicioni i kryeministrit Kurti mbetet, pa konkurrencë, shpresa e vetme për mbrojtjen e pavarësisë, ndërtimin e demokracisë, zhvillimin, forcimin dhe afirmimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, përfundon veprimtari.