Kriza politike në Kosovë: a duhet t’i publikojnë partitë politike emrat e kandidatëve për president para zgjedhjeve?

Politika

Kriza politike në Kosovë: a duhet t’i publikojnë partitë politike emrat e kandidatëve për president para zgjedhjeve?

Arife Morina - Mulaku Nga Arife Morina - Mulaku Më 19 maj 2026 Në ora: 13:01
Foto ilustrim

Kriza e zgjatur politike në Kosovë ka hyrë në një fazë të re pas dështimit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Ky zhvillim jo vetëm që ka thelluar paqëndrueshmërinë institucionale, por ka çuar edhe në shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare, pas një viti të konsideruar si i humbur politikisht gjatë vitit 2025.

Në një periudhë kur vendi përballet me sfida të shumta – nga funksionaliteti institucional deri te proceset integruese dhe zhvillimi ekonomik – mungesa e konsensusit politik për postin më të lartë shtetëror ka ngritur pikëpyetje serioze mbi kulturën demokratike dhe përgjegjësinë politike të partive në vend.

Në këtë klimë pasigurie, po rikthehet në qendër të debatit publik ideja që partitë politike të bëjnë të ditur paraprakisht kandidatët e tyre për president, para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

Një qasje e tillë do t’u mundësonte votuesve që, krahas zgjedhjes së partisë dhe kandidatit për kryeministër, të kenë më shumë informacion edhe mbi figurën që synon të marrë postin e presidentit – një pozitë me rol kyç në garantimin e unitetit institucional dhe stabilitetit politik të vendit.

Në këtë kontekst, shtrohet pyetja nëse publikimi i hershëm i kandidatëve për president do të ndikonte në rritjen e transparencës politike dhe në orientimin më të qartë të votuesve në zgjedhje.

Qarri: Partitë politike duhet të marrin mend përfundimisht dhe të gjejnë zgjidhjen më të mirë të mundshme për zgjedhjen e presidentit

Për këtë çështje, për “Bota Sot” foli analisti politik Gani Qarri, i cili u shpreh se në situatën politike në të cilën gjendet Kosova është e rrugës që të gjitha partitë politike të paraqesin edhe publikisht kandidatët e tyre për president.

Sipas tij, një gjë e tillë do t’i shmangte lojërat gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit, pas përfundimit të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Image
Gani Qarri

“Në kontekstin e kaosit aktual, kur siguria edhe për vetë vendet më të fuqishme të NATO-s është kthyer në prioritet absolut, partitë politike duhet të marrin mend përfundimisht dhe të gjejnë zgjidhjen më të mirë të mundshme, qoftë edhe duke paraqitur publikisht kandidatët e tyre për president para zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit (siç ka vepruar tashmë LDK), që pas përfundimit të zgjedhjeve të shihet nga vullneti i sovranit se cila figurë politike gëzon mbështetjen më të madhe të qytetarëve për president/e të vendit, në mënyrë që nga partitë aktuale të mos inskenohen sërish lojëra të reja politike dhe pas disa muajve vendi të detyrohet sërish të shkojë në zgjedhje të parakohshme, për shkak të mosmarrëveshjeve për zgjedhjen e presidentit”, shtjelloi ai.

Krahas kësaj, analisti potencoi se një veprim i tillë do të ndikonte edhe në rritjen e transparencës ndaj votuesve dhe do t’u mundësohej atyre që në mënyrë të tërthortë të votojnë edhe për kandidatin e tyre të preferuar për president.

“Një praktikë e tillë realisht do të ndikonte pozitivisht edhe në rritjen më efektive të transparencës politike dhe orientimin më të qartë të qytetarëve, të cilëve përveç zgjedhjes së partisë dhe kandidatit për kryeministër, do t’u mundësohej që me votën e lirë dhe vullnetin e tyre demokratik të shprehin në mënyrë të tërthortë edhe preferencën e tyre për presidentin e ardhshëm të vendit.

Kjo duke mos u lënë hapësirë partive vendore për inskenime të reja dhe shkaktimin e avarive të tjera institucionale, me qëllim të krijimit të kaosit politik dhe detyrimit të shkuarjes së vendit sërish në zgjedhje të reja parlamentare, që përveç stagnimit të integrimeve ndërkombëtare të Kosovës, do të ishte veprim i papranueshëm aventuresk, i cili mund të shndërrohej në precedent të rrezikshëm dhe akt për imponimin e trazirave sociale”, përfundoi Qarri për “Bota Sot”.

Preqi: Publikimi i emrit të kandidatit për president para zgjedhjeve parlamentare, më shumë do ta ngarkonte votuesin sesa do ta orientonte

Ndërsa opinionisti Dedë Preqi vlerëson se për shkak të përçarjes mes partive nuk arritëm fatkeqësisht të kemi president të ri, dhe me këtë rast vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Image
Dedë Preqi

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota Sot” nënvizoi faktin se presidentin e vendit nuk mund ta zgjedhin qytetarët me votë, pasi nuk e lejon Kushtetuta, madje paralajmëroi se nëse nuk ndryshohet ky ligj mund të ketë probleme dhe bllokada edhe në të ardhmen.

“Dikush do ta quante mungesë vullneti politik, mungesë bashkëpunimi, mungesë komunikimi dhe kompromisi, mungesë interesi ndaj popullit dhe institucioneve; dikush tjetër do ta quante neglizhencë, paaftësi për të kryer punët e qeverisë dhe shtetit. Por më e keqja është kur thuhet se, për shkak të etjes për pushtet dhe ‘dellit’ të urrejtjes ndaj njëri-tjetrit, arritëm të prodhojmë ‘asgjë’ dhe erdhëm deri këtu ku jemi, duke e çuar vendin në zgjedhje të panevojshme.

Emrin e Presidentit të Kosovës, sipas Kushtetutës së këtij vendi, nuk mund ta zgjedhin qytetarët e vet, dhe kjo specifikë ka paraqitur një sfidë, në të cilën Kosova është kompleksuar dhe ballafaqohet deri më tani. E njëjta gjë do të përsëritet edhe në të ardhmen, nëse nuk ndryshohet ligji, i cili zgjedhjen e presidentit e përcakton në bazë të vullnetit të qytetarëve.

Edhe pse LVV në zgjedhjet e fundit të dhjetorit të kaluar ishte mbi 51% favorite dhe fituese e këtyre zgjedhjeve, e cila së bashku me Listën Guxo, Alternativa dhe minoritetet joserbe krijuan qeverinë e re në krye me kryeministrin Albin Kurti, për shkak të mungesës së kuorumit dhe një bllokade nga opozita nuk u arrit zgjedhja e presidentit”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Preqi potencoi se populli i Kosovës është i durueshëm dhe nuk përkulet para këtyre “lëvizjeve të liga”.

Në këtë pikë, përmendi edhe bllokadën e opozitës ndaj qeverisë e cila kishte shumicën e votave në Kuvend.

“Cili qytetar i Kosovës ndihet i disponuar apo i vullnetshëm që t’u drejtohet kutive të votimit edhe njëherë për të pestën herë brenda 16 muajve? Por ky popull do të ishte shumë i fortë dhe i durueshëm, i cili nuk dorëzohet dhe nuk përkulet para këtyre të ligave; këtë e ka dëshmuar gjatë gjithë kohës dhe historisë së vet.

A duhet ta analizojmë situatën tonë, kur patëm një qeveri të konsoliduar për të vazhduar planet dhe programet e saj, por për shkak të inateve partiake dhe parake nuk arritëm të biem dakord mes vete për zgjedhjen e presidentit, duke shkuar përsëri në zgjedhje të panevojshme, të cilat mund të sjellin një situatë të njëjtë dhe ndoshta edhe më kritike?”

Më tej, opinionisti komentoi edhe faktin se LDK e ka bërë të ditur kandidaten e saj për presidente, por që sipas tij, kjo praktikë më shumë do ta ngarkonte votuesin sesa ta orientonte.

“Dhe paraqitja e kandidatit për president, siç e ka bërë LDK para se të fillojnë zgjedhjet, është një çështje që kërkon vëmendje. Gjëja e parë që duhet të kuptojmë është fusha apo ‘miniera e punës’ dhe të bindim punëtorët që kanë veglat e punës, përmes të cilëve arrihen rezultatet e prodhimit.

Në këtë rast, LDK duke e publikuar emrin e kandidatit për president para zgjedhjeve parlamentare, një praktikë e tillë më shumë do ta ngarkonte votuesin sesa ta orientonte, duke ditur se për president kërkohet kompromis dhe marrëveshje politike me të gjitha subjektet politike. Pastaj, presidenti nuk mund të përcaktohet në bazë të dëshirave ditore dhe ndjenjave partiake, por në bazë të kritereve morale e njerëzore, intelektuale e politike, integrale e unike”.

Në fund, opinionisti shtoi se publikimi i kandidatëve për president nga partitë politike vetëm sa do ta vendoste në lojë votën e qytetarëve, jo që do të ofronte zgjidhje konkrete për problemin në fjalë.

“Edhe pse një paraqitje e tillë nuk është obliguese dhe kushtetuese, me ç’rast asnjë parti politike në Kosovë nuk e ka bërë një gjë të tillë përveç LDK-së, kjo, sipas këtij modeli, mund të shihet më shumë si improvizim apo provokim ndaj ‘dikujt’, për të vënë në lojë votën e qytetarëve para momenteve zgjedhore. Në praktikë, ky lloj modeli do të duhej të kishte më shumë transparencë në kohën e duhur dhe kur është dashur të zgjidhet presidenti, duke shmangur zgjedhjet e panevojshme”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota Sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat