“Zhurmë e orkestruar mediatike” – Qarri kritikon opozitën për qëndrimet ndaj mërgatës, paralajmëron për tentativa për përçarje

Politika

“Zhurmë e orkestruar mediatike” – Qarri kritikon opozitën për qëndrimet ndaj mërgatës, paralajmëron për tentativa për përçarje

Nga: A.M. Më: 21 maj 2026 Në ora: 21:04
Foto ilustrim

Analisti politik, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot” ka deklaruar se vendi po hyn në fushatën zgjedhore në një klimë të tensionuar, ku partitë politike po shkëmbejnë akuza të rënda për krizën politike, keqpërdorime, shantazhe dhe madje dhunë fizike, veçanërisht pas sulmit të përmendur në Drenicë.

Ai ka ngritur shqetësimin edhe për një fushatë agresive kundër mërgatës dhe të drejtës së saj për të votuar, duke e cilësuar diskursin politik si konspirativ dhe të dëmshëm.

Sipas tij, situata pritet të përkeqësohet edhe më shumë me fillimin zyrtar të fushatës.

Image
Gani Qarri

“Derisa kanë ngelur vetëm edhe pak ditë, para nisjes zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, përveç fajësimeve të anasjellëta për krizën e shkaktuar e cila qoi vendin në zgjedhjet e 7 qershorit, partitë politike janë përfshi edhe në hedhje të akuzave për keqpërdorime, shantazhe e presione deri te shpifjet ordinere dhe përdorimi i dhunës fizike, ndaj njëra tjetrës, veçanërisht pas rastit të sulmit në Drenicë, ndaj zëvendësministrit të Qeverisë në detyrë, të z. Kurti.

Fatkeqësisht, kësaj radhe bie në sy se është në zhvillim e sipër një kampanjë tejet agresive e shumë e dëmshme edhe kundër të drejtës legjitime të mërgatës për pjesëmarrje në votime, një diskurs konspirativ, qysh para fillimit të fushatës, i cili që në nisje tregon se me hapjen zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, pritet të ashpërsohet edhe më tepër, pasi që aksioni tanimë i filluar elektoral, jo vetëm me fjalë dhe në mënyrë standarde, por edhe me kërcënime verbale, madje siç u tha në media edhe me ngritje të një padie, kundër vet kryeministrit në detyrë nga Sami Lushtaku, ai i cili akuzohet publikisht se bashkë me grupin e tij, grushtuan në një kafe në Skënderaj dhe bënë për spital përfaqësuesin zyrtar të LVV-së, në pikë të ditës”, ka thënë ai.

Tutje, Qarri ka kritikuar ashpër atë që e quan “zhurmë të orkestruar mediatike” dhe gjuhë negative të një pjese të opozitës kundër votës së mërgimtarëve, duke e cilësuar këtë si një fushatë të rrezikshme dhe përçarëse në prag të zgjedhjeve.

Ai ka paralajmëruar se një diskurs i tillë mund të thellojë ndarjet mes votuesve brenda vendit dhe atyre në diasporë, duke krijuar pasoja të rënda politike dhe shoqërore.

“Mu në prag të zgjedhjeve po ballafaqohemi hapur me zhurmën e orkestruar mediatike dhe vokabularin e ashpër e plotësisht negativ, të një pjese shumë të zëshme të opozitës, edhe kundër votës së mërgimtarëve, kampanjë e cila krijon bindjen në opinionin e gjerë, se atë që tash e sa vite po zbaton sistematikisht Serbia, me PASIVIZIMIN e adresave të shqiptarëve të Kosovës Lindore, një akt i ngjashëm kundërligjor, të paktën teorikisht, po tentohet të vihet në veprim nga një grup i caktuar oponentësh edhe kundër mërgimtarëve shqiptar nga Kosova, me punë dhe qëndrim në vendet europerëndimore, me "shpresën" për ç`regjistrimin e tërësishëm të tyre nga defterët e atdheut dhe ndalimin e pjesëmarrjes në zhvillimet politike në vend, të të gjithë shqiptarëve të Kosovës në mërgim dhe diasporën shqiptare.

Një zhurmë e tillë kundërproduktive është hasur edhe në zgjedhjet e kaluara, por krahasuar me klimën aktuale politike, në këto zgjedhje, duket se do të jetë një fushatë shumë më e acaruar dhe me komponentë të rrezikshëm të futjes së përçarjeve të hapura, ndërmjet votuesve vendor dhe atyre nga diaspora, nga një grup i caktuar njerëzish aventurier, aventura e të cilëve është shumë e dëmshme për popullin tonë, dhe mund të nxisë edhe në të ardhmen, probleme të paparashikuara në vend.

Ndaj ky grup duhet të kenë kujdes edhe nga historia, se ajo nuk fal as nuk harron, një fushatë e nisur keq, dhe fatkeqësisht e orientuar qëllimisht për futjen e urrejtjes, ndërmjet shqiptarëve, e cila ka nisur të shfaqet me tone gjithnjë e më të ashpërsuara, dhe me- apo pa dashje, mund të kthehet shumë lehtë, në shkak për acarime të padëshiruara politike në shtetin tonë të ri, të krijuar pas kaq shumë flijimesh, vuajtjesh, mundi e gjaku edhe të mërgimtarëve tanë patriot”, ka vlerësuar Qarri.

Po ashtu, Qarri ka theksuar se mërgimtarët shqiptarë kanë kaluar nëpër presione të shumta historike politike, psikike dhe fizike, por kanë ruajtur gjithmonë lidhjen me atdheun dhe kanë kontribuar në mënyra të ndryshme, përfshirë edhe në periudhën e luftës për çlirimin e Kosovës.

Në fund, ai ka vlerësuar se diaspora nuk do të heqë dorë nga vendlindja pavarësisht “zhurmës së orkestruar” dhe përpjekjeve për t’i përjashtuar nga proceset zgjedhore, duke i cilësuar këto si inskenime të qëllimshme në prag të fushatës së 7 qershorit.

“Duke pasur parasysh se mërgimtarët shqiptar janë kalitur dhe kanë mbijetuar me qëndresë të vazhdueshme kundër të gjitha llojeve të mundshme të presionit politik, psikik, fizik, por edhe atij policor e ushtarak të huaj, përkundër zhurmës së orkestruar shurdhuese në vend, jo vetëm në media, kundër tyre, ata ashtu siç nuk i`a kanë kthyer shpinën atdheut të vet në ditët më të vështira, duke kontribuuar jo vetëm financiarisht por edhe me aktivitetet të pareshtura politike nëpër botë dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në luftën për çlirimin e Kosovës, nuk mund të heqin dorë as tani nga vendlindja dhe trualli i tyre autokton, përkundër inskenimeve perfide, që po provohet të ekzekutohen kundër tyre, nga një grup i caktuar edhe në prag të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit”, ka përfunduar Qarri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat