Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm për të dyja vendet nëse duan të avancojnë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Ai i bëri këto deklarata pas një takimi ditë më parë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, ku u diskutua ecuria e dialogut Kosovë–Serbi dhe perspektiva evropiane e rajonit.
Në një postim në rrjetin social X, Sorensen theksoi se dialogu do të vazhdojë të mbetet një proces i lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe jo një proces i ndarë mes palëve veç e veç.
Ai mohoi mundësinë që dialogu të “bilateralizohet”, duke nënvizuar se ai zhvillohet vetëm me ndërmjetësimin e BE-së.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Nijazi Halili.
Ai thotë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm për integrimin evropian, por pa zbatimin e marrëveshjeve dialogu rrezikon të mbetet i zgjatur dhe pa rezultate konkrete.
“Deklarata e emisarit evropian Peter Sorensen e rikthen në fokus faktin se pa normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, integrimi evropian mbetet i vështirë për të dyja palët. Megjithatë, përsëritja e vazhdueshme e termit “normalizim” nuk garanton automatikisht progres real në dialog.
Problemi kryesor deri më tani ka qenë mungesa e zbatimit të marrëveshjeve të arritura ndër vite. Për këtë arsye ekziston rreziku që dialogu të vazhdojë të mbetet një proces i stërzgjatur, pa afate të qarta dhe pa rezultate konkrete në terren”, u shpreh ai.
Tutje, profesori shton se Profesori ka thënë se angazhimi i Bashkimit Evropian mund të sjellë rezultate vetëm nëse ka presion dhe kërkesa konkrete ndaj Kosovës dhe Serbisë, ndërsa progresi varet nga vullneti i tyre për t’i zbatuar marrëveshjet e dialogut.
“Nga ana tjetër, angazhimi i vazhdueshëm i Bashkimit Evropian mund të ndikojë pozitivisht vetëm nëse shoqërohet me presion diplomatik më të qartë dhe me kërkesa konkrete ndaj të dyja palëve. Në fund, progresi do të varet jo vetëm nga deklaratat e ndërmjetësve evropianë, por edhe nga vullneti politik i Kosovës dhe Serbisë për t’i zbatuar obligimet që dalin nga dialogu”, përfundoi profesori Halili për “Bota sot”.