Raportet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe homologut të Shqipërisë, Edi Rama, kanë qenë një ndër temat më të diskutuara që nga mos mbajtja e mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive.
Për këto raporte është pyetur edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kanë marrëdhënie të mira.
Por, sipas tij, ata nuk pajtohen për të gjitha çështjet, sidomos për qëndrimin ndaj Beogradit zyrtar.
Në një intervistë të fundit televizive, Kurti u pyet nëse ndihet përgjegjës për raportin mes dy vendeve shqiptare. Kurti u shpreh se nuk beson që të ketë gabuar, duke marrë parasysh se qëllimet e tij kanë qenë të mira.
Ai u ndal më pas te mbledhjet e përbashkëta mes qeverive, duke kujtuar se ajo e parashikuar në vitin 2023 u anulua nga Tirana zyrtare.
“Në dy mbledhjet e qeverisë që kemi pasur, 58 marrëveshje janë nënshkruar. Disa janë zbatuar, disa janë në zbatim e sipër. Disa më shpejt e disa më ngadalë. I diskutuam edhe me ministrin Ferit Hoxha se si të ecim më shpejt. Është dashur të ketë mbledhje të përbashkëta të qeverive.
Kemi bërë dy herë mbledhje midis dy Kuvendeve por mbledhjen midis dy qeverive nuk e kam anuluar unë. Ajo u anulua nga Tirana zyrtare në verën e vitit 2023. Sa më herët ti fillojmë mbledhjet aq më mirë. Por nuk janë mbledhjet kryesore, por takimet midis ministrave.
Përgjegjësi? Nuk besoj që kam gabuar, ndërkohë që kam qëllim të mirë. Nuk mund të kem përgjegjësi unë. Marrëdhëniet me Ramën i kemi të mira, por kjo s’do të thotë që pajtohemi për të gjitha çështjet, në veçanti për shembull me qëndrimin tonë karshi Beogradit zyrtar. Ne kemi ndjeshmëri tjetër, aty dallojmë”, ka deklaruar Kurti.
Njohësit e zhvillimeve në vend, kanë folur rreth deklarimeve të Kurtit, të cilët kanë analizuar dallimet mes dy kryeministrave shqiptarë dhe takimet e kryeministrit Edi Rama me Vuçiqin.
Dallimet Kurti-Rama
Publicisti Fadil Lepaja për “Bota sot”, thotë se dallimet mes Kurtit dhe Ramës janë të natyrë gjeopolitike.
Sipas tij, Rama e ka kopjuar Vuçiqin në politikën e tij edhe me perëndimin edhe me lindjen, ndërsa Kurti ka marrë pozicionim duke ndërtuar një projekt mobilizimi shqiptarësh jo vetëm në Kosovë.
“Dallimet mes qasjes së z. Kurti dhe z. Rama janë të natyrës gjeopolitike dhe madje edhe ideologjike, por kjo nuk ka ndikuar shumë në marrëdhëniet në mes dy shteteve. Pikëpamjet e tyre për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe marrëdhëniet mes shteteve dallojnë. Dallimet janë të natyrës gjeopolitike, kanë të bëjnë me orientimin më shumë evropian të Kurtit dhe qasjes (anti)globaliste të Ramës. Përderisa Rama e ka kopjuar Vuqiç në politikën e tij edhe me perëndimin edhe me lindjen, duke e kthyer në formulë edhe me BE edhe me SHBA, edhe me Turqinë edhe me Greqi, duke i hapur rrugë kapitalit ngado që vjen. Kurti ka marrë tjetër pozicionim, ai ka ndërtuar një projekt, po mobilizon shqiptarët jo vetëm në Kosovë dhe po përpiqet të gjejë aleat, të thyejë disa barriera, në BE sidomos me 5 vendet që ende nuk e njohin Kosovën”, shprehet Lepaja.
Sipas tij, Rama ka balancuar interesat e ndryshme në Shqipëri madje duke balancuar edhe me interesa serbe.
Kurse, Kurti sipas Lepajës, ka kufi të qartë me Serbinë, po e fuqizon shtetin dhe po angazhohet për kontroll më të madh të shtetit në shoqëri.
“Përderisa Rama, bënë zëdhënësin e interesave të ndryshme, në Shqipëri, duke balancuar madje edhe me interesa serbe, pa i dalluar ato nga të kujtdo tjetër, Kurti ka një kufi të qartë me Serbinë dhe nuk lejon relativizim apo normalizim marrëdhëniesh në kondita kur Serbia është prezente ende në Kosovë. Kurti po e fuqizon shtetin dhe po angazhohet për kontroll më të madh të shtetit në shoqëri dhe për lëvizje të fuqishme nacionaliste të shqiptarëve në rajon, Rama, e sheh shtetin si lehtësim për kapitalin ngado që të vij, mjafton të vij në Shqipëri”, deklaron publicisti.
Ai tregon dallimet tjera mes Kurtit dhe Ramës, duke e parë Ramën si përpjekës për të përballuar valët globale që përplasjen në brigjet e politikës rajonale, ndërsa Kurtin si krijues të valëve, turbulencave duke parë inicativën dhe duke diktuar lojën.
“Rama duket se mendon se ai mund ta ndihmojë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duke ftuar palët të bëjnë kompromise qoftë edhe territoriale, pra edhe këmbim territoresh, ndërkohë që Kurti tashmë fuqizimin e Kosovës si shtet e sheh vetëm si fazën e parë të bashkimit të shqiptarëve në regjion dhe modelin e tij mendon se duhet ta zgjedhin edhe shqiptarët në Shqipëri, Maqedoni etj. Derisa Rama balancon, përpiqet të përballojë valët globale që përplasen në brigjet e politikës rajonale, Kurti ka zgjedhur të krijojë vet valë dhe turbulenca duke marr kështu iniciativën dhe duke diktuar lojën. Në këtë kontekst duhet të shihen edhe marrëdhëniet e sforcuara me Turqinë e pjesërisht edhe me Izraelin”, shpjegon Lepaja.
Dinamikat dhe iniciativa e Kurtit, sipas Lepajës, është jo vetëm mesazh, por edhe barrierë për çfarëdo negociate apo përgjegjësie që mund të marrë Rama lidhur me Kosovën.
“Gjithsesi, dinamika dhe iniciativa e Kurtit, madje edhe këmbëngulja e tij, janë jo vetëm mesazh por edhe barrierë për çfarëdo negociate apo përgjegjësie që mund të marrë Edi Rama lidhur me Kosovën. Përpjekja që të organizohet opozita në vijën e tij, madje edhe ish presidentes, e formuloi qartë boshtin e kundërt politik me Kurtin sa i përket rajonit dhe Kosovës, por kjo nuk ka ndikuar as mund të ndikojë në marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Shqipërisë pasi ato janë formësuar tashmë me ligje dhe aleanca dhe diktohen edhe nga faktorë gjeopolitik të cilët nuk ndryshojnë pavarësisht politikave lokale”, përfundon Lepaja.
Protagonizmi i Ramës dhe përgjegjësia e dialogut Kosovë- Serbi
Ndërsa, analisti politik Nexhat Haziri, thotë se nuk duhet të ketë “thumba” në mes dy qeverive Kosovë e Shqipëri.
Sipas tij, bashkëpunimi mes vendeve u zbeh vitet e fundit, por sipas tij takimet me Vuçiqin më tepër kanë qenë për t’u dukur para Brukselit si politikan pragmatik, i përkushtuar e paqësor.
“Së pari kujtoj se nuk ka pse të ketë “thumba” në mes qeverive, apo kryeministrave shqiptar, atij nga Tirana dhe këtij nga Prishtina, kur duhet biseda e koordinime, e strategji të përbashkëta, në raport me politikën e jashtme. Dhe duket se ky bashkëpunim ka qenë i zbehur në vitet e fundit, për teke e inate të të dy kryeministrave, pra Ramës dhe Kurtit, që shpesh herë është parë edhe si një garë në mes tyre në atë që quhet gara se kush është lideri i shqiptarëve në Ballkan. Unë takimet e Ramës me Vuçiqin, më shumë e kam parë si protoganizëm të Ramës përballë Brukselit, apo për t’u dukur para tyre si një politikan pragmatik, i përkushtuar për stabilitet rajonal, si një njeri që promovon paqe e bashkëpunim rajonal, dhe kjo iu është shpaguar pasi shohim përparimin e Shqipërisë në procesin euro-integrues, përkundër që qeverisja e Edi Ramës në Shqipëri është e qelbur nga krimi dhe korrupsioni, gjë që kjo tregohet çdo ditë me skandale të shumta”, deklaron Haziri në një prononcim për “Bota sot”.
Dialogu me Serbinë, sipas Hazirit, është përgjegjësi vetëm e Kosovës.
“Unë nuk besoj dhe nuk e kam parë qëllimin e z. Rama apo dikujt tjetër nga Tirana zyrtare që ka pasur për qëllim dëmtimin e Kosovës në asnjë aspekt, e as në arenën ndërkombëtare, përkundrazi Tirana zyrtare ka dhënë shembuj që ka qenë dhe është zë i Kosovës aty ku Kosova akoma nuk ka arritur të jetë prezente. Mos të harrojmë se dialogu me Serbinë, është përgjegjësi vetëm e Kosovës dhe në interes të Kosovës, dhe sa më parë që ky proces të përmbyllet me njohje reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë, do të jetë në interes të vet Kosovës, ku do të hapeje perspektivë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare njohje të reja, e të tjera. Andaj këta të ashtuquajtur “thumba” të z. Kurti më shumë i shohë si orvatje për të marrë vëmendje opinion në këtë fushatë zgjedhore, se sa që përbëjnë ndonjë të vërtetë në të”, përfundon Haziri.