Projekti për ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec është kthyer në një nga debatet më të forta mjedisore dhe publike në Shqipëri, duke sjellë përplasje mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së natyrës.
Sipas raportimeve të fundit, plani parashikon ndërtimin e një kompleksi të madh turistik në zonën e Vjosë–Nartës, një territor me vlera të larta ekologjike dhe pjesë e peizazheve të mbrojtura. Kjo ka nxitur kundërshtime të forta nga banorët dhe aktivistët mjedisorë, të cilët e konsiderojnë Zvërnecin një pasuri të rrallë publike dhe natyrore.
Ata paralajmërojnë se ndërhyrjet e planifikuara mund të dëmtojnë seriozisht ekosistemin, duke prekur habitatet e shpendëve dhe duke ndryshuar karakterin unik të zonës.
Për ta, problemi kryesor është se zhvillimi ekonomik po vihet përballë mbrojtjes së mjedisit, pa një balancë të qartë mes tyre.
Nga ana tjetër, qeveria e sheh projektin si një investim strategjik për turizmin dhe ekonominë, duke theksuar se zhvillimi do të bëhet në mënyrë të kontrolluar dhe kryesisht në prona private, ndërsa procedurat ligjore dhe vlerësimet mjedisore janë ende në shqyrtim.
Në tërësi, çështja e Zvërnecit reflekton një konflikt më të gjerë në vend: si të zhvillohet turizmi dhe ekonomia pa dëmtuar zonat më të ndjeshme dhe me vlera të veçanta natyrore.
Mekuli: Kur populli ngrihet kundër shkatërrimit të ekosistemit… makineria e spin doktorëve vihet në lëvizje
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohës i shkencave të mediave dhe retorikës Gëzim Mekuli.
Mekuli thotë se protestat në Zvërnec dhe Rrnjoll janë një reagim i drejtë qytetar dhe një detyrim moral për mbrojtjen e pasurisë kombëtare.
Ai kritikon mediat në Tiranë dhe Prishtinë, duke thënë se ato po e manipulojnë debatin duke zhvendosur vëmendjen nga shkatërrimi mjedisor dhe duke diskredituar protestuesit.
“Pa asnjë dyshim, protestat në Zvërnec dhe në Rrnjoll janë jo vetëm një reagim i ligjshëm qytetar, por edhe një detyrim moral e kushtetues për mbrojtjen e pasurisë të pakthyeshme kombëtare. Mirëpo, për të kuptuar se çfarë po ndodh realisht me këtë reagim, ne, si publik, duhet të largohemi nga betoni dhe të futemi në marifetin retorik, gazetaresk e mediatik të Tiranës dhe Prishtinës.
Pse duhet të largohemi nga betoni dhe vjedhja e pasurisë kombëtare, e të përqendrohemi në mediat e regjimit të Tiranës dhe të oligarkëve të Prishtinës?
Sot, përballë këtij shqetësimi të drejtë për mjedisin e Shqipërisë, ne nuk po shohim një debat të shëndoshë apo shkencor, por një keqpërdorim dhe manipulim të retorikës nga ana e mediave të rreshtuara me pushtetin e Edi Ramës. Në vend që media shqipe të jetë hapësira ku pasqyrohet e vërteta e tmershme e shqiptarëve, ajo po përdoret si një «kurth mediatik». Kur populli ngrihet kundër shkatërrimit të ekosistemit, (detit, malit, fushës, lumejve, liqeneve, katundeve dhe qyteteve) makineria e spin doktorëve mediatik vihet në lëvizje për të ndryshuar «kornizën» e konfliktit. Duhet nënvizuar se ai që kontrollon mënyrën se si prezantohet një konflikt apo një problem, kontrollon edhe mënyrën se si konflikti dhe problemi kuptohet nga publiku.
Në këtë rast, për të mbrojtur salltanetin e elitës dhe investimet që bëhen pa kritere shkencore e mjedisore, mediat e Tiranës aplikojnë atë që në shkencat e komunikimit dhe retorikës njihet si «Retorika e demonizimit dhe zhvendosjes së përqëndrimit». Pasi nuk mund të gjejnë argumente logjike për të mbrojtur shkatërrimin, pra betonizimin e egër të Shqipërisë, gazetarët (mediat) sulmojnë karakterin e protestuesve. Kështu, protestën e pastër qytetare për ujin, ajrin dhe tokën, i ngjesin emër si: «majtizëm radikal», «leftizëm i dëmshëm», apo «axhendë e huaj». Kjo nuk është gjuhë komunikimi, kjo është një gjuhë e zbrazët retorike, që synon të mbjellë dyshime tek publiku i gjerë dhe të dobësoj apo fashitë lëvizjet përparimtare qytetare”, shprehet ai.
Duke vazhduar tutje, njohësi i shkencave thotë se rasti i Zvërnecit tregon se interesat ekonomike dhe projektet strategjike po vihen mbi mbrojtjen e mjedisit dhe zërin e komunitetit lokal, duke u paraqitur si “zhvillim” ndërsa protestat delegjitimohen.
Ai shton se kjo është pjesë e një modeli më të gjerë manipulimi mediatik, të cilin e krahason me mënyrën si në të kaluarën janë kornizuar dhe keqinterpretuar lëvizje të rëndësishme historike si UÇK-ja.
“A po dëshmon ky rast se interesat ekonomike dhe investimet strategjike po marrin përparësi ndaj mbrojtjes së mjedisit dhe zërit të komunitetit lokal?
Po, ky rast është dëshmia e pastër i një modeli ekonomik grabitqar që e sheh Shqipërinë si një hapësirë për t'u copëtuar e betonizuar pa rregulla. Por ajo që e bën edhe më të rrezikshme këtë situatë është strategjia e spin-doktorëve për ta paketuar këtë grabitje industriale si «zhvillim strategjik» dhe për të asgjësuar zërin e popullit përmes teorive të konspiracionit.
Për të kuptuar se sa e rreme dhe manipulative është retorika mediatike që po hidhet sot mbi protestat kundër betonizimit të Shqipërisë (si rasti i Zvërnecit, Rrnjollit apo revoltave në Tiranë), vlen të kthejmë kokën pas në historinë tonë më të dhimbshme të komunikimit publik: në lindjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë viteve 1997-1998.
UÇK-ja lindi si mbijetese e popullit shqiptar për t'u çliruar nga terrori shtetëror i Serbisë; klasa politike, mediat në Prishtinë, në Tiranë, dhe spin-doktorët e gjeo-politikës kundërshtare shqiptare u ngutën ta quanin UÇK-në: «pjellë të Serbisë» «dorë e zgjatur e shërbimeve sekrete serbe», «majtistë», «enveristë», «fundamentalistë islam» apo «njerëz të frustruar». Bile -bile spin doktorët e Beogradit në Prishtinë dhe Tiranë sulmuan edhe moralin e UÇK-së: «Nuk janë çlirimtarë, janë marksistë-leninistë, janë dorë e zgjatur e UDB-ës serbe për të dëmtuar rrezistencën paqesore»! Ju kujtohet? Mua po”, theksoi njohësi.
Duke vazhduar bisedën, Mekuli potencoi se propaganda e atëhershme dhe ajo e sotme përdorin të njëjtin mekanizëm manipulimi, duke krijuar “armiq të jashtëm” për të delegjitimuar protestat dhe për të mbrojtur interesat e pushtetit kur nuk ka argumente për veprimet e tij.
“Propaganda funksionoi aq mirë, saqë arriti të lëkundë përkohësisht besimin e vetë shqiptarëve tek ushtria e tyre. Qëllimi i asaj retorike nuk ishte e vërteta; qëllimi ishte ruajtja e status-quo-së dhe salltanetit politik të kohës, duke i lënë serbët të sundonin dhe shqiptarët të vegjetonin.
Edhe sot, saktësisht e njëjta kopili manipulimi mediatik e retorik po përdoret në Tiranë dhe Prishtinë. Për të shpëtuar (Pa)Kryeministrin Edi Rama dhe projektet e tilla kolonizuese, si ky i Zvërnecit, Rrnjollit apo mbrojtjen e oligarkisë, mediat dhe analistët e oborrit të Ramës dhe të bllokut opozitar në Prishtinë, kanë filluar një fushatë të egër e të fuqishme retorike; Kjo aleancë e dreqit tenton të manipulojnë publikun duke thënë se pas këtyre protestave anti-regjim fshihet «Greqia», «Serbia», «myslimanët fanatikë që urrejnë Izraelin», «antiamerikanët», «marksistët», «leftistët», «antikapitalistët» apo «grekofil të paguar nga qarqet e huaja»
Kjo kurthë e ky manipulim njihet fort mirë: Kur regjimi nuk mundet të mbrojë me argumente (keq)veprimin e vet (betonizimin dhe ndërtimin e egër pa studime mjedisore), ai shpikë një armik të jashtëm (dhe të brendshëm) gjeo-politik për të trembur publikun dhe për të delegjitimuar protestën paqesore të popullit. Në të dyja rastet, pushteti aplikon të njëjtin rregull të propagandës: Kur nuk mund të vrasësh dot kauzën, pushkatoje karakterin e atij që e mbron atë”, potencoi ai.
Ndër të tjera, Mekuli përfundon se, mediat pranë pushtetit manipulojnë opinionin publik duke frikësuar qytetarët dhe delegjitimuar protestat, për të mbrojtur interesat e elitave ekonomike dhe për të justifikuar shkatërrimin e mjedisit si “zhvillim”.
“Pra, media e oborrit të Ramës tenton të frikësojë popullin, t'i bëjë ata dyshues ndaj protestës dhe të shpëtojë figurën e Edi Ramës dhe oligarkisë që po e shet Shqipërinë me copa-copa. Retorika ka ndryshuar aktorët, por skenari mbetet i njëjtë: kushdo që prek interesat e elitës financiare, shpallet tradhtar i rreshtuar me «armiqtë e bredshëm dhe të jashtëm» të kombit.
Në epokën e sotme mediatike, ku komunikimi bëhet me fotografi, ndjenja dhe elemente teatrale të futura së bashku në televizion e media sociale, folësit e pushtetit shkrihen me publikun, hyjnë në shtëpitë e shqiptarëve, me zëra të butë «prindërorë», për të shitur si» përparim» dhe «ardhmëri» atë që në fakt është shkatërrim i të ardhmes së popullit shqiptar. Prandaj, Zvërneci, Rrnjolli, lumi Vjosa, Durrësi, Golemi, Vlora, Kepi i Rodonit etj., nuk janë sall luftë për mjedisin; është betejë mes të vërtetës qytetare dhe propagandës së rreme mediatike që po betonizon dhe eksploaton Shqipërinë për interesa të ngushta familjare, klanore të një grushti njerëzish”, përfundoi Mekuli për “Bota sot”.
Mehmeti: Rama dhe klika e tij duhet të japin përgjegjësi
Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti në një bashkëbisedime me “Bota sot”, tha se, ndonëse është pro zhvillimit dhe investimeve në parim, në këtë rast kemi shkelje të të drejtave të njeriut për shkak të cenimit të pronës private për interesa biznesi, dhe se e drejta e pronës duhet të respektohet si një e drejtë e garantuar kushtetuese dhe ndërkombëtare.
“Sa i përket ndërtimeve, në parim jam pro zhvillimit dhe investimeve. Mirëpo, në rastin konkret kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të njeriut, pasi shumë njerëzve u është prekur prona dhe ajo është shndërruar në biznese në bashkëpunim mes qeveritarëve dhe personave të tretë, të cilëve u është lehtësuar procesi për shkak të lidhjeve dhe interesave të tyre.
Megjithatë, duhet të respektohet dinjiteti i pronarëve, sepse e drejta e pronës është e garantuar me kushtetutë dhe me standarde ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thotë analisti.
Në fund, analisti përfundon se është pro ndërtimeve në parim, në këtë rast mbështet protestuesit dhe kërkon përgjegjësi për qeverinë për privatizimin dhe shfrytëzimin e pronës publike në favor të interesave private.
“Pra, jam pro ndërtimeve në parim, por në këtë rast anoj më shumë nga protestuesit, pasi ata kanë të drejtë të mbrojnë pronën e tyre dhe djersën e tyre.
Prandaj, edhe Rama dhe klika e tij duhet të japin përgjegjësi jo vetëm për këtë rast, por edhe për raste të tjera, ku prona publike apo shoqërore është privatizuar dhe shfrytëzuar nga biznese të ndryshme, shpesh me mbështetje apo miratim institucional”, përfundoi analisti Mehmeti për “Bota sot”.